Ndërlidhjet

Kursimet e qytetarëve tejkalojnë buxhetin


Ilustrim
Ilustrim

Shuma e mjeteve materiale të kursyera të qytetarëve në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, është më e madhe se sa buxheti i përgjithshëm i vendit.

Përderisa buxheti për këtë vit, kap shifrën rreth 1 miliard e 600 milionë euro, depozitat e qytetarëve janë një miliard më tepër, apo mbi 2 miliardë e 600 milionë euro.

Përveç kësaj vlere, qytetarët e Kosovës mjete të kursyera kanë edhe në valuta tjera, shuma e të cilave arrin në 127 milionë.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vërehet se nga vlera e përgjithshme, depozitat e ekonomive familjare kapin shifrën rreth 2 miliardë euro, kurse ndërmarrjet kanë të kursyera mbi 500 milionë euro.

Megjithatë, ekspertë për çështje financiare shumën e mjeteve të kursyera e konsiderojnë befasuese, por edhe shqetësuese.

Sipas tyre, Kosova ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, kurse në anën tjetër, kanë arritur në mbi 2. 6 miliardë euro depozitat në banka.

E, shqetësues mbetet fakti, se në mungesë të një ambienti të sigurt për investime, qytetarët obligohen që mjetet e tyre financiare t’i mbajnë të bllokuara në institucionet financiare, pavarësisht faktit se norma e interesit në depozita është jashtë zakonisht ulët.

Nazmi Mustafa, rektor në Kolegjin e Menaxhmentit Internacional “Globus", për Radion Evropa e Lirë, thotë se autoritetet kompetente duhet të krijojnë kushte që këto mjete të shfrytëzohen për biznese ose shërbime.

“Në Kosovë ende nuk kemi një strategji zhvillimore, e cila në mënyrë racionale do t’i angazhonte këto depozita dhe atëherë norma do të rritet edhe në depozita, kurse përfitimi më i madh është për ekonominë dhe shtetin, pasi krijojnë një mundësi të rritjes së normës së Bruto Produktit Vendor”, thotë Mustafa.

Eksperti për çështje financiare, Mejdi Bektashi, tregon se dekadën e fundit, për çdo vit ka pasur rritje të vlerës së depozitave.

Arsyeja e mbajtjes së parave të ngrira, sipas tij, tregon pasiguri për të investuar, po njëherësh tregon besimin që qytetarët kanë ndaj institucioneve financiare që veprojnë në Kosovë.

“Shpjegimi mund të jetë edhe ekonomik dhe tradicional. Unë besoj se një pjesë e madhe e këtyre mjeteve, janë të bashkatdhetarëve tanë që punojnë në botën e jashtme. Dhe, të njëjtat i mbajnë në Kosovë.Kurse në aspektin ekonomik, tërheqja e parave nga qarkullimi zvogëlon konsumin që mund të paraqitet edhe si pengesë për zhvillimin ekonomik”, thotë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Nazmi Mustafa, ndërkaq thotë se nevojiten programe të veçanta për shfrytëzimin dhe angazhimin e këtyre mjeteve.

“Esenca e mosshfrytëzimit të këtyre mjeteve, është se nuk ka programe të cilat i mbështesin politikat makro-ekonomike zhvillimore. Dhe në atë kuptim del edhe siguria nga kompanitë e tilla, qoftë të investimeve të jashtme, të cilat janë shumë të vogla në Kosovë, qoftë edhe investime për diasporë. Është dëm i madh investues dhe ekonomik mbetja e këtyre depozitave të ngrira me një normë të ulët të interesit”, thotë Mustafa.

Edhe Mejdi Bektashi, nuk e mohon faktin se te qytetarët ekziston edhe elementi i pasigurisë, që këto mjete t’i investojnë në prodhim apo shërbime tjera të caktuara.

“Por, shpërndarja e këtyre mjeteve është e thellë pasi shumë qytetarë kanë shuma të vogla të deponuara dhe ato nuk mjaftojnë për të bërë ndonjë investim konkret”, shton ai.

Ndryshe, norma efektive e interesit për depozita të ekonomive familjare është 0.9 për qind, kurse për ndërmarrje 1.2 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG