Ndërlidhjet

Rreth 900 punëkërkues, përfitues të subvencionimit të pagave


Ilustrim
Ilustrim

Rreth 860 është numri i punëkërkuesve të sektorit privat që kanë përfituar nga programi për subvencionimin e pagave nga Qeveria e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë, thonë zyrtarë qeveritarë.

Programi për subvencionimin e pagave, që ka filluar të zbatohet nga fillimi i vitit të kaluar, ka për qëllim përkrahjen e punëdhënësve, të cilët ofrojnë mundësi punësimi për qytetarët e pa punë, të cilët janë të regjistruar në zyrat komunale të punësimit.

Programi nënkupton pagesën e së paku 50 për qind të pagave për punëtorët e rinj, për një periudhë 6, 9 ose 12 muaj, shuma e së cilës nuk mund të jetë më e lartë se paga minimale në Kosovë.

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se programi është duke u zbatuar dhe se nga ai kanë përfituar tashmë një numër i konsiderueshëm i personave.

“Gjatë vitit 2015, numri i punëkërkuesve të cilët kanë përfituar nga program i subvencionimit të pagave është 484 punëkërkues, prej tyre 222 femra. Kurse prej fillimit të këtij viti e deri më sot (e premte) numri i përfituesve nga ky program është 304 persona, prej tyre 81 femra. Ndërkaq, 60 të tjerë kanë përfituar në Komunën e Vitisë, projekt ky që përkrahet nga Ministria e Punës, Komuna e Vitisë dhe organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Hajzeraj.

Me gjithë rëndësinë e këtij programi, përfaqësues të komunitetit të biznesit e konsiderojnë të vogël numrin e përfituesve.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se situata e kompanive private nuk është e lakmueshme dhe nevoja për mbështetje financiare nga institucionet shtetërore është e domosdoshme.

Sipas tij, përveç subvencionimit të pagave, autoritetet kompetente duhet që të gjejnë edhe forma tjera për ndihmë komunitetit të biznesit në mënyrë që të rritet numri i punësimit.

“Ky numër është tepër i vogël,tepër i limituar në krahasim më kërkesat dhe nevojat e tregut. Më të vërtet operatorët ekonomik kanë shumë nevojë për ndihmën e institucioneve shtetërore”, ka thënë Shahini.

Në anën tjëtër, Rita Hajzeraj tregon se interesimi i kompanive për këtë program nuk është i vogël, kurse përfituesit më të mëdhenj janë punëtorë në sektorin e shëndetësisë dhe ndërtimtarisë.

“Interesimi i kompanive është jashtëzakonisht i madh, pasi participimi bëhet gjysmë për gjysmë. Do të thotë 50 për qind të pagës e financon kompania private, kurse pjesën tjetër e financojnë donatorët tonë që i kemi në bashkëpunim më Ministrinë. Kurse profesionet, i kemi të gjitha, por një numër më i madh vërehet tek sektori i ndërtimtarisë dhe i shëndetësisë”, ka thënë Hajzeraj.

Në programin për subvencionimin e pagës, që bashkë-financohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), mund të aplikojnë të gjitha bizneset që veprojnë në Kosovë dhe te gjitha llojet e aktiviteteve ekonomike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG