Ndërlidhjet

Gërxhaliu: Punëtorët e kualifikuar, potencial për të ikur drejt Evropës


Intervistë me Safet Gërxhaliun
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:18 0:00

Intervistë me Safet Gërxhaliun

“Punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë, salduesit, përpunuesit e drurit si dhe punëtorët në sektorin e shëndetësisë, janë ata të cilët pas liberalizimit të vizave do të tentojnë që të ikin nga Kosova për në vendet evropiane”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Gërxhaliu, Komisioni Evropian tanimë i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Si është pritur kjo nga komuniteti i biznesit në Kosovë?

Safet Gërxhaliu: Oda Ekonomike e Kosovës mbështet këtë qëndrim të Bashkimit Evropian për ftesën për liberalizim që i është bërë Kosovës. Është një dukuri e cila mund të analizohet nga disa dimensione, nuk ka të bëjë vetëm me dimensionin ekonomik, nuk ka të bëjë vetëm me dimensionin politik, strategjik, integrues, por ka të bëjë edhe me dimensionin psikologjik dhe moral që kosovarët nuk janë më të getizuar.

Duhet të kuptohet që termi liberalizim nuk është zgjidhje e problemeve, sepse në rend të parë duhet të përmbushen disa detyra të shtëpisë që duhet t’i bëjë Kosova drejt miratimit të një thirrje të tillë, dhe e dyta që është më interesante është punuar shumë më tepër në aspektin e promovimit të liberalizimit si nocion, sesa të punohet që ky nocion të jetë në funksion të zhvillimit.

E them këtë, bazuar në faktin që liberalizimi do të përcillet me zhvillim ekonomik apo me një trend të zhvillimit ekonomik, të ketë garanci që vetë liberalizimi nuk do të shkaktojë dëme për sektorin privat dhe si proces do të jetë në funksion të zhvillimit dhe të ardhmërisë.

Radio Evropa e Lirë: Pronar të disa kompanive në Kosovë kanë shprehur shqetësim se menjëherë pas zbatimit në praktikë të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në shtetet e zonës Schengen, disa nga të punësuarit në sektorin privat do të lëshojnë vendin e punës. Si e vlerësoni ju këtë shqetësim?

Safet Gërxhaliu: Kur e kemi këtë shkallë të papunësisë, varfërisë dhe kur e kemi këtë numër të madh të diasporës që është shtrirë në mbarë Evropën, besoj që në aspektin kohor afatshkurtër do të ketë një fluks i cili do të reflektojë në forma të ndryshme në realitetin kosovarë.

Ajo çka është më shqetësuese është se ekzistojnë disa sektorë bazik të ekonomisë kosovare, ku punëtorët e atyre sektorëve do të tentojnë të ikin drejt Evropës për të gjetur punë qoftë në të zezë, qoftë në aspektin sezonal për shkak të familjarëve që i kanë në diasporë.

Një migrim i tillë të cilin nuk e dëshirojmë, me siguri do të jetë një grusht për sektorin privat dhe komunitetin e biznesit vendor. E them këtë bazuar në përvojën në të kaluarën. Ne e dimë që në fillim të vitit 2015, ka pasur një fluks masiv të kosovarëve drejt Evropës dhe në këtë drejtim më së shumti kanë qenë të goditur bizneset, ku në momentin kur punëtorët i kanë marrë pagat, 70 për qind e tyre kanë lëvizur drejt Evropës.

Shumëkush që i përcjell trendet në biznesin në Kosovë, e sheh që një ndër sfidat më të mëdha në Kosovë është fuqia punëtore e trajnuar dhe e edukuar.

Largimi nga Kosova i punëtorëve të trajnuar dhe edukuar mirë do të jetë diçka që nuk do t’i bëjë nder Kosovës dhe nuk do të jetë një shtyllë e përshpejtimit të zhvillimit ekonomik.

Radio Evropa e Lirë: Cilët janë të punësuarit potencial që mund të largohen?

Safet Gërxhaliu: Për momentin sektorët më të kërkuar që gjejnë punë në forma të ndryshme në Evropë është sektori i ndërtimtarisë, sektori i përpunimit të metaleve. Kosova në këtë drejtim ka një numër të vogël të saldueseve të certifikuar dhe kur kihet parasysh diskrepanca në të ardhurat mujore me siguri se do të jetë një sektor që do të ketë një lëvizje.

Po ashtu, në Kosovë është krijuar një traditë e përpunimit të drurit dhe mobileve, ku edhe në këtë sektor mund të ketë tentativa të këtyre punëtorëve të lëvizin drejt Evropës.

Po ashtu, në veçanti në Gjermani, ka nevojë për shërbime të motrave medicinale apo të punëtorëve në aspektin medicinal dhe edhe këtu do të ketë një tentativë për lëvizje drejt Evropës apo drejt atyre vendeve ku ka mundësi së paku të punohet për një periudhë tre mujore.

Radio Evropa e Lirë: Liberalizimi i vizave nuk mundëson punësim apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen. Çfarë duhet të bëhet që ky fluks i mundshëm i këtyre qytetarëve të ndalohet?

Safet Gërxhaliu: Duhet të kuptohet që liberalizimi i kosovarëve ka qenë një mollë e ndaluar dhe në këtë drejtim qytetarët tentojnë ta kenë atë që ka qenë e ndaluar. Me siguri që në aspektin kohor do të ketë lëvizje, do të ketë fluks, mirëpo edhe ata do ta shohin që është një rrugë e cila nuk garanton perspektivë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG