Partitë politike shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), nuk kanë deleguar anëtarë në këshillat zgjedhorë, në afatin që është mbyllur të enjten në mesnatë.
Me këtë, dy partitë kanë lënë të kuptohet se nuk janë të gatshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, më 5 qershor, duke e bërë kështu thuajse të pamundur mbajtjen e tyre në këtë datë.
Nga BDI-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se po vazhdojnë përpjekjet, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, për gjetjen e një zgjidhjeje për dalje nga kriza politike.
“Bisedimet për gjetjen e zgjidhjes po vazhdojnë. Ne mbetemi në qëndrimin se çdo zgjidhje, përfshirë edhe zgjedhjet, duhet të jetë e pranuehsme për të gjitha partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos për zgjidhjen e krizës politike”, ka thënë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, në një prononcim me shkrim.
Nga PDSH-ja që drejtohet nga Menduh Thaçi, nuk kanë prefereuar të flasin publikisht, por kanë bërë përsëritur qëndrimin e tyre se janë në kontakt të vazhdueshëm me bashkësinë ndërkombëtare dhe se do të mbështesin çdo rekomandin që do të vijë nga ana e tyre.
E ndërkohë nga bashkësia ndërkombëtare në disa raste kanë thënë se zgjedhje të besueshme nuk mund të ketë pa plotësimin e kushteve të parapara me marrëveshjen politike. Duke komentuar pozicionet e tilla të partive shqiptare, Stojan Andon, ish kryetar i Kuvendit thekson.
“Ky është një sinjal se këto dy parti nuk janë të interesuar për zgjedhjet e qershorit, por ky nuk është një vendim përfundimtar i tyre, pasi në zgjedhje ato mund të përfaqësohen nga këshillat zgjedhore të VMRO-së, apo të administratës, e cila plotëson vendet nëse partitë nuk delegojnë anëtarët e tyre".
"Por, shkuarja në zgjedhje vetëm e VMRO-së vlerësoj se nuk do të kishte kurrfarë rëndësie, pasi zgjedhjet e tilla nuk do të pranoheshin nga askush. Konsideroj se për momentin më të dëshpëruar nga e gjithë kjo është VMRO-ja, e cila po kërkon mënyra për dalë nga situata, apo për të përfituar sa më shumë në pozicione”, thotë Andov.
Nga Lidhja Social-Demokrate, kanë thënë se partitë po diskutojnë edhe datën e re të zgjedhjeve, por opozita ka kërkuar që ajo të jetë e kushtëzuar me plotësimit paraprakisht të kritereve tashmë të njohura për mbajtjen e tyre, si pastrimin e listës zgjedhore, reformat në media dhe ndarjen e partisë nga shteti. Ndërkohë, sa i përket vendimit të presidentit, Gjorge Ivanov për faljen e zyrtarëve të inkriminuar, nga opozita thonë se ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.
Por, dështimi eventual i zgjedhjeve ka hapur tashmë debatin se çfarë qeverie do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e ardhshme, kabineti i tanishëm qeveritar që drejtohet nga siç njihet kryeministri teknik, Emil Dimitriev, apo qeveria e mëparshme, siç përflitet se kërkojnë partitë në pushtet VMRO dhe BDI.
Njohësit e çështjeve politike thonë se një si njëra ashtu edhe përbërja tjetër, do të ndërlikonin edhe më shumë gjendjen andaj rekomandojnë formimin e një qeverie ekspertësh.
“Vlerësoj se ajo duhet të jetë një qeveri ekspertësh e cila do të funksiononte në bazë të ligjeve dhe që do të kishte mandat për të përgatitur vendin për zgjedhjet e ardhshme, pa marrë parasysh asnjë interes partiak apo individual”, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike.