Ndërlidhjet

Të burgosurit kërkojnë amnisti nga presidenti Ivanov


Shkup
Shkup

Të burgosurit në të gjitha burgjet e Maqedonisë, kanë nisur protestat në kërkim të uljes së dënimit nga presidenti Gjorge Ivanov. Bëhet fjalë për rreth 3 mijë të burgosur të cilët kanë ndërmarrë një hap të tillë pas vendimit të presidentit për të falur zyrtarët më të lartë shtetëror të akuzuar nga prokuroria speciale për vepra të ndryshme penale.

Menjëherë pas vendimit të presidentit, më 12 prill të këtij viti, për të amnistuar 56 zyrtarët të lartë, përfshirë ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, pastaj ministra dhe përfaqësues tjerë të ekzekutivit, të burgosurit kishin nisur me mbledhjen e nënshkrimeve duke kërkuar që edhe ata të përfshihen në vendimin për falje.

Por, edhe tri javë pas këtij vendimi ata nuk kanë marrë përgjigje nga presidenca, gjë që ka çuar në hapin e tyre të radhës, nisjen e protestave nëpër burgje.

Një e burgosur që për shkaqe sigurie nuk zbuloi identitetin e saj, i tha Radios Evropa e Lirë se është e padrejtë që ata të përjashtohen nga amnistia, ndërkohë që falen zyrtarë të lartë të akuzuar për vepra të rënda, si mashtrime zgjedhore, kriminalitet të rëndë financiar, presione dhe kurdisje të proceseve gjyqësore e vepra tjera.

“Presidenti Gjorge Ivanov ka falur zyrtarë të përfshirë në krime të rënda, por jo edhe ne që jemi dënuar për ndonjë kriminalitet të organizuar ekonomik, por edhe të dënuar me procese të montuar me nga 9...10 e më shumë vite burg. Jemi dëshmitar se si funksionon sistemi gjyqësor në vend, andaj edhe dyshojmë apo nuk u besojmë vendimeve që janë marrë".

"Ne nuk kërkojmë që menjëherë të dalim në liri, siç u veprua me politikanët që u liruan nga akuzat, por të paktën dënimi të na ulet në masën prej 30-50 për qind, ndërsa të dënuarit me burg të përjetshëm të kalojnë në dënim prej 15 vjet burg”, thotë e burgosura që vuan dënimin në një burg të Shkupit.

Me të burgosurit janë solidarizuar edhe familjarët e tyre jashtë hapësirave të burgjeve, ndërsa një nga avokatët e tyre, Zvonko Davidoviq, thotë se ata kanë të drejtën e faljes. Sipas tij, kur kjo i mundësohet politikanëve, pse të mos falen edhe të burgosurit e thjesht.

“Kur për ta vlen një rregull e tillë, pse të mos vlejë edhe për më të vegjlit, të cilët për dallim nga politikanët nuk kërkojnë që menjëherë të dalin jashtë, por t'u falet një pjesë e konsiderueshme e dënimit”, thotë Davidoviq.

Ndërkohë, të burgosurit thonë se nuk do të heqin dorë nga protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre, në të kundërtën nuk përjashtojnë mundësinë e radikalizimit të gjendjes.

“Mendoj se gjendja mund të radikalizohet. Ne ende jemi në negociata me burgjet tjera se çfarë masash do të ndërmarrim, por mendoj se do të bëhet keq pas nuk kemi mënyra tjera për të realizuar të drejtat tona”, thotë e burgosura.

Vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të falur zyrtarët e inkriminuar ka shkaktuar pakënaqësi të shumta ndërsa tani tre javë po kundërshtohet edhe me protesta nëpër shumë qytete të Maqedonisë.

Vendimi i presidentit është kritikuar ashpër edhe nga komuniteti ndërkombëtar duke e cilësuar atë si rrënues të sistemit të drejtësisë në vend dhe minim të punës së prokurorisë speciale, e cila në bazë të marrëveshjes politike po heton bisedat nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve që edhe ka shkaktuar krizën më të madhe politike në Maqedoni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG