Institucionet Publike Shëndetësore në Kosovë përballen me mungesë të ekspertëve shëndetësorë në lëmi të ndryshme. Marrëveshjet mes qendrave klinike botërore për të sjellë ekspertë shëndetësorë të huaj në Kosovë, ka bërë që nga përvojat që shkëmbehen, të përfitojnë si pacientët, ashtu edhe mjekët.
Kosova ka përfituar nga një bashkëpunim i tillë edhe nga Republika e Shqipërisë, duke bërë marrëveshje me kardiokirurgë, që të kryejnë operacione të hapura në zemër në Qendrën klinike Universitare, në mungesë të kardiokirurgëve kosovarë.
Por, edhe Kosova ofron ndihmë për shtetin shqiptar. Në spitalin e Bajram Currit në veri të Shqipërisë, nuk po mund të ofrohen shumë shërbime shëndetësore, andaj spitali i Gjakovës kryen shërbime për shtetasit e atjeshëm, duke ofruar ndihmë kryesisht emergjente dhe atë të hemodializës.
Ministri I Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tashmë është bërë marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë që disa mjekë nga spitali i Bajram Currit të marrin specializime në Kosovë në lëmi të ndryshme, për tu kthyer në vendin e tyre që tu ofrojnë ndihmë pacientëve.
“Shumë qytetarë të veriut të Shqipërisë marrin shërbime shëndetësore në Kosovë. është e theksuar urgjenca dhe hemodializa. Kur ne vizituam këtë spital në Bajram Curr, pamë që ka mungesë të mjekëve, për shkak të migrimit të mjekëve në vende tjera, por edhe pensionimit të mjekëve".
"Ishin të theksuara mungesat e specialistëve, andaj ne pamë mundësinë që doktorët nga Shqipëria të specializojnë në Kosovë. Ne do t’ua mundësojmë regjistrimin e specializimit në institucionet tona shëndetësore, dhe më pas të kthehen në vendet e tyre për të dhënë shërbime shëndetësore për qytetarët e veriut të Shqipërisë”, ka thënë Rrahmani.
Ndërkaq ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka thënë se fushat e bashkëpunimit sidomos në zonat kufitare janë shumë me interes.
Sipas tij, do të ketë shkëmbime të kurikulave midis universiteteve të Prishtinës dhe Tiranës për fakultetin e mjekësisë.
“Disa pika që janë me rëndësi të veçantë sidomos për rajonin ndërkufitar, Shqipëri-Kosovë në zonën e Tropojës, Hasit, Kukësit me Prizrenin dhe Gjakovën. Gjithashtu do shikohet mundësi për nënshkrimin e një marrëveshjeje për institutet Kombëtare të Shëndetit Publik dhe këto po bëhen për të krijuar diçka konkrete në lidhje me realizimin e marrëveshjeve që ato të jenë më efikase dhe të shërbejnë qëllimit të përbashkët”, ka thënë Minxhozi.
Por, si e shohin sindikalistët e shëndetësisë bashkëpunimin ndërshtetëror, si dhe mundësinë e mjekëve nga Shqipëria që të specializojnë në Kosovë? -
Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, mendon se është mirë që është hapur rruga e bashkëpunimit.
“Mendoj që duhet të hapet mundësia që edhe mjekët nga Kosova të shkojnë të specializojnë në Tiranë. Ministria e Shëndetësisë mendoj që duhet të krijoj kushte për mjekët e rinj të specializojnë, pasi që pas hulumtimit që ne kemi bërë mosha mesatare e mjekëve specialist ka ikur në 50 vjet. Kjo po bën që shumë lëmi të mbyllen, siç është spitali i Gjakovës, ku specialisti i ORL-së do të ikë në pension, derisa nuk ka se kush ta zëvendësojë”, ka theksuar Selmani.
Sipas zyrtarëve qeveritarë, është inkurajuese dhe motivuese dëshira dhe vullneti i mjekëve kosovarë që janë duke specializuar në Evropë dhe botë, e që shprehin dëshirë të kontribuojnë në Kosovë, derisa nga Kosova ka fluks të mjekëve që ikin jashtë shtetit.