Ndërlidhjet

Komandanti i ri i NATO-s: Gati të luftojmë me Rusinë


Gjenerali Curtis Scaparrotti
Gjenerali Curtis Scaparrotti

NATO-ja ka komandant të ri suprem, puna e të cilit është ta forcojë atë si aleancë mbrojtëse, pas viteve të reduktimit të trupave amerikane në Evropë.

“Përballemi me një Rusi të rigjallëruar dhe me sjelljen e saj agresive, e cila sfidon normat ndërkombëtare”, ka thënë gjenerali i ushtrisë amerikane, Curtis Scaparrotti, pasi ka marrë komandën e forcave të SHBA-së në Evropë.

Ai ka shtuar se forcat e aleancës atlantike duhet të jenë “gati për të luftuar nëse përmbajtja dështon”.

Scaparrotti është bërë komandant suprem për Evropën më 4 maj.

Emërimi i tij është bërë në kohën kur aleanca e konsideron Moskën si kërcënim për stabilitetin, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Scaparrotti ka thënë se do të kërkojë nga Uashingtoni që të stacionojë brigadën e tretë të përhershme të trupave amerikane në Evropë. Dy brigada aktualisht ndodhen në Gjermani dhe Itali.

Gjatë katër vjetëve të kaluar, Uashingtoni ka çaktivizuar dy brigada në Evropë për shkak të presioneve të buxhetit dhe kërcënimeve të reja në Lindjen e Mesme dhe Azi.

Sot, janë më pak se 65,000 ushtarë amerikanë, të stacionuar përgjithmonë në Evropë, nga afro 300,000 sa kanë qenë gjatë Luftës së Ftohtë.

Dëshira e Scaparrottit për më shumë trupa në Evropë i bën jehonë edhe qëndrimit të komandantit në largim të NATO-s, gjeneralit amerikan, Philip Breedlove.

Uashingtoni synon të sigurojë aleatët e NATO-s që janë të shqetësuar prejse Rusia ka anekuar Krimenë e Ukrainës në vitin 2014 dhe vazhdon të mbështesë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës. Ankthi nga Rusia mbetet veçanërisht i lartë në vendet baltike dhe në Poloni.

Dhe, sfidë e menjëhershme e Scaparrottit do të jetë përcaktimi i vijave të kuqe, përtej të cilave NATO nuk do të tolerojë ngacmimet nga forcat ruse.

Avionët luftarakë rusë, në mënyrë rutinore, fluturojnë pranë vendeve baltike dhe mbi Detin e Zi. Fluturimet e tilla kanë rritur shqetësimet se mund të vijë deri te konfrontimi i drejtpërdrejtë.

Scaparrotti, qysh në seancat dëgjimore të muajit të kaluar, u ka thënë senatorëve amerikanë se këto fluturime të Rusisë janë provokuese dhe të rrezikshme.

Ai ka thënë se Rusia duhet ta dijë se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin masa, nëse amerikanët rrezikohen.

Scaparrotti ka thënë se një nga detyrat e tij të para si komandant suprem i NATO-s do të jetë të rishikojë rregullat e angazhimit të SHBA-së dhe të forcave aleate në lidhje me atë se kur duhet të përgjigjen me forcë për të mbrojtur sigurinë e tyre.

Scaparrotti vjen në postin e lartë ushtarak të NATO-s pasi ka shërbyer si shef i forcave amerikane në Korenë e Jugut.

Para kësaj, ai ka shërbyer në Irak dhe në Afganistan.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG