Ndërlidhjet

Kriza politike “lë në harresë” çështjet e pazgjidhura shqiptare


Ilustrim
Ilustrim

Kriza politike në Maqedoni, e cila ka filluar që nga viti 2014, por që ka kulmuar vitin e kaluar me atë që njihet si aferë e përgjimeve, ka lënë anash shumë çështje tjera që ende nuk kanë marrë zgjidhje, në veçanti ato që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se në marrëveshjen politike ndërmjet katër partive, kanë arritur që të përfshijnë edhe dy pika të saj, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe vazhdimin e procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Por, sipas njohësve të çështjeve politike, përfshirja e këtyre dy pikave nuk ka ndryshuar realitetin. Madje me veprimet e fundit, partitë ia kanë humbur vlerën kësaj marrëveshjeje me faktin se nuk janë zbatuar pikat kryesore të saj për zgjidhjen e krizës.

Kjo dëshmohet me shtyrjen e zgjedhjeve që fillimisht ishin paraparë për më 24 prill, ndërkohë që pranë dështimit është edhe data tjetër e mbajtjes së zgjedhjeve më 5 qershor.

“Partitë shqiptare vlerësoj se nuk kanë arritur të poentojnë, edhe pse kanë pasur mundësinë që këtë krizë ta shfrytëzojnë që t'i vendosin në agjendë kërkesat e shqiptarëve”.

“Mendoj se në vijim, edhe nëse i humbin zgjedhjet, nuk është ndonjë humbje shumë e madhe, por të paktën t'i vendosin në agjendë disa pika për shkak se është momenti historik meqë faktori ndërkombëtar jo çdo herë do të merret me shqiptarët dhe maqedonasit, kështu që mendoj se është momenti që ata të veprojnë”, thotë Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Ai më tej sqaron çështjet që ende nuk kanë marrë zgjidhje edhe 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Nga marrëveshja kornizë e Ohrit, e cila është nënshkruar në Shkup, vlerësoj se anekset kryesore të saj nuk janë zbatuar. Gjuha shqipe duhej të ishte zyrtare në Maqedoni, çështje tjetër e pazgjidhur mendoj se është përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në institucione dhe çështja e buxhetit".

"Vlerësoj se duhet një ridefinim i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, si dhe të realizohet një regjistrim i popullsisë për të mësuar numrin real të shqiptarëve të Maqedonisë”, thekson Sinani.

Ai konsideron se ndoshta shqiptarët po lëshojnë edhe një rast për imponimin e zgjidhjes së këtyre çështjeve.

Albert Musliu, analist dhe drejtues i organizatës, Iniciativa Demokratike, thotë se partitë shqiptare kanë një shans, që modalitetin e funksionimit të Qeverisë së tanishme ta vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Në fakt, bëhet fjalë për rritjen e kompetencave të disa resorëve ministrorë, apo të zëvendësministrave, të cilët kanë të drejtën e vetos ndaj vendimeve të ministrave dhe anasjelltas.

Musliu thotë se shumë të drejta, partitë nuk kanë mundur t'i realizojnë pasi e drejta votimit të dyfishtë deri më tani është zbatuar vetëm në Kuvend.

“Mos të harrojmë se vetëm në Kuvend kemi instrumentin mbrojtës ndaj mbivotimit, ndërsa në Qeveri, në Gjyqësor, në Presidencë nuk kemi një mekanizëm të tillë".

"Mendoj se kjo që ka ndodhur tani është një argument plotësues edhe për subjektet politike shqiptare ndaj partmerëve të tyre edhe maqedonas, por edhe ndërkombëtarë, që disa mekanizma të mund t'i imponojnë edhe në qeverisjet e ardhshme”, vlerëson Musliu.

Marrëveshja politike ndërmjet katër partive e arritur në qershor të vitit të kaluar, parasheh zgjidhjen e krizës së rëndë politike pas publikimit nga ana e opozitës të bisedave të përgjuara të zyrtarëve.

Por, edhe një vit e gjysmë nga nënshkrimi i saj, palët jo që kanë arritur të kapërcejnë dallime, por ato janë thelluar edhe më shumë pas vendimit të presidentit, Gjorge Ivanov për faljen e zyrtarëve që ishin në shënjestër të Prokurorisë Speciale për mashtrime në zgjedhje dhe shpërdorime tjera.

Vendimi i tij tash e tri javë ka nxitur protesta të përditshme të shoqërisë civile, ku janë shënuar edhe incidente, përfshirë edhe demolimin e një zyre të presidentit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG