Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta politike në Kosovë, është konsideruar si një nga sfidat më të mëdha për organet e rendit dhe ato të drejtësisë.
Disa figura të jetës politike e publike, jo rrallë kanë zgjedhur edhe ikjen nga Kosova, menjëherë pas shpalljes së nisjes së hetimeve ndaj tyre apo edhe pas shpalljes së aktgjykimit. Këto raste, kryesisht kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe krim të organizuar.
Përfaqësues të shoqërisë civile, këtë e quajnë fenomen shqetësues, pasi sipas tyre, kjo po ndodh me ata qytetarë të cilët konsiderohen të fuqishëm në aspektin politik dhe atë biznesor.
Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se legjislacioni në fuqi po interpretohet në mënyra të ndryshme dhe pavarësisht proceseve gjyqësore që zhvillohen ndaj këtyre personave, gjendet një hapësirë kohore që t'ju mundësohet largimi nga Kosova.
“Këto raste bien në sy kur e kujtojmë zotin Xhabir Zharku, pastaj zonjën Leme Xhema dhe të tjerë dhe të cilët edhe pse janë dënuar më aktgjykim të formës se prerë kanë arritur që të bëjnë ‘fiskultura’ juridike përmes gjykatëseve të ndryshëm që t'i ikin drejtësisë dhe sot mos të vuajnë atë dënim për të cilin gjykata ka zhvilluar një proces gjyqësor”, tha Musliu.
Xhabir Zharku, ish kryetar i Komunës së Kaçanikut nga Partia Demokratike e Kosovës, vazhdon të qëndrojë në arrati, pasi në vitin 2011, ishte shpallur fajtor për një vepër penale duke iu shqiptuar dënim me tri vjet burgim.
Kurse, Leme Xhema, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Post Telekomit të Kosovës, në vitin 2008 ishte dënuar me tre vjet burg për përfitime të paligjshme. Por, e njëjta nuk ka qëndruar në burg duke braktisur Kosovën.
Po në lidhje me fenomenin e ikjes nga organet e ndjekjes penale, Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, për Radion Evropa e Lirë shprehet se ikja nga drejtësia e zyrtarëve publik është një veprim i rrezikshëm. Ky fenomen, sipas tij, mund të përhapet edhe nga personat tjerë që akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Ai përmend rastin e fundit të ikjes edhe të përfaqësueseve të kompanive private, të quajtur “Medicus”, ku pas shqiptimit të dënimit Lutfi Dervishi, me profesion doktor, ishte arratisur nga Kosova.
“Ata janë dënuar për krim të organizuar dhe për vepra shumë të rënda penale dhe ata kanë ikur prej vuajtjes se dënimit dhe gjykata nuk ka marrë ndonjë veprim për të parandaluar këtë”.
“Janë disa raste që kanë ndodhur të tilla dhe ende Gjykata dhe Policia e Kosovës nuk po ndërmerr hapa për të parandaluar këtë fenomen, duke marrë parasysh se po ndodh shpesh ky fenomen. Pra, më i marr dokumentet e udhëtimit, të dërgohen në paraburgim ose të obligohen që periodikisht të paraqiten në stacionet e policisë, në mënyrë që mos të ikin nga masa e burgimit”, thotë Demhasaj.
Ndërkaq, Betim Musliu, në anën tjetër, thotë se personat arratisur po strehohen në shtetet më të cilat Kosova nuk ka marrëveshje bashkëpunimi, deri në kohën e vjetërsisë se dënimit dhe pastaj kthen lirshëm në Kosovë.
“Atje ata qëndrojnë deri në afatin e vjetërsisë së dënimeve të tyre. në mënyrë që t’u mundësohet që të kthehen në Kosovë dhe lirshëm të jetojnë sikurse mos të ketë ndodhur asgjë”.
“Do të thotë, kjo është një dukuri tejet shqetësuese, pasi po krijon përmasa shumë të mëdha, sepse kjo po ndodh me ata qytetarë që konsiderohen të fuqishëm qoftë në aspektin e politikës apo edhe të biznesit”, thotë Musliu.
Por, nuk është vetëm Xhabir Zharku që ka probleme me organet e drejtësisë.
Disa kryetar të komunave të Kosovës dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk kanë përfillur ligjet e Kosovës, po ashtu.
Rasti i fundit është i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Azem Syla, i cili pas një hetimi ku dyshohet se ka qenë i përfshirë në një grup të madh të kriminal, pas qëndrimit dy ditorë jashtë Kosovës, mëgjithatë është kthyer dhe është dorëzuar tek organet e rendit.
Ndërkaq, pozitën e kryetarit të Komunës së Prizrenit vazhdon ta mbajë Ramadan Muja, edhe pse gjykata e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim dhe korrupsion në këtë komunë.