Ndërlidhjet

Fondi Garantues, “shpëtim” për bizneset në kredi


Ilustrim
Ilustrim

Fondi Kosovar për Garnatimin e Kredive i publikuar ditë më parë nga udhëheqës të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, thuhet se nga muaji i ardhshëm do fillojë të zbatohet.

Ky fond është thënë se do të krijojë ndërmarrje të reja dhe do gjenerojë vende të reja të punës, pasi që qëllim kryesor i tij është adresimi i problemeve që kanë bizneset në qasjen e financave.

Fondi, i cili ka rreth 18 milionë euro, llogaritet që në gjashtë vitet e para të rrisë mundësitë për kredi të reja në rreth 360 milionë euro, me të cilat mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja pune.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, tregojnë detaje se cilat kategori të bizneseve do të përfitojnë nga ky fond.

Vjollca Dibra, këshilltare për media dhe komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për Radion Evropa e Lirë, thotë se Fondi do të mbulojë 50 për qind të kolaterialit për bizneset përfituese. Kurse kërkesa në emër të ndërmarrjeve të caktuara bëhet nga bankat komerciale në adresë të Fondit.

Ajo konfirmon se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tashmë ka alokuar në këtë fond një milion euro, për vitin 2015.

Kurse nga buxheti i këtij viti është ndarë edhe një milion euro dhe është zotuar se një vlerë të ngjashme do të ndajë edhe për vitin 2017.

“Qëllimi i këtij Fondi është që të rritet mundësia e financimit për kategori të caktuara të bizneseve të cilat më herët e kanë pasur më të vështirë të marrin financim nga bankat komerciale që veprojnë në Kosovë. Në radhë të parë vlen shumë për bizneset e grave, fermerëve, prodhuesve vendor, por edhe për ndërmarrjet tjera që dëshirojnë të zgjerojnë biznesin ekzistues, por edhe për të filluar ndonjë biznes”, ka thënë Dibra për Radion Evropa e Lirë.

Edhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë e konsiderojnë lehtësim për bizneset Fondin Kosovar për Garanci Kreditore.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se normat e larta të interesit kanë qenë barrë për ndërmarrjet private. Ai madje thotë se në bazë të një studimi të kësaj aleance, 25 për qind e bizneseve të falimentuara, janë shuar për shkak të normave të larta të interesit për kredi.

“Do të ishte mirë që të subvencionohet interesi i kredive në raste të caktuara. Por, në raste të tjera të merret modaliteti nga shteti i Kroacisë, ku shumë bizneseve iu kanë hequr edhe kreditë e këqija. Dhe kjo do të kthente shpresën tek bizneset, sepse vitin e kaluar janë mbyllur mbi 2300 biznese dhe ne ende nuk e dimë arsyen e mbylljes. Por, po paragjykoj se një ndër arsyet ka qenë edhe interesi i lartë bankar”, ka thënë Shahini.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, Bedri Hamza, me rastin e publikimit, ka thënë se themelimi i këtij Fondi është inovacion për sektorin financiar, pasi shënon një kapitull të ri, në zhvillimin dhe lehtësimin për qasje në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.

“Tashmë janë të njohura sfidat më të cilat ballafaqohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për qasje në financim në njërën anë si dhe sfidat më të cilat ballafaqohen institucionet financiare gjatë vlerësimit të rrezikut për financimin e këtyre ndërmarrjeve, në anën tjetër”.

“Prandaj, nëpërmjet ofrimit të garancive kreditore , Fondi do të shërbejë si katalizator i fuqishëm në balancimin e këtyre sfidave duke përmirësuar qasjen ne financim për biznese”, ka thënë Hamza.

Ndryshe, Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive (FKGK), është një institucion vendor i pavarur dhe i qëndrueshëm, i cili do t’u lëshojë garanci të pjesshme të kredive institucioneve financiare.

Programi i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar në Kosovë (USAID), në partneritet me Qeverinë e Kosovës dhe donatorët tjerë, ka nisur themelimin e këtij institucioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG