Sejdi Thaçi, rreth 80 vjeç, nga Komuna e Klinës, është kthyer nga Serbia në Kosovë pas 17 vitesh, që kur konsiderohej person i zhdukur i luftës së fundit. Emri i tij, figuron edhe në listën e personave të pagjetur të luftës.Por, e vërteta doli se ai në fakt nuk ishte një nga personat e zhdukur të luftës.
Prenk Gjetaj, drejtues i këtij komisioni, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se më datë 18 prill, Thaçi është kthyer në shtëpi, por gjendja e tij shëndetësore ishte raportuar si jo e mirë.
Duke u bazuar në deklaratat e familjarëve, Gjetaj thotë se i kthyeri nuk di të tregojë se ku ka qëndruar në Serbi gjatë kësaj periudhe.
“Nuk di të tregojë se ku ka qenë dhe ku ka qëndruar. Ka treguar vetëm se ka ardhur nga Mitrovica me një taksi deri në fshatin ku ka jetuar”, ka thënë Gjetaj.
Emri i Sejdi Thaçit, figuron i zhdukur edhe në listën e Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, pasi vëllai i tij e ka paraqitur atë si të zhdukur.
Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Blakaj tregon se Sejdi Thaçi, në janar të vitit 1999 është ndarë nga vëllai i tij në qytetin e Pejës dhe që atëherë nuk ka pasur kontakte më familjarë.
“Deri më tani nuk ka pasur informacione se a ka qenë i arrestuar apo i vrarë, unë nuk jam i sigurt se Thaçi, ka qenë në burgjet e Serbisë”, ka deklaruar Blakaj.
Sejdi Thaçi, i cili ka qenë i pamartuar në Kosovë, në vitet e 90-ta ka jetuar dhe punuar në Serbi.
“Diku gjatë verës në vitin 1999 e tutje, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka pasur qasje në të gjitha burgjet e Serbisë. I ka evidentuar të gjithë shqiptarët që kanë qenë në ato burgje. Në vitin 2002 - 2003 ka qenë një proces amnistie dhe të gjithë ata janë liruar përpos disa që kanë qenë për vepra ordinere, do të thotë që nuk kanë qenë të arrestuar në lidhje më luftën”, ka theksuar Blakaj.
Për rastin e Sejdi Thaçit, për Radion Evropa e L irë, ka folur edhe nipi i tij, Hysen Thaçi.
Ai tregon se qe 17 vite nuk kanë pasur kontakt me xhaxhanë e tij Sejdi, kurse kthimin e tij e quan mrekullli.
“Deri më tash nuk kemi pasur asnjë informacion për agjën. Por, para një jave, ai është kthyer, kjo është mrekulli. Gjendja shëndetësore e tij, nuk është e mirë”, ka thënë Thaçi.
Prenk Gjetaj nga Komisioni qeveritar për personat e pagjetur të Kosovës, kërkon nga familjet e personave të pagjetur që këtë rast ta marrin me rezerva derisa të verifikohet nëse Thaçi ka qenë i burgosur apo ka qëndruar në ndonjë kamp.
“Derisa vërtetë të verifikohet se a ka qenë i burgosur në ndonjë kamp, apo a ka qenë i lirë, ose ku dhe si ka jetuar, duhet të merret rasti me rezerva. Është e vërtet se sipas informacioneve të familjes ai që nga viti 1992 ka qenë pensionsit i një kompanie të Beogradit. Tash të vërteten do ta hulumtojmë. Por, sigurisht që në raport me familje, kërkojë që të jenë të kujdesshëm, mos të bëhet zhurmë pa u vërtetuar rasti i vërtet i tij”, ka thënë Gjetaj.
Rasti i kthimit të tij në shtëpi pas 17 vitesh, ka nxitur reagime dhe huti e dilema në Kosovë. Aktualisht, llogaritet se ka edhe 1.666 persona të pagjetur të luftës.