Ndërlidhjet

Kosova sensibilizohet kundër ndotjes së mjedisit


Prishtina shënon Ditën e Tokës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:12 0:00

Prishtina shënon Ditën e Tokës

Në Ditën e Tokës, Kosova besohet se ka shumë arsye që ta ngritë vetëdijesimin e përgjithshëm për ruajtjen e mjedisit.

Në përgjithësi, Kosova vlerësohet se ka probleme të shumta mjedisore, qoftë sa i përket ndotjes së ajrit, ujit, e tokës, por edhe mbetjeve toksike nëpër zonat e kontaminuara nga plumbi, zinku e të ngjashme.

Në këtë ditë, e cila tashmë është bërë traditë të shënohet në Kosovë, si institucionet ashtu edhe shoqëria civile, kanë organizuar aktivitete, qofshin edhe simbolike, në përpjekje të sensibilizimit të opinionit.

Lorik Muçaj nga organizata "Green Art Center", e cila merret me mbrojtjen e mjedisit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se problemet kryesore që ndërlidhen me mjedisin në Kosovë, kanë të bëjnë me bashkëpunimin institucional dhe pengesat që ministritë e ndryshme i bëjnë njëra-tjetrës.

“Për shembull, Ministria e Mjedisit mundohet të zbatojë kontroll mbi emetimin e gazrave të auto-veturave, përderisa Ministria e Infrastrukturës e pengon atë. Gjithashtu vlen edhe për lejet mjedisore që kanë të bëjnë me nxjerrjen e zhavorrit".

"Agjencia mjedisore e vështirëson dhe e monitoron atë, ndërsa është departamenti i minierave ai që e lejon atë. Problem tjetër është menaxhimi i mbeturinave. Në Kosovë mungon stimulimi i procesit të riciklimit dhe si pasojë, po mbushen deponitë me mbeturina”, ka thënë Muçaj. .

Nga ndotja e ajrit, sipas hulumtimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bankës Botërore, del se mbi 800 vdekje të parakohshme ndodhin në Kosovë.

Por, çka mendojnë qytetarët për ambientin, dhe sa do të mund të kontribuonin ata në mbrojtjen e tij, ka folur nxënësja, A. Gashi nga shkolla fillore "Gjergj Fishta" në Prishtinë:

“Pasi që mjedisi është një pjesë elementare e jetës sonë dhe zhvillimit, atëherë asnjë nuk është i vogël që të kontribuojë në të. Kështu që ne, si shkollë, kemi marrë iniciativë që të krijojmë edhe Klubin e të gjelbërve, të përkujdesemi që t'i informojmë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, ashtu që ta ruajnë mjedisin. Gjithashtu, kemi pasur aktivitete, ku kemi mbjellë fidanë lule me qëllim që të kemi një mjedis sa më të pastër”.

Ndërkaq, zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mendim Rugova, ka përmendur disa nga ndotësit e mjedisit t, por edhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë më shumë kujdes.

“Shënimi i kësaj date është apel për mbrojtjen e mjedisit nga faktorët që ndikojnë negativisht në jetën në tokë. Nëse i referohemi problemit të tokës, problemet adresohen me çështjet që lidhen me ndotjen e tokës, erozioni i shkaktuar nga shfrytëzimet masive, ndotja nga industritë kimike, ndotja nga kemikalet nga fermerët etj”, ka thënë Rugova.

Ndonëse në Kosovë nuk është bërë ndonjë hulumtim për nivelin e ndotjes, zyrtarë që merren me këtë problematikë thonë se vendi po ballafaqohet me probleme të jashtëzakonshme mjedisore.

Por, gjithashtu, u bëhet thirrje edhe qytetarëve që të përkrahin çdo nismë qytetare, që përmirëson mjedisin, gjelbërimin dhe gjendjen mjedisore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG