Ndërlidhjet

Shumëfishimi i mekanizmave, mundësi për të fshehur veprimet korruptive


llustrim
llustrim

Mungesa e përkushtimit të institucioneve kompetente, mbivendosja e mekanizmave në luftën kundër korrupsionit dhe sistemi i dobët i drejtësisë janë tre faktorët kryesore që ndikojnë në shkallën e lartë të korrupsionit në Kosovë, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Ismet Kryeziu, udhëheqës i Institutit Demokratik të Kosovës, ka thënë se në Kosovë janë ndërtuar mbi 5000 mekanizma që kanë për qëllim luftimin kundër korrupsionit.

Ndërtimi i një numri kaq të madh të mekanizmave, ka nënvizuar ai, më shumë është bërë për shkaqe deklarative dhe për t’i ikur luftimit të kësaj dukurie sesa që kishte si qëllim goditjen e korrupsionit.

Këto komente ai i ka bërë në një konferencë të organizuar nga ky institut rreth “mekanizmave institucional për luftimin e korrupsionit”.

Sipas tij, angazhimi i liderëve politik për të luftuar korrupsionin është më tepër deklarativ se sa përkushtim.

“Tendenca e themelimit të iniciativave dhe mekanizmave, në vend që të forcohen ato ekzistuese është më tepër mundësi për të fshehur veprimet korruptive para këtyre mekanizmave se sa të përballen më korrupsionin. Prandaj kjo analizë politike u referohet alternativave, për të thjeshtësuar mekanizmat aktual në luftën kundër korrupsionit dhe si rezultat i thjeshtësimit të këtyre mekanizmave të ndërtohen institucione më të fuqishme dhe më efikase në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Kryeziu.

Korrupsioni endemik në qeveri dhe në sektorin privat, si dhe mungesa e ndëshkimit për vepra korruptive, ka qenë një problem i madh i të drejtave të njeriut, thuhet edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në vitin e kaluar.

Sokol Havolli, shef i kabinetit dhe këshilltar për ekonomi në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për luftimin e korrupsionit.

Por, sipas tij, çështja e korrupsionit nuk duhet të mbetet në vullnetin politik, por këtë duhet të shtyjë përpara prokuroria dhe institucionet e pavarura që janë të thirrura për të luftuar dhe dënuar këtë dukuri negative.

“Qeveria e Kosovës natyrisht se ka marrë disa hapa konkret gjatë kësaj pjesë të mandatit me qëllim që të evitohet, zvogëlohet dhe të ketë rezultate më pozitive në aspekt të parandalimit të korrupsionit. Do t'i përmend disa prej tyre, përfshirë edhe ndryshimet e disa aspekteve legjislative deri në Kushtetutë për të siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor në Kosovë”, ka thënë Havolli.

Kurse Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se edhe 17 vite pas luftës, ende nuk ka ndonjë nismë serioze sa i përket institucioneve qendrore që të ndërmarrin hapa për të luftuar krimin ekonomik dhe korrupsionin.

“Kapja e institucioneve të drejtësisë është një prej problemeve që kanë shkaktuar që institucionet e drejtësisë të jenë jo të afta të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ne jemi dëshmitar që gjyqtarët dhe prokurorët ndoshta lëndët që i adresojnë përpara i dërgojnë përmes telefonave apo thirrjeve publike siç kanë ndodhur në të kaluarën. Mirëpo edhe pse janë më qindra raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit të “ jakave të bardha”, sepse këtu është problemi më i madh”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Programi Për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) të premten ka filluar fushatën vetëdijësuese kundër korrupsionit.

Qëllimi i fushatës, siç thuhet në komunikatë, është që të informojë qytetarët rreth rolit të institucioneve kundër korrupsion dhe të i nxisë qytetarët që të raportojnë rastet e korrupsionit në numrin falas të Agjencisë Kundër Korrupsion.

Organizata të ndryshme vendore edhe ndërkombëtare, në hulumtimet që kanë bërë për vite me radhë, kanë treguar se perceptimi për korrupsionin në Kosovë është i lartë dhe i përhapur në pothuajse të gjitha institucionet.

Por, institucionet e Kosovës përsërisin në vazhdimësi se lufta kundër korrupsionit është prioritet, mirëpo, siç thuhet, "lufta ka qenë e padukshme".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG