Ndërlidhjet

Erdogani dhe mentaliteti i tij i sulltanit


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Kritikët shpesh thonë se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka mentalitet të sulltanit, për shkak se nuk toleron kritika dhe burgos gazetarë.

Së voni, ai ka kërkuar nga Berlini të përdorë një ligj të vjetruar, për të ndjekur penalisht një komik gjerman, i cili e ka tallur atë. Ky ligj ndalon qytetarët të fyejnë udhëheqësit e huaj.

Në programin e tij, më 31 mars, komiku televiziv, Jan Boehmermann, ka lexuar një poezi, duke e quajtur Erdoganin “idiot profesionist” dhe duke thënë se “ai ka pasur marrëdhënie seksuale me kafshë”.

Lideri turk ka kërkuar që Zyra e Jashtme gjermane ta dërgojë Boehmermannin në gjykatë, në bazë të pikës 103 të kodit penal të Gjermanisë, e cila rrallë aplikohet.

Klauzola pak e njohur, e cila parasheh dënim me burg deri në pesë vjet, daton nga koha kur monarkët e Evropës ndëshkonin njerëzit që sulmonin dinjitetin e tyre personal. Kërkesa e Erdoganit për ta aplikuar atë, e ka nxjerrë ligjin nga errësira. Ligji tani është bërë një tjetër sfidë për kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila veçmë është e shqetësuar me krizën e borxhit grek, krizën me migrantë dhe daljen e mundshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Ligji i ka rrënjët në kodin ligjor të Prusisë, të vitit 1794, i cili ka ndaluar sulmet në personalitetin ose nderin e sundimtarëve të huaj, thotë Holger Heinen, avokat që e ka studiuar këtë ligj për tezën e tij të doktoraturës.

Ai shpjegon se një nen në kodin ligjor prusian thotë se secili që ofendon një udhëheqës të huaj ose një ambasador duhet të trajtohet si kriminel, sepse ofendimet e tilla mund të bëhen pretekst i një fuqie të huaj për të nisur hakmarrje kundër Prusisë.

Ky lloj krimi ka humbur kuptimin me kohë, pasi Evropa ka zhvilluar demokraci parlamnetare. Por, neni prapëseprapë është përfshirë në kodin ligjor gjerman, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 1871.

Prej atëherë, në këtë ligj janë thirrur herë pas here, por ai rrallë është aplikuar.

Në një rast, shahu i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i ka kërkuar Gjermanisë Perëndimore të përdorë klauzolën 103 për të ndëshkuar protestuesit, që janë mbledhur gjatë vizitës së tij në Berlinin Perëndimor më 1967 – protesta në të cilat një student është vrarë nga policia. Por, Shahu ka hedhur poshtë kërkesën e tij pas një vizite pajtuese nga ministri i Brendshëm gjerman në Teheran.

Në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë kërkuar nga Qeveria e Gjermaisë të ndjekë penalisht një pronar dyqani në qendër të qytetit Marburg, i cili e ka quajtur “terrorist shtetëror” presidentin e atëhershëm amerikan, George Bush. Por, Zyra e Prokurorit në Frankfurt ka vendosur se deklaratat e pronarit të dyqanit nuk përbëjnë vepër penale.

“Klauzola kurrë nuk ka pasur rëndësi të madhe prakitike”, thotë avokati Heinen.

Tani shtrohet pyetja nëse ankesa e Erdoganit mund të bëhet përjashtim.

Partneriteti i kancelares gjermane, Merkel, me Erdoganin në çështjen e migrantëve është kritikuar për shkak të mosrespektimit të të drejtave të njeriut nga autoritetet turke. Tani, Merkel duhet të vendosë nëse do të çojë përpara kërkesën e Erdoganit në Ministrinë e Drejtësisë të Gjermanisë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG