Ndërlidhjet

Mos u mbështetni në ndihmën e Rusisë, nëse qëllimi është mposhtja e IS-it


Luftëtarë të Frontit Al-Nusra
Luftëtarë të Frontit Al-Nusra

Nga James Miller

Gjatë 45 ditëve të fundit në Siri kanë ndodhur tri zhvillime historike: shpallja e armëpushimit nga ana e presidentit, Bashar al-Assad, dhe pjesa më e madhe e grupeve joxhihadiste të opozitës siriane, pastaj vendimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se forcat e Rusisë do ta fillojnë tërheqjen e pjesërishme nga Siria, si dhe zhvillimi i fundit historik, që ishte rimarrja nga ana e forcave qeveritare e qytetit Palmira, i cili ishte okupuar nga ekstremistët e Shtetit Islamik (IS), gjatë pjesës më të madhe të vitit të kaluar.

Secila nga këto ngjarje mund të ketë ndikim të rëndësishëm në përpjekjet kolektive për ta luftuar IS-in, por secila nga ato është e mjegulluar me mite, shtrembërime dhe premtime të rrejshme.

Në kohën kur liderët botërorë po debatojnë për hapat e ardhshëm për zgjidhjen e krizës në Siri, dhe kur fokusi i opinionit në IS mund të zbehet për shkak të harresës eventuale të sulmeve në Bruksel, më 22 mars, nga ky grup ekstremist, një sasi e konsiderueshme e dezinformatave për ngjarjet aktuale të Sirisë mund të sugjerojnë se përpjekjet më të mira të komunitetit ndërkombëtar janë vetëm kullë prej letrave.

A po e lufton Rusia terrorizmin?

Premtimet e bëra në Moskë, Damask dhe Teheran, janë të tilla se armëpushimi i suksesshëm në Siri do të lejojë që forcat e Assadit të koncentrohen në përpjekjet kundër IS-it. Nuk është rastësi se pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, caqet e para të koalicionit për Assadin, ku përfshihen komandosët e Gardës Revolucionare të Iranit, luftëtarët e Hezbollahut, milicitë shiite të Irakut, kontraktorët ushtarakë privatë rusë dhe natyrisht, njësitë ajrore dhe tokësore ruse, ishin caqet e IS-it në Alepo, e pastaj në Palmira.

Këto përpjekje dukeshin sikur vala e parë e fushatës së re kundër IS-it.

Por, realiteti është se Rusia dhe Assadi tashmë kanë lëvizur në qëllimet e tjera, që nuk kanë asgjë të përbashkët me synimin që t’i shkaktohet disfatë ekstremizmit islamik dhe, faktikisht, mund t’i forcojnë terroristët.

Menjëherë pas fitores së qeverisë së Sirisë kundër IS-it në Palmirë, është bërë analizë e gjërë e aksioneve të Rusisë në Siri, që tregojnë se faktet në terren e përgënjeshtrojnë rrëfimin se Rusia po e lufton terrorizmin. Para se Putini të shpall arritjen e qëllimit të misionit në Siri, fushata e bombardimeve ajrore e Rusisë ua ka thyer kurrizin grupeve kryengritëse që mbështeten nga perëndimi. Gati 80-90% të sulmeve ajrore i kanë goditur territoret ku grupi ekstremist, Shteti Islamik, nuk e ka kontrollin.

Këto sulme ajrore ishin funksionale dhe menjëherë pasi Putini e shpalli tërheqjen e pjesërishme, ai i nxiti grupet kryesore kryengritëse joxhihadiste ta pranojnë armëpushimin. Por, gjatë periudhës së bombardimeve intensive ruse, lutëtarët e IS-it krijuan avancim ndaj kryengritësve të dobësuar dhe i lansuan ofensivat e tyre, veçanërisht afër Alepos.

Pikëpamja se presidenti sirian, Bashar al-Assad, dhe ai rus, Vladimir Putin, e kanë ndërmarrë këtë fushatë për ta ndihmuar ekzistencën e qeverisë së Assadit, e jo për ta luftuar terrorizmin, është njëri nga konstatimet që del nga observimi pesëvjeçar i aksioneve të regjimit të Sirisë dhe aleatit të tij Rusisë. Nëse ky konstatim do të dukej i guximshëm që të bëhej menjëherë pas fushatës së suksesshme për rimarrjen e territorit nga IS-i, zhvillimet që kanë ndodhur prej atëherë sugjerojnë se ky konkludim ishte i drejtë.

Bazat e IS-it janë injoruar nga Rusia dhe Assadi

Me gjasë, ne do të shohim vazhdimin e luftës ndërmjet forcave të Assadit dhe IS-it në të ardhmen e afërt, pasi IS-i ende e ka nën kontroll territorin ndërmjet Damaskut dhe Palmirës, që është i rëndësisë madhore për linjat e furnizimit qeveritar.

Këto janë beteja për përfitime në territorin që nuk ka rëndësi qendrore për operacionet e grupit ekstremist, Shteti Islamik. Pjesa kryesore e tokës së IS-it në verilindje të Sirisë, në masë të madhe, është injoruar nga Rusia dhe regjimi i Assadit.

E gjithë kjo po ndodhë në kohën kur janë krijuar mundësi të reja për luftimin e ekstremizmit. Prej vitit 2013, derisa fushata brutale e Assadit kundër popullit të Sirisë e kishte arritur kulmin e saj, aktivistët për demokraci dhe grupet kryengritëse joxhihadiste para vetes e kanë pasur një zgjedhje jo të favorshme: të luftojnë kundër Assadit dhe ekstremizmit religjioz ose në një mënyrë të pranojnë se një pozicion i tillë është krejtësisht i paqëndrueshëm.

Aleancat jo të lehta dhe moralisht sfiduese nuk paraqesin asgjë të re, por për sirianët që i marrin këto vendime, armiku i armikut të tyre zakonisht është dikush që tash po e imponon vullnetin e vet në popullin brenda territorit që e ka nën kontroll. Veçanërisht në pjesë të provincave Idlib dhe Alepo, bile edhe në hapësirat ku IS-i ishte përzënë ushtarakisht nga banorët lokalë në vitin 2014, Fronti Al-Nusra ka prani madhore.

Por, kjo dinamikë mund të ndryshojë. Menjëherë pasi ka filluar armëpushimi në Siri, aktivistët përsëri kanë dalur në rrugë për të protestuar kundër Assadit. Në vendin Maarrat al Nouman, që është udhëkryq ndërmjet provincave Idlib dhe Hama, mbështetësit e Ushtrisë së Lirë të Sirisë, që është sekulare, janë përleshur me pjesëtarët e Fronit Al-Nusra. Prej këtyre përleshjeve ka pasur kundërshtim të rëndësishëm kundër Frontit Al-Nusra, ndërsa disa figura të njohura hapur e kanë kritikuar këtë grup.

Betejat ideologjike që praktikisht ishin lënë anash, meqë prioritet ishte lufta për mbijetesë, tash po rishfaqen përsëri, por Rusia dhe Assadi me bomba po votojnë për kandidatët e tyre në këtë garë.

Si të luftohet flamuri i zi i IS-it?

Pas sulmeve të tmerrshme në Paris, Bruksel dhe gjetkë, në gjithë botën mbretëron një gjendje urgjente për diskutim se si të luftohet më së miri kundër flamurit të zi të IS-it. Por, në këtë botë që pothuajse është e lodhur nga luftërat në Afganistan dhe Irak, fuqitë globale po synojnë t’i ndihmojnë ata që janë favoritë të jashtëm në këtë luftë. Për shembull, administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, i ka mbështetur grupet e milicisë kurde në pjesën veriore të Sirisë në luftën kundër IS-it dhe i ndihmon ata me mbështetje ajrore dhe armatim. Kjo i ka pasojat e veta gjeopolitike që shkojnë përtej luftës kundër terrorit, por deri tash ishte efektive, së paku në rimarrjen e një pjese të territorit nga ekstremistët e IS-it.

Disa mendojnë se mbështetja më e madhe për kryengritësit sirianë, që nuk janë të lidhur me IS-in, do të jetë më efektive.

Më 7 prill, grupet kryengritëse e morën kontrollin në qytetin verior, Al-Rai nga IS-i, por pas 4 ditëve militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik, i dëbuan ata dhe e rimorën kontrollin në këtë qytet, që është vija kryesore e furnizimit ndërmjet Turqisë dhe kryengritësve.

Ka edhe të atillë që besojnë se Turqia ose Jordania duhet ta marrin rolin udhëheqës, ndërsa të tjerët janë më skeptikë për këto zgjidhje dhe besojnë se intervenimi perëndimor është e vetmja mënyrë e sigurt për t’i shkaktuar disfatë terrorizmit që buron nga Siria.

Ka edhe njerëz që konsiderojnë se Assadi dhe aleatët e tij në Rusi, Iran, Liban dhe Irak, janë të vetmit që mund ta ripërtrijnë rregullin në Siri.

Por, shumica e këtyre opsioneve e përjshtojnë njëra-tjetrën dhe pjesa më e madhe e tyre duket se janë larg nga realiteti në terren në Siri.

Njëherësh, asgjë nuk është më e qartë se diskutimet për rolin e regjimit të Sirisë në këtë konflikt.

Qeveria e Sirisë ka krijuar ambient për radikalizim

Faktet janë të qarta, dhuna e sjellur në Siri nga qeveria e Sirisë, që ka filluar më tepër se dy vjet para se IS-i të kishte prani në Siri, ka krijuar ambient në të cilin ka lulëzuar radikalizmi.

Në rastin më të mirë, disfata e IS-it nuk është qëllim i Assadit dhe aleatëve të tij, megjithqë ata i luftojnë grupet terroriste kur kjo u konvenon.

Në rastin më të keq, aksionet e qeverisë dhe të aleatëve të saj, e kanë mundësuar aktivizimin e grupeve sikur IS-i dhe Fronti Al-Nusra, duke u dhënë goditje serioze forcave që në të kaluarën kanë luftuar kundër IS-it.

Çdo strategji për t’i shkaktuar disfatë Shtetit Islamik, që nuk i pranon këto fakte, është kullë prej letrave.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG