Ndërlidhjet

Rritja e tashme ekonomike nuk e zbut varfërinë në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Rritja ekonomike gjatë këtij viti në Republikën e Kosovës, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, pritet të arrijë deri në 3.7 për qind.

Por, ky nivel i rritjes, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk mund të sigurojë zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies sociale, ngase baza e rritjes ekonomike prej tre për qind në Kosovë është shumë e ulët.

Rritja ekonomike, nënkupton rritjen e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit.

Eksperti i ekonomisë Naim Gashi, konsideron se kjo rritje vjetore prej rreth katër për qind është relativisht solide. Sidoqoftë, ai thotë se efektet kryesore që kanë reflektuar në këtë rritje, janë ndryshimet në politikat fiskale, kryesisht në heqjen e taksave doganore për makineri dhe teknologji.

“Kjo ka ndikuar drejtpërdrejtë që të ketë një përmirësim edhe në prodhimtarinë e brendshme, por edhe të plotësimit të tregut të Kosovës me produkte vendore”.

“Megjithatë, unë mendoj se krahasuar me vendet e rajonit, kjo është një rritje relativisht solide e cila tregon se të gjithë parametrat makro-ekonomik, siç janë konsumi, buxheti i shtetit dhe prodhimtaria e brendshme, kanë një trend pozitiv”, ka thënë Gashi.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Samir Krasniqi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se rritja ekonomike vjetore për 3.7 për qind në rrethanat aktuale mund të arrihet, por është e pamjaftueshme.

“Me këtë rritje nuk mund të jetë i kënaqur dhe të krenohet askush, sepse rritja prej 3.7 për qind nga një buxhet që ka Kosova, është shumë e vogël dhe e pamjaftueshme për mirëqenien e qytetarit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Kjo është vetëm një vazhdimësi e asaj që kemi pasur gjatë viteve të kaluara dhe nuk garanton një hapjen e vendeve të reja të punës dhe as ulje të varfërisë”, thekson Krasniqi.

Në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për vitet 2016-2021, të aprovuar nga Qeveria e Kosovës, thuhet se kryefjala e strategjisë, është rritja ekonomike në funksion të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, si dhe për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm.

Nga autoritetet komptente në Kosovë, konsumi, rritja e investimeve të jashtme, remitencat, llogariten se do të kenë kontributin kryesor në rritjen ekonomike.

Por, sipas ekspertëve të ekonomisë, një përmirësim i mundshëm ekonomik në Kosovë mund të ndodh vetëm pasi rritja ekonomike vjetore të arrijë mbi tetë për qind.

Naim Gashi, thotë se duke marrë parasysh numrin e madh të të rinjve që hyjnë për çdo vit në tregun e punës, niveli i rritjes 3.7 për qind është i pamjaftueshëm.

“Që Kosova të frenojë thellimin e hendekut të papunësisë, i nevojitet një rritje ekonomike prej 7 deri në 8 për qind, e që është shumë vështirë të arrihet”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Por, për të pasur një rritje ekonomike mbi tetë për qind, Samir Krasniqi, shprehet se Qeveria e Kosovës duhet të orientohet në stimulimin e prodhimit vendor në mënyrë që të rritet eksporti i produkteve vendore dhe të zvogëlohet importi.

“Duhet fokusuar që të merren hapa konkret që të stimulohet prodhimi vendor, që të rriten kapacitetet prodhuese, që të shtohen prodhimtari të reja dhe në këtë mënyrë mund të shtohen edhe vendet e reja të punës dhe është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit”, thotë Krasniqi.

Ndryshe, sipas prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Evropën Juglindore të Bankës Botërore, rritja ekonomike në vendet e Evropës Juglindore në vitin 2015 vlerësohet të jetë mesatarisht 2.1 për qind. Kurse norma mesatare e papunësisë në rajon, mbetet jashtëzakonisht e lartë me mbi 21 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG