Ndërlidhjet

Jahjaga, presidentja e imazhit të Kosovës


Presidentja e deritashme e Kosovës Atifete Jahjaga, nga analistë të çështjeve politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, po vlerësohet për përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare, përmirësim të imazhit të Kosovës në botë, por që nuk arriti të bëjë reforma substanciale brenda vendit.

Pesë vite më parë, Atifete Jahjaga ishte bërë presidentja e parë femër e Kosovës, kandidimi i së cilës për postin e presidentit të vendit buroi nga marrëveshja ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës Kosova e Re, ndërmjetësuar nga ambasadori i atëhershëm amerikan në Prishtinë, Christofer Dell.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka bërë një përfaqësim mjaft të mirë në arenën ndërkombëtarë, por që një përfaqësim të tillë nuk kishte arritur ta bënte edhe brenda Kosovës.

“Presidentja Atifete Jahjaga në përfaqësimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në forume të ndryshme evropiane, në veçanti në SHBA, ka ngritur imazhin Republikës së Kosovës, mirëpo sa i përket funksionimit të saj brenda vendit si unifikuese e popullit dhe garantuese e institucioneve demokratike, ajo nuk mbahet në mend për asgjë. Përkundrazi ajo ka legjitimuar një keqqeverisje”, vlerëson Matoshi

Ndikimi i presidentes Jahjaga, jashtë kufijve ishte çmuar edhe nga ndërkombëtarët.

Në shtator të vitit 2014, ajo pati pranuar Çmimin për Promovim të Paqes nga Iniciativa Globale Clinton.

Presidentja Jahjaga, ishte ftuar në të gjitha Samitet, ku bënin pjesë shtetet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, ndërsa në Samitin e vetëm që nuk ishte ftuar, ishte ai në Ohër të Maqedonisë, në maj të vitit 2013.

Por, me gjithë sukseset që iu njohën në arenën ndërkombëtare, sa u përket politikave të brendshme, analistët vlerësojnë se presidentja Jahjaga nuk ka iniciuar ndonjë reformë substanciale në të mirë të vendit.

Publicisti Halil Matoshi, duke folur për krizën politike që kaloi Kosovë gjatë kohës kur Atifete Jahjaga ishte në krye të shtetit, thotë që kjo e fundit, nuk arriti të tejkalojë problemet më të cilat përballej skena politike.

“Në kulimin e mandatit të saj, para dy viteve ka ardhur deri tek kriza institucionale gjashtë mujore, pastaj ndërtohet qeveria e re, fillon prapë kriza, protesta, dhe presidentja nuk mundi që t’i ulë tensionet në mënyrë që të ketë funksionim demokratik të institucioneve të vendit”, shton Matoshi.

Gjatë mandatit pesë vjeçar, presidentja Jahjaga nuk ishte përfolur përasnjë aferë korruptive dhe as keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Si një personalitet që kishte ardhur nga hierarkika e Policisë së Kosovës, ajo ishte e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe në ndërtimin e një sistem të pavarur të drejtësisë, në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të shtetit ligjor.

Ajo çfarë e karakterizoi presidenten Jahjaga, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, thuhet të ishte zëri i grave të cilat ishin viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Jahjaga themeloi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale ku edhe ishte kryesuese e këtij Këshilli.

Përveç, kësaj ajo kërkojë ndihmë nga ndërkombëtarët që kriminelët e këtyre veprave të ndiqen edhe penalisht.

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, thotë se presidentja Jahjaga, gjatë mandatit të saj bëri kthesë historike për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Për herë të parë është arritur që çështja e këtyre vikamave të vihet në agjendë shtetërore. Presidentja përmes Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale ka arritur të përshpejtojë njohjes e statusit të viktimave të dhunës seksuale, të fuqizohet rehabilitimi i këtyre viktimave, të ndërkombëtarizohet si çështje”, thotë Rushiti.

Radio Evropa e Lirë ka marrë edhe mendimet e disa qytetarëve të Kosovës, për rolin e presidentes Jahjaga gjatë mandatit të saj pesë vjeçar.

Isuf Gashi, rreth të 50-tave thotë të jetë i kënaqur me punën që presidentja e Kosovës ka bërë për qytetarët e vendit.

“Ne jemi të kënaqur me punën e saj, ajo ka kontribuar për Kosovën aq sa ka mundur. Ne do të ja vazhdonim mandatin edhe për pesë vite tjera. Ajo nuk ka qenë e korruptuar”, thotë ai.

Derisa, Njaziu një qytetar tjetër nga Prishtina, mendon se presidentja Jahjaga është dashur të bëjë një luftë më të ashpër kundër korrupsionit.

“Është dashur të merr vendime më të prera, i ka zhargitur disa vendime. Ajo nisi me luftimin e korrupsionit, por nuk ka arritur asnjë rezultat në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, është dashur të jetë më e fuqishme në këtë fushë”, shton ai.

Ndërkaq, për pensionistin Haki Makolli, presidentja Jahjaga, do të jetë njëra nga presidentet që punoi më së miri për vendin.

“Jemi të kënaqur me punën e saj. Ka bërë sa ka mundur. Ajo punoi drejtë”, thotë ai.

Presidentja e deritashme Atifete Jahjaga e ka dorëzuar të enjten detyrën tek pasardhësi i saj Hashim Thaçi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG