Ndërlidhjet

Shqipëria në “Panama Papers”


Ilustrim
Ilustrim

Shqipëria është përfshirë në megaskandalin “Panama Papers”, i cili është raport i gazetarëve investigativë, që shfaq korrupsionin në dhjetëra vende të botës duke përfshirë edhe liderë botërorë.

Sipas medias shqiptare që u referohet dokumenteve të “Panama Papers”, në skandal janë përfshirë 25 persona dhe 2 kompani nga Shqipëria.

Nga të dhënat rezulton se 3 persona kane qenë përfitues të ardhurash nga kompanitë fiktive në Shqipëri. Po ashtu, 22 persona të tjerë janë pjesë e këtyre kompanive.

Njëra prej kompanive mbi të cilën është hedhur dritë deri tani është “GFI Technologies”, e cila ka si partnerë Assaf Halkinin - avokat izraelit, Isamil Mulletin, sipërmarrës shqiptar, dhe kompaninë kanadeze “Global Fluids International S.A”.

Kjo kompani përmendet nga gazeta izraelite Haaretz, e cila ishte pjesë e rrjetit të investigimit mediatik për raportin "Panama Papers".

Kompania është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në Shqipëri si “GFI Albania” dhe fitoi koncensionin për markimin e karburanteve që në vitin 2013.

Sipas burimeve mediatike, në muajin shtator te vitit 2015, disa transaksione brenda kompanisë ngritën pikëpyetje të mëdha. Aksioneri më i madh i kompanisë, i shiti aksionet tek kompania ortake shqiptare.

Në fillim të shtatorit, “Global Fluids International S.A. (GFI)”, transferoi pothuajse të gjitha kuotat që kishte te GFI Albania, te aksioneri i dytë “Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP)”, i cili kishte fillimisht 25% të kuotave.

Transaksioni ngriti dyshime pasi koncesioni iu dha kompanisë në vitin 2013 , me argumentin se “Global Fluids” ishte kompani e specializuar në këtë fushë, ndaj largimi i saj 2 vjet më vonë dhe shitja e aksioneve tek partneri shqiptar, nuk kaloi pa u vënë re.

Me procesin e markimit, çmimi i karburantit në vend vlerësohet të jetë të paktën 2 lekë më shtrenjtë.

GFI Albania, nëpërmjet një kontrate 10-vjeçare që kushton 150 milionë euro, duhej të ngjyroste naftën (procesi i markimit të karburantit), në përputhje me qëllimin e përdorimit, eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund shmangien e taksave të larta për konsumatorin.

Shoqata e Hidrokarbureve në Shqipëri, ka qenë kritike ndaj veprimtarisë së kompanisë "GFI Albania" dhe i është drejtuar Ministrisë së Financave me ankesa shkresore për aktivitetin e kësaj kompanie.

Deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga përfaqësuesit e kompanisë "GFI Albania" për përmendjen e saj në dokumentet e publikuara në raportin “Panama Papers”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG