Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka deklaruar të papranueshme kërkesën e partive opozitare në lidhje me pretendimin e tyre se zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e presidentit të Kosovës, nuk kishte përfillur dispozitat kushtetuese.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, janë refuzuar po ashtu edhe kërkesat e opozitës për masë të përkohshme dhe kërkesa për dëgjim publik.
Sipas këtij vendimi, zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e presidentit është bërë konform Kushtetutës së Kosovës.
Ndër reagimet e para pas aktvendimit të Kushtetueses ishte ai i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Ai e ka cilësuar si dëshirë kërkesën e opozitës, ngase siç ka thënë ai, që nga fillimi është ditur që Thaçi është zgjedhur konform të gjitha procedurave.
“Këtë vendim e kemi parë ditën që është zgjedhur presidenti Thaçi”, ka thënë Mustafa.
“E këto tjerat kanë mbetur çështje që njerëzit megjithatë t’i çojnë dëshirat e tyre deri në fund dhe është mirë që një vendim i tillë është marrë ashtu siç ka ndodhur”, është shprehur kryeministri i Kosovës, ngase sipas tij, nuk ka ndodhur asnjë shkelje ditën që Thaçi është zgjedhur president.
Ndërkaq një vlerësim krejtësisht ndryshe ka partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Përmes një komunikate, AAK thotë se e ka kundërshtuar votimin e Hashim Thaçit president, me veprime të njohura që në ditën e votimit të tij, që janë shoqëruar edhe me kundërshtim mjaft të ashpër në Kuvend, por edhe me protesta në rrugë.
“Ne konsiderojmë se Hashim Thaçi nuk e përmbush kriterin kryesor për president të vendit, që është të qenit faktor i unitetit”, thekson AAK.
Kjo parti politike vazhdon ta konsiderojë se edhe votimi i tij, është bërë edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar si jo të drejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë rast.
Një reagim mjaft të ashër në raport me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese kishte Lëvizja Vetëvendosje.
“Gjykata as kësaj radhe nuk u morr me substancën, me faktet dhe argumentet që përmbante kërkesa”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
“Përmes këtij aktvendimi, Gjykata Kushtetuese ra në kundërshtim me vendimin e vetë paraprak, për rastin Pacolli. Kjo na tregon se Gjykata Kushtetuese nuk e ka për bazë drejtësinë, por interesin e politikanëve në pushtet, dhe vendimet që merr domosdo ju shkojnë për shtati atyre”, thuhet tutje në këtë reagim.
Vetëvendosje e konsideron aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese si absurd, kontradiktor dhe të pabazë.
Me vendimin e Kushtetueses është shprehur mëse i kënaqur kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese tregon se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka respektuar në tërësi procedurat ligjore dhe Kushtetutën e vendit gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit të Shtetit”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në Facebook.
“Verdiktet e tilla, nga të gjithë ne përfaqësuesit e qytetarëve, qoftë pozitë, qoftë opozitë, duhet të respektohen dhe njëkohësisht të na shërbejnë si një mundësi e re për t’u bashkuar në tryezën e dialogut e mirëkuptimit politik”, ka nënvizuar Veseli.
Seanca në të cilën Thaçi ishte zgjedhur në postin e presidentit është mbajtur më 26 shkurt të këtij viti dhe ishte përshkuar me tensione të shumta në Kuvend.
Aktvendimi i Kushtetueses është shpallur vetëm katër ditë para se Thaçi të inaugurohet në postin e shefit të shtetit.
Partitë opozitare kanë deklaruar se do ta bojkotojnë ceremoninë, duke e cilësuar Thaçin si një president që është zgjedhur në mënyrë jo të rregullt.