Ndërlidhjet

Vuçiq: Bombën në Zubin Potok e hodhën serbët


Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës në Kosovë.
Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës në Kosovë.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vërtetuar se bombën në palestrën sportive në Zubin Potok, në orët e para të mëngjesit të së dielës, e kanë hedhur serbët.

Ai, megjithatë, i ka porositur ata që e hodhën bombën se do të luftoj edhe për ta dhe familjet e tyre.

“Përgjigjja ime këtyre serbëve tanë, të cilët në këtë mënyrë dëshirojmë të më presin, është: le t’ua falë Zoti, do të luftoj edhe për ju dhe familjet tuaja, që të jetoni në tokat tuaja dhe të jeni të lumtur dhe më të kënaqur se sot”, ka thënë Vuçiq gjatë fjalimit të tij në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresiste Serbe në Zubin Potok.

Ai ka shtuar se lidhur me këtë çështje nuk do ta thotë më asnjë fjalë, raportojnë korrespondentet e Radios Evropa e Lirë.

Gjatë ditës, zëvendësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Besim Hoti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në orët e hershme të mëngjesit, ishte hedhur një bombë dore në oborrin e palestrës së re sportive në Zubin Potok, ku parashihej që Vuciq të mbajë një fjalim.

Derisa zyrtari i Qeverisë serbe, Marko Gjuriq, këtë incident e ka përshkruar si “akt terrorist”, zyrtari i lartë i Policisë së Kosovës në pjesën veriore, Besim Hoti, tha se prokurori këtë incident e ka regjistruar si “kërcënim i përgjithshëm”.

“Janë gjetur disa gëzhoja, për të cilat besohet se janë shkrepur nga arma automatike e personit tash për tash të panjohur”, ka deklaruar Besim Hoti.

Hoti ka bërë të ditur se niveli i sigurisë ishte ngritur në shkallën më të lartë dhe se vizita e Vuçiqit ka vazhduar sipas agjendës së planifikuar.

Vizitën e tij në Kosovë, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka filluar në Leposaviq, ku i ka vizituar repartet e kombinatit “Trepça”.

Ai u ka thënë serbëve të tubuar aty se vetëm Serbia e fortë mund t’i mbrojë interesat e Serbisë dhe popullin e vet në Kosovë, prandaj këtë mesazh, siç ka thënë ai, ua ka dërguar “edhe atyre, të cilët me bomba dhe të shtëna janë përpjekur për ta frikësuar”.

Vuçiqi ka theksuar se “Trepçës” do t’i ndihmojë aq sa Serbia do të ketë mundësi dhe i ka falënderuar të punësuarit për përkushtimin e tyre, siç është shprehur ai, “që gjithnjë e keni mbrojtur Trepçën dhe që gjithnjë keni dëshiruar të punoni në të".

Ai ka vizituar edhe spitalin në Veri të Mitrovicës, ku është pritur nga punëtorët shëndetësorë, ndërkaq, me tubimin parazgjedhor të Partisë Progresiste Serbe në Zubin Potok, ka përfunduar edhe vizitëna e së dielës e Vuçiqit në pjesën veriore të Kosovës. (a.z. & m.f.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG