Zyrtarët e Belgjikës e kanë shtuar sigurinë dhe kanë ndërmarrë kërkime në gjithë vendin, pas shpërthimeve të fuqishme të bombave në aeroportin kryesor dhe në një stacion të metrosë në Bruksel, me ç’rast janë vrarë 34 vetë dhe janë plagosur më se 180 të tjerë.
Ministrja e Shëndetësisë e Belgjikës, Maggie de Block, tha se shumë prej të plagosurve janë në gjendje serioze shëndetësore.
Përgjegjësinë për këto sulme e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS).
Forcat e sigurisë së Belgjikës kanë ndërmarrë bastisje në rajonin Shaerbek të Brukselit dhe është raportuar se është gjetur eksploziv dhe një flamur i Shtetit Islamik.
Ministri i Brendshëm i Belgjikës, Jan Jambon, tha se “do ta fitojmë këtë betejë” kundër terrorit.
“Ne do t’i ndjekim dhe luftojmë kundër këtyre terroristëve dhe këtij ekstremizmi të dhunshëm, ndoshta edhe me më tepër motivim se kurrë më parë, pasi këta njerëz nuk mund ta marrin shoqërinë tonë dhe vlerat tona të mëdha. Ne e dimë se ata dëshirojnë t’i sulmojnë këto vlera, por kam besim të fuqishëm se ne do të vazhdojmë dhe ne do ta fitojmë këtë betejë”, tha Jan Jambon.
Të mërkurën, mediet e Belgjikës i kanë publikuar emrat e dy sulmuesve vetëvrasës me bombë në aeroport. Ata janë vëllezërit Khalid dhe Brahim el-Bakraoui. Transmetuesi belg RTBF raportoi se këta dy vëllezër ishin të njohur për policinë.
Personi i tretë, i parë në fotografi me dy vëllezërit në aeroport, me emrin Najim Laachraoui, raportohet se është zënë nga policia në rajonin Abnderleht në Bruksel.
Njëri prej dy vëllezërve raportohet se kishte përdorë emër të rrejshëm për ta marrë me qera një banesë në hapësirën Forest të Brukselit, ku policia e kishte vrarë një person të armatosur gjatë të shtënave të javës së kaluar.
Gjatë këtij operacioni, policia i kishte gjetur gjurmët e gishtërinjve të të dyshuarit kryesor të gjallë për sulmet në Paris, Salah Abdeslam, i cili tashmë është i arrestuar.
Në një faqe në internet të grupit ekstremist, Shteti Islamik, shkruan se “ushtarët e kalifatit” i kanë kryer sulmet.
Fotografitë e postuara në internet paraqesin skena të tmerrshme të dëmeve dhe shkatërrimeve në aeroportin kryesor të Brukselit.
Prefekti i Brukselit, Yvan Mayer, tha se 14 vetë janë vrarë në aeroport, ndërsa ka pasur edhe raporte të tjera për 11 të vrarë.
Nga shpërthimi në metro janë vrarë së paku 20 vetë dhe plagosur 106 të tjerë.
Dëshmitarët kanë përshkruar skena rrënqethëse
“Kur arrita në sallën e pritjeve në katin e poshtëm e gjithë kjo pjesë ishte me xhama të thyer. Ishte një kaos total, disa femra ishin rrëzuar në dysheme dhe qanin. Ishte ferr i vërtetë”, tha një dëshmitare në aeroportin e Brukselit.
Banori i Brukselit, Joe Cook, i cili kishte arritur në stacionin e metrosë pak kohë pas shpërthimit, i tha Radios Evropa e Lirë se i ka parë udhëtarët në “gjendje të ndryshme të shokut”.
“Derisa i afrohesha Malbekut e kam parë atë që mendova se ishin fije të tymit dhe njerëz në dysheme. Derisa afrohesha, e pata të qartë se diçka nuk ishte në rregull, pasi ishin së paku gjashtë vetë të shtrirë në trotuar, në gjendje të ndryshme të shokut. Ishte e qartë se diçka kishte ndodhur në metronë Malbek”, tha banori, Joe Cook.
Të frikësuar për më tepër dhunë, shumë prindër në këtë rajon janë ngutur për t’i marrë fëmijët e vet në shkolla.
“Është rrezik për të vegjlit, prandaj erdha t’i marrë ata, në mënyrë që t’i dërgoj në shtëpi, ku janë të sigurt”, tha një nënë në Bruksel.
Liderët botërorë janë shprehur të tmerruar nga sulmet
Kanë vazhduar edhe reagimet e liderëve ndërkombëtarë.
Kryeministri i Francës, Manuel Valls, tha se “ne jemi në luftë” dhe se “gjatë muajve të fundit në Evropë u ishim nënshtruar akteve të luftës”.
Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, tha se shpërthimet ishin “sulm kundër Evropës demokratike”.
Kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka shprehur përkushtimin se “ne kurrë nuk do të lejojmë që këta terroristë të fitojnë”.
Në Egjipt, në selinë kryesore të islamit sunit, Al-Azhar, u tha se sulmet “paraqesin shkelje të mësimeve tolerante të Isalmit” dhe është kërkuar që komuniteti ndërkombëtar ta luftojë terrorizmin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se presidenti rus Vladimir Putin, “fuqishëm i ka dënuar këto krime barbare”.
Papa Françesku në Vatikan ka kërkuar dënim unanim të akteve të këtilla “mizore”.
“Me zemër të thyer e kam dëgjuar lajmin pikëllues për sulmet e djeshme terroriste në Bruksel, që kanë shkaktuar vdekje dhe lëndime. Lutjet dhe mendimet e mija janë me popullatën e dashur të Brukselit, me të gjitha familjet e viktimave. Edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë atyre me besim të mirë të bashkohen në dënimin unanim të këtyre mizorive, që kanë shkaktuar vetëm vdekje, terror dhe tmerr”, tha Papa Françesk.
“Bruksel, të dua"
Disa objekte madhore në gjithë botën, përfshirë Kullën e Ajfelit në Paris, Portën Brandenburg në Berlin, Qendrën Botërore Tregtare në Nju Jork, ishin reflektuar me dritë të zezë, të verdhë dhe të kuqe, që janë ngjyrat e flamurit të Belgjikës.
Pas sulmeve të tmerrshme terroriste në Bruksel, edhe rrjetet sociale janë mbushur me imazhe që nderojnë viktimat dhe shprehin mbështetje për qytetin e traumatizuar.
Mijëra njerëz u tubuan edhe në sheshin historik të Brukselit, Place de la Bourse, për të treguar solidaritet dhe për t’i nderuar viktimat e sulmeve terroriste.
Ata ishin mbledhur rreth mbishkrimit “Bruksel, të Dua”.