Ndërlidhjet

Prokurimi publik, qenësor në luftën kundër korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim

Korrupsioni në Kosovë mund të luftohet vetëm nëse eliminohen parregullsitë që bëhen në proceset e prokurimit, si dhe nëse arrihet të emërohen persona me integritet të lartë dhe të pavarur në Organin Shqyrtues të Prokurimit, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile.

Autoritetet e Kosovës, vlerësohet se çdo herë kanë hasur në vështirësi në reformat, të cilat është dashur t’i bëjnë në fushën e prokurimit.

Që nga miratimi i Ligjit të prokurimit publik në vitin 2003 e deri më tani, ky ligj ka pësuar më shumë se pesë herë ndryshime.

Kuvendi i Kosovës ndërkaq, nuk kishte arritur në njërën nga seancat e saj të miratojë emërimin e anëtarëve të rinj të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se burim i korrupsionit në Kosovë, ka qenë pikërisht prokurimi publik, dhe se në luftimin e kësaj dukurie, rol të rëndësishëm duhet të kenë institucionet që lidhen me këtë fushë.

“Prokurimi publik është qenësor në luftën kundër korrupsionit, sepse aty realisht gjykohet në fund paraja publike, tenderët më të mëdhenj publikë, prandaj edhe bëhet lufta më e madhe politike, që të ketë kontroll dhe të mund të bëjnë çfarëdo që duan ata të cilët sot janë të zgjedhur të popullit”, ka thënë Musliu.

“Luftimi i korrupsionit nuk mund të bëhet vetëm nga organi i prokurorisë, por nevojitet bashkëpunim i të gjitha institucioneve dhe në këtë rast institucioneve që lidhen me fushën e prokurimit publik”, ka deklaruar ai.

Sipas Betim Musliut, në Kosovë deri më tani është vërtetuar se vetëm qytetarët e rëndomtë, mund të ndiqen për vepra të vogla penale. Kurse ka munguar, siç thotë ai, ndjekja penale e personave të profileve të larta të dyshuar për përfshirje në afera korruptive.

“Deri më tani ka munguar në të gjitha aspektet vullneti politik për të luftuar korrupsionin në Kosovë, por fatkeqësi e madhe është që ka munguar tek ata që janë zbatues të ligjit, në këtë rast prokurorët dhe gjykatësit, të cilët kanë mandat që të bëjnë ndjekjen dhe gjykimin e fenomenit të korrupsionit”, thekson Musliu.

Bazuar në të dhënat zyrtare të institucioneve, janë rreth 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik

Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo e cila vëzhgon dhe avokon kundër korrupsionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se nisur nga fakti se përmes prokurimit publik realizohet korrupsioni më i madh, aty edhe duhet të luftohet.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit ka qenë burim i korrupsionit, për shkak se shumë vendime të tij kanë qenë kontroverse. Për këtë arsye është bërë edhe si kriter për liberalizim të vizave, që të ketë pavarësi nga politika. Ky organ nuk është funksional dhe priten emërime të reja, dhe shpresojmë që njerëzit që do të emërohen aty të kenë integritet të lartë”, thekson ai.

Prokurimi publik në Kosovë për vite me radhë në raportet vendore dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në vend.

Një vlerësim i tillë ishte dhënë vazhdimisht në raportet e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian.

Ndryshe, qëllimi i Ligjit për prokurim publik është që të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike dhe burimeve publike në Kosovë, duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen.

XS
SM
MD
LG