Ndërlidhjet

Në pritje të kalimit të kufirit...


Migrantët në pritje të kalimit të kufirit...
Migrantët në pritje të kalimit të kufirit...

Nga e hëna në Maqedoni nuk është lejuar të hyjë asnjë migrant. Ndërkohë, në kampin e Tabanocit përgjatë kufirit me Serbinë, ndodhen mbi 1500 migrantë, të cilët presin të hapet kufiri për të vazhduar rrugën drejt vendeve të Evropës.

Arbnor Tefiku, ndihmësudhëheqës i Qendrës transite të migrantëve në Tabanoc, thotë se kampi është i stërngarkuar. Ai, si më kritike fokuson gjendjen e migrantëve, të cilët që nga e hëna janë duke pritur në zonën neutrale mes Maqedonisë dhe Serbisë, për të kaluar kufirin.

“Më pak se 100 migrantë janë tërhequr nga zona neutrale mes Maqedonisë dhe Serbisë, por pjesa më e madhe e tyre, gjegjësisht mbi 300 migrantë janë të vendosur të presin për të kaluar kufirin drejt Serbisë. Këta migrantë jetojnë në kushte shumë të vështira, dhe pavarësisht gjendjes së rënduar, nuk arrijmë t`i bindim që të kthehen në kampin në Tabanoc”.

“Kemi vështirësi të mëdha, veçanërisht pas përkeqësimit të motit, shfaqet nevoja për veshmbathje, dhe gjatë netëve kur temperaturat janë shumë të ulëta, ka nevojë për ngrohje ndërkohë që këta migrantë janë në qiell të hapur me disa tenda të vogla të improvizuara”, thekson Tefiku.

Arsani, migrant nga Siria, që nga e hëna është duke pritur të hyjë në Serbi dhe më pas të vazhdojë rrugën drejt Gjermanisë për ku është nisur. Aithotë se tashmë disa ditë është me temperaturë të lartë trupore nga i ftohti që e ka kapluar, megjithatë mbetet i vendosur të presë që të hapet kufiri.

“Nuk kam çka të bëj, jam i detyruar të pres. Mbase mund të ndodhë mrekullia dhe të hapet kufiri për të vazhduar rrugën drejt Gjermanisë. Shpresoj që të gjendet një zgjidhje për fatin tonë, sepse të gjithë ne këtu gjendemi në një situatë shumë të vështirë, s`kemi se si të kthehemi në Siri, ku gjithçka që kishim, është shkatërruar”, thotë Arsani nga Siria.

Ndërkohë, organizatat humanitare kanë ngritur shqetësimin se bllokimi i “Rrugës ballkanike” mund të aktivizojë grupet e ndryshme, që merren me trafikimin e migrantëve përmes kanaleve të ndryshme ilegale.

Suat Saqipi, aktivist humanitar, i cili për disa muaj vepron në kampin e Tabanocit dhe Gjevgjelisë, thotë se mbyllja e kufijve i detyron migrantët të gjejnë rrugë alternative për të arritur vendet e Evropës.

“Mbyllja e kufijve në këtë formë, i ka aktivizuar në të kaluarën, e edhe tani, të gjitha rrjetet kriminale për trafikimin e migrantëve, të cilët kanë mundësi të paguajnë që të arrijnë në shtetet e BE-së".

"Funksionimi i trafikantëve nuk është ndërprerë, por vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe ne jemi dëshmitarë të funksionimit të tyre përderisa kemi një gjendje shumë të rëndë me kushte katastrofale për migrantët në pikat kufitare në Gjevgjeli dhe Tabanoc”, thekson Saqipi.

Ndryshe, nga fillimi i këtij viti e deri më tani, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, përmes vendit, transit drejt Evropës kanë kaluar 89 mijë e 623 migrantë, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga Siria , 44 mije e 734 migrantë, nga Afganistani 26 mijë e 546 dhe Iraku 18 mijë e 337 migrantë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG