Ariani ka bërë udhëtimin e pabesë nga Afganistani në Evropë, i joshur nga premtimet se do të gjejë punë, do të marrë shtetësinë menjëherë dhe do ta mirëpresin pagesa të bollshme.
Por, gati një vit pas mbërritjes në Gjermani, 25-vjeçari ka kuptuar se trafikuesit me njerëz e kanë ushqyer me gënjeshtra për jetën luksoze.
I zhgënjyer me burokracinë, Ariani ka vendosur të kthehet vullnetarisht në Afgansitan.
“Kemi dëgjuar thashetheme nga miqtë se jeta në Evropë do të jetë e rehatshme, me punë të mira dhe mundësi për shkollim të mirë. Trafikuesit u thonë njerëzve se ata e kanë të garantuar shtetësinë. Por, e gjitha është gënjeshtër”, thotë Ariani.
Sipas shumë kushteve, ai mund të konsiderohet migrant ekonomik. Në grupin e tij besohet se bën pjesë rreth gjysma e 200,000 afganëve që kanë ikur për në Evropë. Dhe, prejse vendet evropiane kanë nisur të bëhen gjithnjë e më selektive në pranimin e azilkërkuesve, ata e dinë se shanset e tyre janë të pakta.
Tani, Ariani është penduar.
“Po ta dija se sa i rrezikshëm është udhëtimi në Evropë dhe sa e pasigurt është jeta në Gjermani, nuk do ta lija kurrë Afganistanin”, thotë ish-punonjësi i Ministrisë së Arsimit.
Rrjetet e trafikimit kanë lulëzuar në Afganistan, edhe pse ndryshimet e propozuara nga Bashkimi Evropian dhe Turqia për trajtimin e migrantëve që ikin nga Siria, Iraku, Afganistani dhe vendet e tjera, mund të ndryshojnë lojën. Trafikuesit që marrin migrantë nga Afganistani, zakonisht i dërgojnë ata përmes Iranit e Turqisë në Evropë.
Në përpjekje për të rrëzuar mitet për punë të garantuar dhe pagesa të bollshme në Gjermani, ambasada gjermane ne Kabul, vitin e kaluar, ka nisur një fushatë mediatike në gjthë Afganistanin, duke paralajmëruar banorët që të mos i dëgjojnë trafikuesit.
Homayun ka kaluar tetë muaj në Gjermani. Sikurse Ariani, ai është kthyer në Kabul, pasi pritjet e tij nuk janë realizuar.
Homayun ka arritur në Evropë vetë, me idenë se familja e tij mund t’i bashkohet.
Por, Qeveria e Gjermanisë, e shqetësuar se numri i migrantëve mund të tejrritet, vitin e kaluar, ka pezulluar përkohësisht rregullat që u lejojnë migrantëve bashkim familjar.
Atij i është thënë se duhet të presë dy deri në pesë vjet për t’u ribashkuar me familjen në Gjermani.
“Më ka munguar familja dhe nuk kam rrezikuar të pres në Evropë”, thotë Homayun, baba i një fëmijë njëvjeçar.
Rreth 65,000 azilkërkues afganë kanë arritur në Gjermani vitin e kaluar. Sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, afganët përbëjnë grupin e dytë më të madh të migrantëve që arrijnë në vendet e Bashkimit Evropian, pas sirianëve.
Vetëm nëntë afganë janë dëbuar me forcë nga Gjermania në vitin 2015. Por, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, numri i të kthyerve vullnetarë ose të asistuar nga Gjermania është rritur nga 92 në vitin 2014, në 304 në vitin 2015.
Në muajin shkurt, ambasada e Afganistanit në Gjermani ka thënë se janë rreth 1,000 migrantë afganë në këtë vend që presin të kthehen vullnetarisht në Afganistan.
Ambasadori i Gjermanisë në Afganistan, Markus Potzel, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në muajin nëntor se mbi 50 përqind e azilkërkuesve afganë në Gjermani janë “migrantë ekonomikë” që nuk arrijnë të dëshmojnë se “jeta e tyre është në rrezik”, andaj edhe u refuzohet kërkesa për azil.
Kjo nuk do të thotë se arsyet e largimit të afganëve nuk janë të vlefshme, edhe nëse ata nuk vijnë nga ndonjë rajon ku situata e sigurisë është e paqëndrueshme, ku talibanët ose grupet e tjera militante kanë kontrollin ose ku pakicat etnike dhe fetare janë në rrezik.
Njerëzit që kanë ikur nga luftimet në Afganistan, kanë tkurrur kapacitetet e qyteteve si Kabuli, duke i kontribuar papunësisë masive dhe ekonomisë së lodhur.