Ndërlidhjet

BE dhe Turqia pajtohen në parim për shkëmbim të migrantëve


Bruksel, 7 mars 2016.
Bruksel, 7 mars 2016.

Në një samit në Bruksel, Bashkimi Evropian dhe Turqia kanë rënë dakord për parimet e gjera të një plani, i cili do të lehtësonte krizën me migrantë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se migrantët e parregullt që arrijnë në Greqi, do të kthehen në Turqi.

Për çdo migrant të kthyer, Turqia do që BE-ja të pranojë një refugjat sirian dhe të ofrojë më shumë fonde dhe koncesione për integrimin e saj në BE.

Bisedimet do të vazhdojnë në takimin tjetër të BE-së, i planifikuar për 17-18 mars.

Evropa është duke u përballur me krizën më të madhe me refugjatë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Shumica e migrantëve arrijnë në Evropë përmes Turqisë, e cila tashmë strehon mbi 2.7 milionë refugjatë nga lufta civile në Sirinë fqinje.

Tusk ka thënë se udhëheqësit e BE-së dhe ata të Turqisë kanë bërë përparim të madh në menaxhimin e krizës dhe se shpreson që marrëveshja të kompletohet javën e ardhshme.

Ai ka thënë se përparimi dërgon “një mesazh shumë të qartë se ditët e migracionit të parregullt në Evropë po marrin fund”.

Duke folur në një konferencë për media, pas samitit që ka zgjatur gati gjatë gjithë natës së shkuar, kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se Turqia ka marrë “vendim të guximshëm për të pranuar të gjithë migrantët e paligjshëm, bazuar në supozimin se për çdo sirian të ripranuar, një tjetër sirian do të zhvendoset në Evropë”.

“Për të ndaluar ardhjen e refugjatëve në Greqi, ne duhet të bashkëpunojmë me Turqinë”, ka thënë presidenti i Francës, Francois Hollande, duke shtuar se samiti në Bruksel “ka krijuar shpresa se çështja e migrantëve mund të zgjidhet”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se propozimet mund të jenë një hap i madh përpara nëse realizohen dhe ka theksuar se migracioni i parregullt duhet të shndërrohet në migracion të rregullt.

Një zëdhënës i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, i cili ka qëndrim të fuqishëm anti-migrant, ka thënë se ai i ka vënë veto planit për vendosjen e refugjatëve në Evropë.

Më herët, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se anijet e aleancës ushtarake kanë nisur të monitorojnë ujërat territorialë të Greqisë dhe Turqisë, në kuadër të misionit për të ndaluar trafikuesit e njerëzve në Detin Egje.

Stoltenberg ka thënë se Britania dhe Franca do të dërgojnë anije në Detin Egje, si pjesë e misionit të NATO-s.

Ai po ashtu ka thënë se NATO-ja ka vendosur të intensifikojë operacionet monitoruese dhe të inteligjencës përgjatë kufirit Siri-Turqi.

Vitin e kaluar, mbi një milion njerëz kanë hyrë në BE ilegalisht me anije – shumica nga ta nga Turqia në Greqi.

Rreth 13,000 migrantë janë aktualisht të bllokuar në veri të Greqisë, pasi Maqedonia ka kufizuar rreptësisht numrin e njerëzve që lejon të kalojnë tranzit nëpër territorin e saj.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG