Ndërlidhjet

Shqipëria si rrugë e mundshme për migrantët


Rrugët alternative të migrantëve...
Rrugët alternative të migrantëve...

Qindra-mijëra njerëz që kanë ikur nga lufta dhe varfëria, kanë kaluar përmes Ballkanit për të arritur në Evropën Perëndimore, vitin e kaluar. Kjo rrugë tani është ngufatur.

Austria dhe katër shtete të Ballkanit: Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Maqedonia kanë vendosur sistemin e tyre të kuotave, që përcakton se sa azilkërkues dhe migrantë ekonomikë do të lejohen të lëvizin nga Greqia, më thellë në Evropë.

Në muajin shkurt, Vjena ka vendosur të pranojë vetëm 80 azilkërkues në ditë, të pranojë një maksimum prej 37,500 vetash në vit dhe të kufizojë në 3,200 numrin e njerëzve që kalojnë tranzit përmes Austrisë në Gjermani dhe gjetkë.

Katër vendet e Ballkanit e kanë ndjekur, duke kufizuar numrin e migrantëve që hyjnë në territorin e tyre në 580 në ditë. Ato i justifikojnë këto kufizime duke thënë se mijëra migrantë, të penguar për të kaluar në shtete të tjera, do të bllokohen në territoret e tyre.

Austria dhe katër shtetet e Ballkanit i kanë koordinuar veprimet e tyre përmes një takimi të shefave të policive të tyre, duke krijuar një përgjigje të njëanshme ndaj krizës me migrantë dhe duke mos pritur një zgjidhje më të gjerë nga Bashkimi Evropian.

Bllokimi i rrugës ballkanike ka lënë rreth 22,000 mijë migrantë në Greqi, plus 2,000 që arrijnë çdo ditë përmes Detit Mesdhe.

Greqia është zemëruar me vendimin e njëanshëm të Austrisë dhe të katër vendeve të Ballkanit, duke thënë se ai qëllimisht e shndërron krizën me migrantë në një “problem grek”.

Greqia, ekonomia e së cilës po lufon me një krizë të vazhdueshme të borxheve, është në mesin e vendeve të BE-së të pajisura më së keqi për t’u marrë me mijëra migrantë.

Kjo do të thotë se migrantët duhet të lëvizin, por ku dhe si?

Bllokimi i rrugës ballkanike mund të bëjë që mijëra migrantë të kërkojnë rrugë të reja drejt Evropës.

Një rrugë e re e mundshme do të ishte kalimi nga Greqia në Shqipëri dhe pastaj përmes Detit Adriatik në Itali. Grupet kriminale në Shqipëri vazhdimisht kanë bërë kontrabanda përmes ujit në Itali. Tani, ato mund t’i kthehen trafikimit me njerëz.

Një tjetër rrugë për migrantët mund të kalojë kah Rumania. Migrantët mund të lëvizin, përmes tokës, nga Turqia, në Bullgari, e pastaj Rumani, ose të marrin anijet direkt nga Turqia për në Rumani, përmes Detit të Zi. Qëllimi në të dyja rastet do të ishte arritja në Hungari dhe hyrja në zonën Schengen.

Rruga e tretë e mundshme është përmes Kaukazit dhe pastaj Rusisë dhe Bjellorusisë për në Poloni. Polonia po ashtu është në zonën Schengen.

Sipas një marrëveshjeje të arritur midis Brukselit dhe Turqisë në muajin nëntor, Bashkimi Evropian është zotuar se do të sigurojë fillimisht tri miliardë euro për Turqinë, me qëllim që kjo e fundit të strehojë dhe të kujdeset për rreth dy milionë refugjatë. Në këmbim, Turqia po ashtu është duke rritur patrullimet në Detin Egje, me mbështetjen e NATO-s, dhe është pajtuar që, nisur nga ky vit, të ripranojë migrantët, të cilëve u refuzohen kërkesat për azil në shtetet e BE-së.

Gjatë vitit 2015, mbi një milion migrantë, përfshirë të tillë nga Lindja e Mesme dhe Afrika, kanë hyrë në Evropë. Këtë vit, numrat pritet të rriten. Gjatë dy muajve të parë të këtij viti, 131,724 migrantë kanë kaluar Detin Mesdhe, gati sa numri total i migrantëve që kanë hyrë në gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Derisa fluksi vazhdon, shtetet e Evropës Perëndimore, që janë destinacionet kryesore, kanë thënë se nuk munë të vazhdojnë të pranojnë numra të tillë të njerëzve. Ato janë zotuar se do të bëjnë klasifikime më të ashpra të azilkërkuesve nga migrantët ekonomikë. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG