Ndërlidhjet

Investimet e (pa) mjaftueshme në bujqësi 


Ilustrim
Ilustrim

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë vazhdimisht prezantohet si një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe rrjedhimisht shihet edhe si sektor që ndikon në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe zbutjen e papunësisë.

Pas përfundimit të luftës, dhe në veçanti pas vitit 2008, Qeveria e Kosovës shtoi dukshëm investimet në bujqësi, qoftë përmes rritjes së buxhetit, apo edhe shtimit të donacioneve apo granteve nga organizata të ndryshme ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Megjithatë, në vazhdimësi shtrohet edhe çështja se sa ka arritur Kosova të zhvillojë këtë sektor.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren më bujqësi japin vlerësime të ndryshme.

Gursel Arifi, projekt menaxher në Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës, vlerëson se investimet në këtë fushë nuk kanë munguar, por që sipas tij, në praktikë nuk po vërehen.

Ai pohon se në sektorë të ndryshëm ka pasur avancime, por në disa tjerë nevojitet punë më e madhe.

“Duke filluar nga sektori i përpunimit të qumështit, mishit, pemëve dhe perimeve është bërë një hap shumë i mirë. Kemi kapacitete prodhuese, por mungon shfrytëzimi i atyre kapaciteteve".

"Shumica e fabrikave përpunuese nuk i shfrytëzojnë kapacitetet ekzistuese që i kanë. Këtu ndikon orientimi jo i duhur i investimeve në sektor të nevojshëm,” ka thënë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Investimet e deritashme në bujqësi, për përfaqësuesit e bujqve të Kosovës, janë të pamjaftueshme, pasi sipas tyre, Kosova as për së afërmi nuk ka përmbushur nevojat për tregun e brendshëm.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se sektori i bujqësisë, pas përfundimit të luftës ka dal i shkatërruar dhe se për zhvillimin e kësaj fushe nevojiten angazhime dhe investime serioze.

Ai madje konsideron se edhe investimet e bëra nga Qeveria e Kosovës janë keqpërdorur apo investuar në kultura të gabuara bujqësore.

“Janë keqpërdorur në forma të ndryshme me korrupsion, por edhe duke investuar vend e pa vend. Nganjëherë nuk janë në pyetje vetëm investimet, por me rëndësi është veprimi, angazhimi, puna në vendet dhe format e duhura për zhvillimin e bujqësisë”, thotë Tahiri.

Por, udhëheqës të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përmendin përmirësimet që janë bërë në sektorin e bujqësisë.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, në një konferencë për media të martën, ku është prezantuar Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2016, ka thënë se janë shtuar sipërfaqet e tokës për kultivim, ka rritje të dukshme të prodhimtarisë, e që ndikon në rritjen graduale të eksportit.

Ai ka thënë se përmes Programit për Zhvillim Rural, janë investuar 32 milionë euro në bujqësi, kurse janë krijuar 2500 vende të reja të punës. Kurse gjatë këtij viti, thotë ai, do të investohen 23 milionë euro.

“Ne zotohemi edhe sot që transparenca e plotë dhe efikasiteti në zbatim të këtij programi do të vazhdojnë të jenë objektivat tona qendrore”, ka thënë Krasniqi.

Sidoqoftë, vetëm industria e prodhimit të qumështit konsiderohet me kapacitete të mjaftueshme për mbulimin e nevojave për tregun vendor, ndonëse edhe ky sektor, konsiderohet se vuan nga varshmëria e importit.

Në Kosovë prodhimet bujqësore ende importohen në sasi të mëdha nga vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, kurse eksporti mbetet në një përqindje të vogël.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG