Ndërlidhjet

Mustafa: Sulmet vijnë nga subjektet të cilat kanë organizuar dhunë


Kryeministri Isa Mustafa, foto nga arkivi
Kryeministri Isa Mustafa, foto nga arkivi

"Sulmet dhe dëmtimi i zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe djegia e disa veturave të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë duke u bërë nga individë të subjekteve, të cilët deri më tash kanë organizuar dhunë dhe protesta".

Kështu i ka thënë Radios Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili njëherësh është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zoti Mustafa tha se veprimet e tilla janë të padrejta dhe janë për keqardhje.

"Ne e shohim ketë si frustrim të njerëzve nga subjektet, të cilat deri me tash kanë organizuar dhunë dhe protesta, por unë mendoj se kjo është një gjendje e kalueshme, sepse në LDK situata është shumë stabile. Neve nuk na lë përshtypje kjo, por shprehim keqardhje për ata që kryejnë veprime të tilla", tha Mustafa.

Ai po ashtu tha se e gjithë ajo dhunë që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, por edhe në rrugë, po tentohet, siç tha ai, t'i faturohet LDK-së, për shkak të mbështetjes që i ka dhënë zgjedhjes së presidentit. Por, këto akuza, ka nënvizuar Mustafa, nuk qëndrojnë aspak.

“LDK-ja, në këtë rast, e ka përmbushur një prej detyrimeve të saj që del nga marrëveshja për koalicion. Edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka votuar kryeministrin e qeverisë, që është i LDK-së.”

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar që Kosova të ketë presidentin dhe që institucionet e Republikës së Kosovës të funksionojnë. Praktikisht, LDK ka votuar për shtetin, ka votuar që mos të krijojë vakuum institucional dhe të mos krijojë hapësirë për dhunë të mëtutjeshme", u shpreh Mustafa.

Ditë me parë, persona të panjohur kanë thyer xhamat e zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Prishtinë dhe disa qytete të tjera.

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë duke kryer hetime mbi sulmet që kanë ndodhur në zyrat e LDK-së, por edhe mbi dëmtimin e disa makinave që u takojnë zyrtarëve të qeverisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka marrë informacione lidhur me dëmtimin dhe përfshirjen nga zjarri të një veture të tipit "Audi A8", e cila është djegur pjesërisht.

Mësohet se vetura është e Adem Grabovcit, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. Grabovci tha për Radion Evropa e Lirë se veprimet e tilla janë shqetësuese dhe se ato nuk janë të rastësishme, por të organizuara.

"Këtë që ndodhi e kam marrë me shqetësim për situatën e përgjithshme, jo për atë që ka ndodhur tek unë, sepse unë kam përjetuar dhunë prej moshës më të re, e deri me sot. Rastin e ka policia dhe ajo do të vlerësojë, do të hetojë dhe do të dalë me një qëndrim se kush mund të qëndrojë prapa kësaj. Unë besoj se është e qartë për të gjithë se çka është duke ndodhë dhe kush qëndron prapa kësaj dhune", tha Grabovci.

Ndërkohë, nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi ka hedhur poshtë pohimet se aktivistët e Vetëvendosjes janë duke i djegur dhe sulmuar zyrtarët e LDK-së.

"Ne jemi deklaruar se nuk kemi të bëjmë me këto sulme dhe kjo është e qartë që një kohë. Ajo që thotë kryeministri është gjuhë e kryeministrit, është e njohur sidomos në kohën aktuale, në mënyrën e veprimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mënyrën e veprimit dhe shantazhimit të deputetëve. Natyrisht që ata duan ta shmangin vëmendjen jashtë vetëvetes", tha Çaushi për Radion Evropa e Lirë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani,tha për Radion Evropa e Lirë se policia, njësit e hetuesisë janë duke bërë hetim lidhur me sulmet në zyrat e LDK-së dhe djegia e disa veturave.

"Policia e Kosovës, me njësitet e saj relevante, në të gjitha rastet e dëmtimit apo asgjësimit të pasurisë, ndaj zyrave të partisë së LDK-së, menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore për hetimin dhe zbardhjen sa më parë të këtyre rasteve.”

“Njëkohësisht, Policia e Kosovës po kryen hetime intensive edhe drejt identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, të përfshirë në këto raste", tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ndryshe, partitë politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë zotuar se do të vazhdojnë ta kundërshtojnë presidentin e zgjedhur, Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si "shkelës të Kushtetutës së Kosovës".

Ato vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të arritur më 25 gusht, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe atë të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG