Shumë iranianë pro-reformatorë, që kanë votuar në zgjedhjet e 26 shkurtit për parlamentin dhe Asamblenë e Ekspertëve, kanë dalë me barcoleta për fitoren dërrmuese të reformatorëve në Teheran.
“Të dashur qytetarë, vëmendje ju lutem, Teherani tani është i lirë”, thuhet në një mesazh të shpërndarë gjithandej në mediat sociale.
Shakaja ka nisur të bëjë xhiro më 27 shkurt, menjëherë pasi rezultatet paraprake kanë treguar se aleatët e predidentit Hassan Rohani kanë fituar të 30 ulëset e parlamentit në kryeqytet.
Rohani dhe aleati i tij, ish-presidenti Akbar Hashemi Rafsanjani, janë po ashtu duke udhëhequr garën në Teheran për Asamblenë e Ekspertëve, e cila ka fuqinë për të zgjedhur udhëheqësin e ardhshëm suprem.
Ish-udhëheqesi i parlamentit, Haddad Adel, i cili i takon vijës më ekstreme iraniane, është bërë personazh barcoletash, meqë duket se është i vetmi që do të hyjë në legjislaturën e re.
Një shaka në platformën Telegram e tregon atë duke pushuar kokën në këmbët e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe duke i thënë: “Nuk dua të shkoj në parlament”.
Khamenei i përgjigjet: “Mos u frikëso vogëlushi im. Do të gjesh miq të rinj”.
Reformatorët kanë bërë fushatë se do të nxjerrin jashtë Asamblesë së Ekspertëve kreun e Këshillit të Mbikëqyrjes, Ajatollah Jannati, dhe dy klerikë të tjerë të vijës ekstreme, Ajatollah Mohammad Yazdi dhe Ajatollah Mesbah Yazdi.
Sipas rezultateve paraprake, Yazdi dhe Mesbah Yazdi duket se kanë humbur ulëset, ndërsa fati i Jannatit duket se varet nga një fije.
“Mos më nxirrni jashtë”, thotë Jannati në një shaka në platformën Telegram.
Një tjetër barocletë popullore aludon në arrestin shtëpiak të figurave opozitare: Mir Hossein Musavi, gruas së tij, Zahra Rahnavard, dhe klerikut reformator, Mehdi Karrubi.
Të tre opozitarët, që duket se gëzojnë popullaritet të qëndrueshëm, janë vënë në arrest shtëpiak në shkurt të vitit 2011, pasi kanë sfiduar vazhdimisht udhëheqjen e Iranit, në lidhje me zgjedhjet e kontestueshme presidenciale të vitit 2009 dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.
Një barcoletë paraqet mbështetësit e treshes duke thënë: “Nëse Jannati nuk zgjidhet, do të protestojmë dhe do të themi se ne jemi mbështetësit e tij, kështu që ai mund të vihet në arrest shtëpiak”.
Disa barcoleta të tjera, përveç që nxjerrin në pah fitoren e reformatorëve në Teheran, shprehin edhe shqetësimet se kjo “sëmundje ngjitëse" mund të përhapet edhe në pjesën tjetër të vendit. (v.tela)