Ndërlidhjet

Protestë kundër kryqit në Butel


Kryqi i lartë prej 55 metrash që do të ndërtohet në Butel
Kryqi i lartë prej 55 metrash që do të ndërtohet në Butel

Në prani të funksionarëve të lartë të partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, të shtunën u vendos guri themeltar për ngritjen e një kryqi të lartë prej 55 metrash në rrethrrotullimin e komunës së Butelit të Shkupit.

Kësaj ngjarje i ka paraprirë vendosja e Postamentit me shqiponjën dy krenare dy javë më parë në komunën e Çairit të Shkupit me rastin e shënimit të 15-vjetorit, të fillimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.

Kryetari i Kongresit maqedonas, Todor Petrov, i cili është dhe donator i këtij projekti, tha se vendosja e kryqit nuk është për të provokuar apo për të krijuar frikë ndaj ndonjë komuniteti, por sipas tij, kryqi është pjesë e pandashme e kulturës dhe historisë së Maqedonisë.

“Kryqi paraqet legjitimim për identitetin e Maqedonisë para Evropës dhe botës. Andaj kryqi ka të drejtë për hapësirë adekuate në Maqedoni. Apeloj deri te të rinjtë që të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të angazhohen për të krijuar prosperitet dhe kushte më të mira për familjet e tyre këtu, sepse ata duhet të mbeten në Maqedoni”, tha Petrov, duke paralajmëruar ngritjen edhe të dy kryqeve të tjera në lagje të ndryshme të Shkupit.

Por, pas fjalimit të mbajtur, kryetari Todor Petrov u sulmua fizikisht nga persona të panjohur. Pas sulmit, Petrov kishte kërkuar ndihmë mjekësorenë Qendrën Urgjente Mjekësore në Shkup, ku edhe është trajtuar.

Paraprakisht, dhjetëra qytetarë shqiptarë gjatë orëve të paradites protestuan në afërsi të lokacionit ku u vendos guri themeltar për vendosjen e kryqit në Butel.

Në mesin e protestuesve, ishin edhe zyrtarë të lartë të partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim.

Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së dhe kryetar i Komunës së Çairit, komunë kjo që kufizohet me komunën e Butelit, tha se ka dalë për të protestuar, pasi vendosja e kryqit, paraqet provokim për popullatën shqiptare në këtë zonë, e cila kryesisht i takon besimit mysliman.

“Janë thyer të gjitha procedurat dhe njëherësh është provokim i rëndë ky akt (vendosja e kryqit) në një komunë ku përkatësia etnike është e barabartë për nga numri, sa u përket shqiptarëve dhe maqedonasve. Krejt në rregull sikur të ndërmerrej një veprim për vlerësimin e figurave dhe ngjarjeve të tyre historike. Por, në këtë rast nuk është qëllimi i vlerësimit por është qëllimi është të provokohet popullata shqiptare duke vendosur një kryq të përmasave grandioze edhe atë në rrugë”, deklaroi Mexhiti.

Duke komentuar fjalimin e Petrovit se me këtë kryq mund të identifikohen edhe shqiptarët ortodoks, Mexhiti tha se nëse sinqerisht mendohet për interesat e ortodoksëve shqiptarë, atëherë sipas tij, më e udhës do të ishte që autoritetet e shtetit të ndajnë mjete për ngritjen e një kishe ortodokse shqiptare dhe ky kryq të vendosej pranë saj.

Nëse qasja e Kongresit maqedonas është aq e sinqertë, atëherë unë apeloj që të shfrytëzohet ky rast dhe qeveria le të ndajë një lokacion për ndërtimin e kishës ortodokse shqiptare që është si komunitet i regjistruar edhe në Gjykatën e Maqedonisë, dhe ky kryq le të vendoset në atë kishë. Vendoja e kryqeve në rrugë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në prishjen e raporteve ndërfetare dhe ndëretnike në Maqedoni”, theksoi për Radion Evropa e Lirë, Izet Mexhiti.

Gjatë ditës së premte kishte reaguar dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë , e cila vendosjen e kryqit në Butel, e cilësoi si provokim për besimtarët mysliman në Maqedoni, duk theksuar se një veprim i këtillë mund të nxisë tensione ndëretnike.

BFI-ja u bëri thirrje autoriteteve qeveritare, si dhe atyre ndërkombëtare që të ndërhyjnë për shfuqizimin e vendimit të Komunës së Butelit.

“Me qëllim që të mënjanojmë tensionimet e krijuara pa nevojë nga ky provokim i dikujt që nuk e dëshiron të mirën e këtij vendi, e që simbolet fetare po i keqpërdor për të destabilizuar marrëdhëniet ndërfetare e ndërnacionale, apelojmë që urgjentisht të shfuqizohet vendimi për vendosjen e kryqit në Butel".

"Nëse dikush ka pasur për qëllim që me ndërtimin e kryqit të ‘revanshohet’ për vendosjen e shqiponjës në komunën e Çairit, theksojmë se shqiponja është simbol kombëtar, kurse kryqi është simbol fetar, andaj nuk paraqet ‘kundërpërgjigje’ adekuate”, thuhet në komunikatën me shkrim nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG