Ndërlidhjet

Projektet e BERZH-it lidhin rajonin me hekurudha dhe rrugë


Ilustrim
Ilustrim

Finalizimi i rrjetit hekurudhor dhe rrugor që lidh Kosovën me shtetet e rajonit, por edhe realizimi i tyre brenda territorit të Kosovës, janë projektet kryesore që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Këto projekte janë paraqitur në kuadër të Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor që është zhvilluar të hënën në Londër.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili ka marr pjesë në këtë takim, për Radion Evropa e Lirë, tregon projektet konkrete për të cilat është kërkuar përkrahje financiare, nga përfaqësues të BERZH-it.

“Janë projekte kryesisht të hekurudhave dhe rrugëve. Një projekt të hekurudhave tashmë e kemi finalizuar me BERZH-in, është hekurudha nga kufiri më Maqedoninë deri në veri në kufi me Serbinë".

"Kjo marrëveshje është e nënshkruar, por pritet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Pastaj kemi diskutuar edhe për segmentet tjera të hekurudhave brenda Kosovës siç është segmenti Prishtinë- Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Fushë Kosovë - Merdarë dhe segmenti Klinë - Prizren . Me këto segmente funksionalizohet plotësisht rrjeti i hekurudhave brenda”, tha Hoti.

Hoti ka shtuar se është kërkuar mbështetje financiare edhe për një numër të projekteve të infrastrukturës që lidhin qytetet e Kosovës.

Ndryshe, autoritetet qeveritare në Kosovë tashmë kanë konfirmuar gatishmërinë për realizimin e projekteve të linjave hekurudhore dhe rrugore me vendet e rajonit, siç është linja hekurudhore Durrës - Prishtinë - Nish dhe ajo rrugore Prishtinë - Merdarë - Nish, projekt ky që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.

Edhe Bashkimi Evropian, në mars të vitit të kaluar, pas një konference ndërministrore të gjashtë vendeve Ballkanike, që është mbajtur në Prishtinë, ka premtuar se është i gatshëm të investojë deri në 1 miliard euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.

Integrimi rajonal përmes korridoreve rrugore dhe hekurudhore, për veç se do të lehtësojë në fushën e investimeve,sipas ekspertëve të ekonomisë, do përcjell edhe mesazh politik dhe stabilitet në rajon.

Gazmend Qorraj, ligjërues i lëndës Ekonomia e Kosovës në Bashkimin Evropian, në Fakultetin Ekonomik, thotë se projektet e përbashkëta rajonale, fuqizojnë marrëdhëniet dhe ekonominë e rajonit.

“Në Evropën Juglindore ose në Ballkanin Perëndimor, komuniteti ndërkombëtar e ka edhe qëllimin politik. Përmes projekteve ekonomike të joshin vendet që të bashkëpunojnë edhe në mënyrë politike, sepse dihet se shumë vështirë do të bashkëpunonin, supozojmë Kosova më Serbinë, nëse nuk ka ndonjë përfitim ekonomik. Edhe më këto përfitime njerëzit, firmat, shtetet, por edhe qeveritë joshen më shumë” thotë Qorraj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas profesorit Qorraj, është një tendencë e komunitetit ndërkombëtar që indirekt përmes projekteve ekonomike të promovojnë bashkëpunimin në rajon.

“Pavarësisht që kanë kaluar shumë vite, Ballkani perëndimor ende ka probleme politike. Këto vende duhet të shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë këtë tendencë tëkomunitetit ndërkombëtar që të përfitojnë më të vërtet nga këto projekte”, thotë ai.

Ndryshe, edhe vitin e kaluar është mbajtur Samiti i Vjenës, i cili ka pasur për qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG