Ndërlidhjet

Mustafa e Thaçi nuk e përfillin opozitën


Dhuna dhe bllokimi i punës së institucioneve nuk janë mjete për zgjidhjen e problemeve politike kanë deklaruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësi i parë i tij Hashim Thaçi, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të shoqërisë civile.

Dy krerët e Qeverisë së Kosovës dhe partive të koalicionit, Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike, thanë se opozita po e pamundëson komunikimin normal të Qeverisë me Kuvendin, sidomos kur është në pyetje komunikimi në lidhje me dialogun me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura.

Kryeministri Isa Mustafa i ka cilësuar të pavenda deklarimet e liderëve opozitar për kthimin e Serbisë në Kosovë.

Ai ka thënë se me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, Kosova i ka marrë përsipër disa obligime ndërkombëtare që ndërlidhen me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve si dhe integrimin e komunitetit serb.

“Ne kemi marrë përsipër edhe obligime ndërkombëtare, sidomos për garantimin e të drejtave të popullatës joshumicë, përkatësisht të pakicave dhe që ato të bëhen pjesë e projektit tonë, pjesë e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri , Hashim Thaçi ka thënë se çështja kryesore për të cilën flet opozita, siç është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk e ka burimin vetëm tek dialogu me Serbinë, por edhe te marrëveshja e koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e njohur si Pakoja e Ahtisaarit.

“Asociacioni, fillimisht buron nga dokumenti i presidentit Ahtisaari. Mbi bazën e dokumentit të Ahtisaarit e kemi shpallur Kosovën e pavarur e sovrane. Pastaj ka vazhduar në procesin e negociatave në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ato bisedime i kam udhëhequr unë në rrafshin politik. Ka qenë aty edhe përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka luajtur një rol jashtëzakonisht pozitiv”, është shprehur Thaçi.

Ndërkaq sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, zëvendëskryeministri Thaçi ka potencuar se ajo nuk do të ratifikohet në Kuvend përderisa të mos sqarohen të gjitha dilemat dhe vërejtjet qoftë nga opozita apo shoqëria civile.

Më pas, në kuadër të debatit, njëri nga panelistët, Halil Matoshi analist politik, ka thënë se gjendja në Kosovë është mjaftë e rrezikshme, përderisa qeveria, sipas tij, nuk është duke e pyetur për asgjë opozitën.

Duke e cilësuar këtë si një lloj injorimi të gjendjes faktike, Matoshi ka thënë se gjetja e një konsensusi me opozitën është më se e domosdoshme, sado që sipas tij, opozita po mbështetet në dy kauza të paqëndrueshme dhe tejet nacionaliste.

Krejt këtë gjendje të krijuar, Matoshi e sheh si tendencë të disa individëve dhe një pjese të spektrit politik që të çojë vendin në kaos për të shpëtuar nga Gjykata Speciale për krime lufte.

“Vazhdimisht e kam parë dhe vazhdojë ta shoh një krye-kauzë e cila është Gjykata Speciale. Dikush po tenton që t’i shmanget kësaj Gjykate qoftë edhe duke e dërguar vendin buzë luftës civile për t’u imponuar nesër si fuqi që e kthen stabilitetin ne vend. Unë kështu e kam parë dhe e shoh këtë gjendje”, ka thënë Matoshi.

Përderisa pushteti po përgatitet që të zgjedh presidentin e ardhshëm të Kosovës, qoftë edhe në një seancë me gaz lotsjellës e polici në sallë të Kuvendit, kurse opozita po përgatitet për protesta në ditën e pavarësisë së Kosovës, Matoshi u ka bërë thirrje të dyja palëve që të ulen dhe të arrijnë marrëveshje.

Kjo marrëveshje, sipas tij, do të përmbante në vete reforma në gjithë sistemin në mënyrë që vendi të mos futet më në kriza të ngjashme.

Paraprakisht, ai u ka kërkuar drejtuesve të qeverisë që të mos thirren më në legjitimitetin e fituar, por të reflektojnë në bazë të gjendjes krijuar dhe të japin dorëheqje, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG