Politikanët në Maqedoni e kanë shumë më lehtë të pozicionohen si mbrojtës të çështjeve kombëtare sesa si mbrojtës të vlerave demokratike në bazë të së cilit do të sundojë drejtësia, thekson Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike, duke komentuar deklaratën e fundit të liderit të Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, se ai mund të braktis bisedimet nga dialogu politik.
“Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, në bisedimet rreth marrëveshjes politike që në fillim hyri si statist, qëndroi si statist, madje verifikoi dhe marrëveshjet për zgjidhjen e konflikteve mes partive maqedonase VMRO DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, dhe tani dëshiron të tërhiqet pasi mund të thuhet, kreu punën e vet".
"Tani aspak s’është koha e tërheqjes sepse procesi është kryer duke mbetur vetëm edhe dy pika nga marrëveshja politike, aq më pak mund ta shfajësojë partinë Demokratike Shqiptare se nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes, sepse ai që nga fillimi ka qenë pjesë e procesit , pra është një marketing politik që vetëm ai e kupton sepse realisht si sjell dobi as procesit e as partisë që ai e drejton”, thekson Demiri.
Ndryshe, lideri i PDSH-së para mediave është kërcënuar se mund të braktis bisedimet për zbatimin e marrëveshjes politike pasi siç ka theksuar deri më tani nuk është trajtuar asnjë çështje e rëndësishme për shqiptarët në kuadër të dialogut ndërpartiak.
“Asgjë që ka të bëjë me shqiptarët, asgjë që ka të bëjë me mardhënie ndëretnike, asgjë që ka të bëjë me keqpërdorimin e buxhetit, asgjë që ka të bëjë me implementimin e marrëveshjes së Ohrit, madje as edhe një “A” nuk është përmendur në bisedimet mes partive politike".
"Ky fakt është ai që bën të jem shumë afër që këto bisedime dhe këtë dialog ta quaj dialog të dështuar të radhës”, është shprehur Thaçi.
Por, ish diplomati maqedonas Denko Malevski, në sjelljen e liderëve politik në Maqedoni, sheh frikën dhe paaftësinë për tu përballë me problemet që kërkojnë zgjidhje konkrete, aq më shumë që në rastin konkret zgjidhjet të cilat janë arritur në bazë të marrëveshjes politike me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, nuk janë dhe aq të favorshme për ata personalisht dhe partitë që drejtojnë, por siç thekson Maleski janë në favor të demokratizimit të Maqedonisë si shtet.
“Tanimë e kemi të qartë sjelljen e politikanëve të Maqedonisë, përkatësisht njerëzit që e përfaqësojnë shtetin tonë nuk janë në gjendje të përballen me sfidat me të cilat ballafaqohen, gjegjësisht të realizojnë ndryshime të thella në sistem, për të mundësuar kushte për zgjedhje fer dhe demokratike".
"Nëse liderët e partive politike nuk e kuptojnë seriozitetin e problemit dhe nuk marrin përgjegjësi për t'u përballur me problemet që duhet t'i zgjidhin, atëherë Maqedonia futet në një krizë më të thellë. Kanë mbetur vetëm edhe 20 ditë që tërë procesin ta fusin në një vijë kompromisi”, thekson Denko Malevski.
Ndërkohë që VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë betonuar qëndrimet që zgjedhjet të mbahen me çdo kusht më 24 prill pavarësisht se opozita maqedonase, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, thekson se nuk janë plotësuar kriteret bazë për zgjedhje demokratike siç është pastrimi i listës së votuesve dhe liria e mediave.
Përfaqësuesit diplomatik në vend kanë theksuar se deri më 20 shkurt, SHBA dhe BE bashkërisht do të vlerësojnë nëse është zbatuar marrëveshja politike dhe nëse janë plotësuar kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike me atë që deri më 19 shkurt duhet të miratohet ligji që do të rregullojë punën e mediave, si dhe deri në këtë datë të bëhen kontrollet e para të kryqëzuara të të dhënave nga lista e votuesve.