Kosova vazhdon të importojë gati të gjitha produktet, duke filluar nga ato të konsumit, deri te produktet strategjike.
Importi i madh i mallrave ka vendosur Kosovën në një pozitë jo të mirë ekonomike dhe me një deficit të lartë tregtar, kur kihet parasysh niveli i ulët i eksporteve të Kosovës.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka treguar për nivelin e lartë të importeve që ka Kosova.
“Struktura e importit në Kosovë ka një llojshmëri të madhe duke filluar nga produktet e konsumit deri tek ato strategjike. Por, kryesisht në aspektin e të hyrave dhe vlerës prijnë këto produkte: nafta dhe derivatet e saj, duhani, automjetet, industria e ushqimit dhe tekstilit, e të tjera”, thotë Stavileci.
Ai tregon, se sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, në vitin 2015 ka pasur një import të mallrave prej afër 2.5 miliardë euro.
Njohës të kësaj fushe, konsiderojnë se arsyeja kryesore pse Kosova importon numër kaq të madh të produkteve ka të bëjë me faktin se Kosova ka vuajtur për një periudhë të gjatë të deindustrializimit.
Ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se e gjithë industria apo prodhimi i Kosovës, ka qenë i shkatërruar me dekada të tëra, gjë që sipas tij, ka bërë që Kosova për një kohë të gjatë të mos ketë prodhim.
Ai thotë se është joreale të mendohet që në një periudhë të shkurtër kohore të zëvendësohen të gjitha produktet që importohen me ato vendore.
Megjithatë, ai thekson se në disa industri, Kosova ka mundësi që të zëvendësojë produktet e importit me ato vendore.
“Njëra prej industrive që ka pasur rritje viteve të fundit është industria e bujqësisë, më saktë përpunimi i produkteve ushqimore, ku një numër i kompanive të caktuara kanë fituar treg në Kosovë, por edhe kanë arritur të eksportojnë në vendet tjera”.
“Tani duhet që të identifikohen edhe industritë tjera që mund të bëjnë të njëjtën gjë. Duhet të zhvillohen programe të qeverisë, që do t’i mundësonin atyre kompanive që të marrin treg si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj”, thekson Nikaj.
Në aspektin ekonomik, shton Nikaj, deficiti i lartë tregtar ka dëmtuar Kosovën.
Sipas tij, importi i madh i produkteve e ka bërë Kosovën të varur nga produktet e shteteve të tjera.
Po ashtu, siç thotë Nikaj, kur një shtet ka deficit të madh tregtar, ka edhe më pak mjete që mund të menaxhojë ekonomia e vet dhe rrjedhimisht varet nga zhvillimet që ndodhin jashtë vendit.
“Një vend me deficit të madh tregtar e që me kohën ka zhvilluar krizë financiare, është rasti i Greqisë në vitet e fundit, ku shumica prej politikave ekonomike të këtij vendi nuk janë varur nga faktorët e brendshëm, por të jashtëm. Në këtë kuptim ne kemi rrezik të mosmenaxhimit të ekonomisë tonë dhe kemi më pak mundësi që të ndikojmë në punësimin e të papunëve”, shton Nikaj”.
Ndërkohë, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci thotë se Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë.
“Gjatë vitit të kaluar, statistikat tregojnë se importi kryesor ka ardhur nga Serbia me afër 300 milionë euro mallra të importuara, pjesa tjetër është nga Gjermania, Turqia dhe Kina”, thotë Stavileci.
Prodhuesit në Kosovë, vazhdimisht iu kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të krijojnë politika të favorshme fiskale për të rritur eksportin.
Strategjia e orientuar drejt rritjes së eksportit, kishin theksuar ata, duhet të konsiderohet nga autoritetet kompetente si një faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.