Ndërlidhjet

Ngecja e rritjes ekonomike


Ilustrim
Ilustrim

Gjatë gjashtë vjetëve të fundit Kosova nuk ka shënuar rritje ekonomike më shumë se 3.8 për qind. Kjo rritje ekonomike ndonëse po vlerësohet të jetë e mirë, është e pamjaftueshme për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale që ka vendi.

Në vitet 2010 dhe 2011, Kosova ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike mbi 5 për qind, derisa në pesë vjetët e fundit kjo rritje ekonomike filloi të bjerë.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2012 rritja reale e produktit të brendshëm bruto, arriti normën prej 3.8 për qind, kurse në vitin 2013, rritja ekonomike pati rënë në 3.5 për qind.

Rritja ekonomike në Kosovë shënoi rënie të madhe në vitin 2014, dhe atë vetëm një për qind, derisa në vitin që lamë pas, ishte mbi 3 për qind.

E gjithë kjo situatë që e ka përcjell Kosovën vite me radhë po vlerësohet nga ekspertët e çështjeve ekonomike si mjaft shqetësuese.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thotë për Radion Evropë e Lirë se, autoritetet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkretë kur kihen parasysh këto të dhëna, të cilat tregojnë trend jo të mirë ekonomik.

“Nuk mund të kënaqemi me rritjen ekonomike 3.5 për qind, pasi që ajo nuk na garanton rritje të mirëqenies, zvogëlim të varfërisë, rritje të punësimit as nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm. Prandaj, është momenti i fundit për disa politika të qëndrueshme racionale dhe jo për politika ad hooc, apo emotive që i ndërmarrin grupet e interesit”, thotë Ramosaj.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike Musa Limani thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja ekonomike në Kosovë ka stagnuar në 3 për qind dhe me trendët aktualë ekonomikë vështirë se do të ketë rritje.

“Me një politikë, të cilën e zbaton Qeveria e Kosovës sipas rezultateve të deritashme, nuk mund të ketë ndonjë dinamikë më të madhe, pasi që zhvillimi ekonomik në Kosovë nuk bëhet me politikë konsekuente ekonomike, por bëhet ad hooc, pa ndonjë koncept, pa ndonjë strategji”, thotë profesor Limani.

Për ta dalë nga kjo situatë e vështirë ekonomike dhe sociale, profesor Limani thotë se rritja ekonomike duhet të jetë dyshifrore.

Për të arritur këtë rritje ekonomike, profesor Limani thotë se autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë reforma të politikave fiskale.

“Qeveria e Kosovës duhet t’i kthehet zhvillimit ekonomik, sepse nuk ka prioritet më të madh në këtë shoqërinë tonë, e cila po shkon duke u varfëruar, sesa të ketë një qasje reale objektive të zhvillimit ekonomik. Pa stabilizim makro -ekonomik, pa zhvillim ekonomik , pa ngritjen e mirëqenies së qytetarëve nuk ka stabilitet politik në Kosovë”, konsideron Limani.

Po ashtu, edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore në raportet e tyre kishin theksuar se rritja ekonomike në Kosovë, prej 1 për qind dhe 3 për qind, e cila ka qenë gjatë dy vjetëve të fundit, është e pamjaftueshme për zvogëlimin e papunësisë, varfërisë dhe për parandalimin e largimit të qytetarëve nga vendi.

Sipas këtij raporti, rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.6 për qind në vitet 2016-2017, por mundësitë e punësimit, thuhet se do të vazhdojnë të jenë të kufizuara.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Avdullah Hoti, kishte theksuar se përmes Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021, Qeveria e Kosovës ka prioritet rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Kryefjala e kësaj Strategjie është rritja ekonomike për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm duke u bazuar në politika konsistente”, ka thënë Hoti.

Së fundi Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar që rritja ekonomike në Kosovë në vitin 2016 të jetë 3.8 për qind.

Megjithatë, shefi i zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Prishtinë, Ruud Vermeulen, ka thënë se situata e vështirë politike mund të ndikojë në realizimin e parashikimeve të rritjes ekonomike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG