Ndërlidhjet

Ivanoviq dënohet me 9 vjet burg, të tjerët të pafajshëm


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

Lideri i Nismës Serbia, Drejtësia, Demokracia, Oliver Ivanoviq, është shpallur sot fajtor nga Gjykata Themelore në Mitrovicën Veriore për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, përmes një komunikate të lëshuar ka bërë me dije se gjykata ka vërtetuar se më 14 prill të vitit 1999, forcat serbe i larguan me forcë shumë familje shqiptare nga shtëpitë e tyre dhe i mblodhën jashtë në rrugë.

Një grup i paramilitarëve dhe policëve në atë datë e kishte ndarë dhe marrë një “një grup të meshkujve nga ushtria derisa arritën tek pika e kontrollit të policisë/paramilitarëve”

“Oliver Ivanoviqi ishte pjesë e grupit të paramilitarëve/policisë të pranishëm në pikën e kontrollit. Ai mbante uniformë të kaltër dhe ishte i armatosur. Pastaj, këta meshkuj u shoqëruan përmes kësaj pike të kontrollit. Katër meshkuj u vranë derisa ky operacion u ndal për shkak të ardhjes së një personi të uniformuar, i cili dha urdhër për t’u ndalur”, thuhet në kominikatën e lëshuar nga misioni EULEX.

Oliver Ivanoviqi, sipas komunikatës, ishte në dijeni të operacionit për dëbimin dhe vrasjen e shqiptarëve.

“Atë ditë, ai me dashje u pajtua me këtë plan duke e ditur që si pasojë e kësaj do të ndodhnin vrasjet”, ka njoftuar EULEX.

Për këto veprime, politikani serb nga veriu i Kosovës është dënuar me nëntë vjet burgim.

Pos për krime lufte kundër popullatës civile, Ivanoviq së bashku me Dragoljub Delibasiq, Nebojsa Vujaçiq, Ilija Vujaçiq dhe Aleksandar Lazoviq, kishin qenë të akuzuar edhe për një vepër tjetër penale, për të cilën të gjithë janë shpallur të pafajshëm.

Të gjitha palët kanë të drejtë ankese. Ankesë ka të drejtë edhe prokuroria dhe atë brenda 24 orëve që nga shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë.

Trupi gjykues ka vendosur që të vazhdohet masa e arrestit shtëpiak.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG