Ndërlidhjet

Tre të vdekur gjatë muajit janar, si pasojë e aksidenteve


Ilustrim
Ilustrim

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës në Kosovë, kanë vështirësuar qarkullimin e trafikut në disa akse rrugore duke shkaktuar aksidente në komunikacion.

Prej 1 janarit e deri më 20 janar të këtij viti, kanë vdekur tre persona si pasojë e plagëve të marra në aksident komunikacioni.

Në Klinikën Emergjente, drejtori Basri Lenjani, ka thënë se për shkak të motit të ftohtë është shtuar gjithashtu numri i të sëmurëve që kërkojnë ndihmë mjekësore sidomos ata me probleme në zemër.

"Si këshillë e jona profesionale mjekësore është që sidomos ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, të paktën të jenë nën kontroll të mjekut familjar këto ditë të ftohta, dhe t'i përdorin barnat adekuate që ua ka caktuar mjeku".

"Gjithashtu ata që kanë sëmundje epileptike e të tjera, të mos dalin në orët e hershme të mëngjesit dhe në mbrëmje, për shkak të ftohtit që po mbretëron".

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se nëpër rrugët e Kosovës, gjatë muajit janar, janë evidentuar gjithsej 774 aksidente, ku tre persona kanë përfunduar me vdekje.

"Nëse krahasohet periudha e njejtë, me vitin e kaluar, numri i aksidenteve ka shënuar një rënie prej 2.5 për qind . Numri më i lartë i aksidenteve ka qenë nga data 16 deri më 18 të këtij muaji, ku edhe ka pasur të reshura të dendura e edhe shtim të rasteve të aksidenteve".

Zoti Kelani ka thënë gjithashtu për Radion Evropa e Lirë se asnjë rrugë në Kosovë nuk është e bllokuar, por që ka rrugë të vështirësuara për qarkullim dhe kryesisht janë ato në zonat malore.

Autoritetet e rendit kanë kërkuar nga ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit dhe të kenë pajisjet dimërore.

"Sa i përket rrugëve ato janë të kalueshme, si rrugët primare po ashtu edhe sekondare, por duke mos përfshirë zonat e thella malore", tha Kelani.

Ndryshe, meteorologët në vend , kanë njoftuar se gjatë ditëve në vijim temperaturat,do të vazhdojnë të jenë deri në -20 gradë Celsius, derisa kanë paraparë që nga java e ardhshme të fillojë një ngritje e lehtë.

Në Kosovë, me rënien e temperaturave dhe reshjeve të borës, qytetarët e Kosovës përgjatë viteve janë përballur me probleme të shumta, siç është ndërprerja e energjisë elektrike, mungesa e ngrohjes si dhe komunikacioni i vështirësuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG