Ndërlidhjet

Robertson kundër dhunës, fton në luftimin e krimit dhe korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson ka inkurajuar institucionet dhe subjektet politike në Kosovë që në vend të dhunës të angazhohen për sundim të rendit dhe ligjit.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një ligjërate në kolegjin ‘Universum’.

Aty, ai ka thënë se ndihej i lumtur që kishte kontribuar në çlirimin e Kosovës nga forcat serbe. Por, një vëmendje të shtuar ai i ka kushtuar zhvillimit të shtetit të Kosovës, me theks të veçantë në ndërtimin e shtetit ligjor.

“Thjesht duhet të keni gjyqësor më të fuqishëm, ligje shumë të forta kundër korrupsionit, qeverisje të mirë, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore”, është shprehur Robertson.

Ndërkaq duke u ndërlidhur me zhvillimet e këtyre muajve të fundit në Kosovë dhe raportet e acaruara ndërmjet qeverisë dhe opozitës, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka thënë se gazi lotsjellës nuk i kontribuon këtij vendi.

Ai ka mbështetur edhe përpjekjet e Kosovës që nga Forca e Sigurisë, si një forcë emergjencash, të kalohet në fazën e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Sa më shumë që punoni e sa më shpejtë do të keni një ushtri e cila sigurisht që është e mirë për vendin dhe do të ofrojë më shumë siguri për vendin” ka thënë Robertson.

Gjatë kësaj vizite në Kosovë, Robertson është pritur nga udhëheqësit më të lartë të shtetit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka shprehur mirënjohje Lordit George Robertson për përkrahjen dhe kontributin që ka dhënë për Kosovën.

“Republika e Kosovës është sot shtet demokratik, sovran dhe i pavarur falë përkrahjes që populli jonë dhe lufta e tij çlirimtare mori nga shtetet demokratike nga vendet lidere të botës demokratike, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet tjera evropiane pjesë e Aleancës Veriatlantike, e cila udhëhiqej nga Lordi George Robertson”, thuhet në një komunikatat ë lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Po ashtu, Robertson ka vizituar lokacione ku forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 kishin vrarë civile shqiptar. Një lokacion i tillë është edhe fshati Poklek i Drenasit, ku më 17 prill të vitit 1999, forcat serbe kishin ekzekutuar 53 civilë, shumica prej tyre pleq, gra e fëmijë.

“Jam pjesë e historisë së Kosovës. T’i kujtojmë ata që dhanë jetën për liri dhe t’i kthejmë sytë nga e ardhmja e këtij shteti, që do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Robertson në Poklek.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po e shoqëronte atë në këtë vizitë, i ka shprehur mirënjohje ish-sekretarit Robertson, duke thënë se Kosova do të ishte e vetmuar dhe në duart e kasapit Sllobodan Millosheviq, pa NATO-n dhe njërëzit si Robertson.

Lordi George Robertson, ishte Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s gjatë viteve 1999-2004.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG