Ndërlidhjet

Riorganizim i “Trepçës”, apo falimentim?


Trepça
Trepça

Gjatë këtij viti, autoritetet e Kosovës përfundimisht do të duhet të vendosin për të ardhmen e gjigantit metalurgjik “Trepça”.

Kombinati “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, është nën moratoriumin e vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administrator i saj.

Sipas një vendimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, afati i fundit për dorëzimin e planit të organizimit të Trepçës është 1 nëntori i këtij viti.

Deri para kësaj date, Qeveria e Kosovës duhet të miratojë Ligjin për Trepçën, në mënyrë që ta shpëtojë nga likuidimi këtë ndërmarrje.

Likuidimi i Trepçës mund të çojë deri te shitja dhe shpërndarja e saj ndërmjet kreditorëve, shumica e të cilëve i takojnë periudhës së viteve ‘90.

Nisur nga e gjithë kjo, autoritetet e Kosovës kanë dinamizuar aktivitetet e tyre, në mënyrë që të bëjnë një zgjidhje më të shpejtë kësaj ndërmarrje.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në një takim konsultativ për ndërmarrjen “Trepça”, të mbajtur gjatë kësaj jave, kishte theksuar se “Trepça” nuk ka nevojë që edhe më tutje të mbetet ndërmarrje shoqërore në fushëveprim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Për ‘Trepçën’ mund të bisedohet në pikëpamje të së ardhmes pronësore të saj, me një kombinim të pronësisë publike dhe të bashkëpronësisë, ose të një pjese të pronësisë private dhe të privatizimit të atyre aseteve, të cilat nuk i nevojiten më tutje ‘Trepçës’ dhe që do të ishin ngarkesë për të, siç janë bizneset që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me ‘Trepçën’”, kishte deklaruar Mustafa.

Sipas kryeministrit Mustafa,zgjidhjet për Trepçën nuk janë të lehta, por kjo duhet bëhet brenda vitit.

Qeveria e Kosovës pritet të emërojë disa grupe punuese që do të punojnë në hartimin e Ligjit për Trepçën, një grup për hartimin e strategjisë dhe një grup për hartimin e modeleve studimore për zhvillimin e biznesit të kësaj ndërmarrje.

Ndërmarrja “Trepça”, ishte rrezikuar të shkojë në likuidim edhe në shkurt të vitit 2015, por në atë kohë Qeveria e Kosovës kishte ndërmarrë hapa të shpejtë për miratimin e Ligjit për ndërmarrje publike, sipas të cilit, “Trepça” nxirret nga administrimi i AKP-së dhe shndërrohet në ndërmarrje publike të menaxhuar nga shteti.

Ky vendim, në atë kohë ishte kundërshtuar nga partitë opozitare, të cilat kishin kërkuar që “Trepça” të trajtohet me një ligj të veçantë.

Çështja e statusit të kombinatit ishte bërë edhe shkas i protestave të partive politike në opozitë në janar të vitit të kaluar, që u përshkuan me përplasje të ashpra ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.

Sfidoftë, udhëheqësit e kombinatit “Trepça”, thonë se është momenti i fundit kur kësaj ndërmarrjeje duhet bërë një zgjidhje urgjente.

Ahmet Tmava, drejtor i përgjithshëm në kombinatin “Trepça”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Trepça tani ka marrë një qasje serioze të trajtimit nga autoritetet e vendit, dhe se pret që përfundimisht kësaj ndërmarrjeje t’ i kthehet reputacioni që ka pasur.

“Tani janë të gjithë të mendimit se ‘Trepça’ në këtë mënyrë të mbijetesës nuk mund të vazhdojë, por po ashtu është edhe momenti i fundit që ky aset nacional të reflektojë fuqinë reale ekonomike në interes për vendin dhe në përgjithësi”, vlerëson Tmava.

Kombinati “Trepça”, aktualisht merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut dhe është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë.

Ky kompleks operon në dy njësi, në jug dhe veri të Mitrovicës.

Por, përveç aseteve dhe degëve të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet ‘80, me mbi 20 mijë punëtorë.

Drejtori aktual i gjigantit metalurgjik, Ahmet Tmava tregon se në “Trepçë” janë grumbulluar probleme të shumta të cilat kërkojnë zgjidhje, dhe se kjo mund të bëhet vetëm me përcaktimin statusit të Trepçës.

“Ka probleme, mirëpo kemi bërë një mobilizim të shtuar që të kalojmë këtë situatë dhe në këto momente të fundit, kur po hyjmë në statusin zhvillimor të ‘Trepçës’”, shton Tmava.

“Trepça” sot brenda Kosovës përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Mirëpo, gjithashtu, dihet se një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.

Halil Qela, njohës i kësaj fushe, thotë se autoritetet e Kosovës kanë bërë përpjekje për ringjalljen e këtij kompleksi metalurgjik, por janë vonuar.

Sipas tij, zgjidhja e statusit të “Trepçës” është dashur të bëhet menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.

“Nëse aktivizohen nëntë minierat e ‘Trepçës’, tre flotacione, metalurgjia e plumbit zinkut, industria kimike, natyrisht që numri i të punësuarve do të jetë shumë i madh. Do të ndikonte edhe në punësim edhe në gjendjen ekonomike në përgjithësi, të Kosovës”, thekson Qela.

Sidoqoftë, ai thotë se për të ringjallur “Trepçën”,i vetmi opsion është partneriteti publik privat.

Deri më tani Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kombinatit metalurgjik “Trepça”.

I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.

XS
SM
MD
LG