Ndërlidhjet

Obama përgëzon lidershipin amerikan


Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama
Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama e ka përshëndetur fuqinë ekonomike e ushtarake si dhe lidershipin amerikan, por ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të bëhen “polic i botës”, në kuptim të ndryshimit të rendit botëror.

Duke u përgjigjur në kritikat se ekonomia amerikane është në rënie dhe se është duke u dobësuar politikisht përballë atyre që ai i quajti armiq, presidenti amerikan tha se SHBA-të janë kombi më i fuqishëm në botë.

"Ne shpenzojmë për ushtrinë tonë më shume se tetë kombe të tjera së bashku. Trupat tanë janë luftëtarët më të mirë në historinë e botës. Asnjë komb nuk na sulmon neve ose aleatët tanë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ngase dihet se ajo është rruga drejt shkatërrimit", ka thënë Obama.

Duke folur të martën mbrëma gjatë adresimit të tij të fundit para kombit, Obama është përpjekur t’i demaskojë disa retorika të zjarrta që e kanë karakterizuar fushatën zgjedhore para zgjedhjes së tij.

Si pasardhës i George W. Bush, ai ishte i hapur në përdorimin e gjuhës, kur flitej për luftën amerikane ndaj terrorizmit.

“Nëse keni dyshim në përkushtimin e Amerikës, ose timin, për të parë se drejtësi ka pasur, pyesni Osama Bin Ladenin”, ka thënë Obama. “Kur ju vini pas amerikanëve, ne shkojmë pas jush. Kjo mund të marr kohë, por ne kemi kujtesë të madhe dhe arritjet tona nuk kanë kufij”.

Fjalimi vjetor para Kongresit ishte i fundit për zotin Obama në cilësinë e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ishte një mundësi për t’i përmbledhur arritjet e shmangur kritikat gjatë udhëheqjes së tij.

Teksa i ka përmendur disa sfida ndërkombëtare që kanë ndikuar në ndryshimet globale, presidenti amerikan e ka përmendur sëmundjen Ebola në Afrikë, paktin tregtar në Azinë Lindore, luftën e Ukrainës dhe të Rusisë si dhe dobësimin e thellë të Irakut dhe Afganistanit.

“E di që kjo është një kohë e rrezikshme. Por, nuk është për shkak të zvogëlimit të fuqisë amerikane ose kanosjes nga ndonjë superfuqi. Në botën e sotme, ne jemi të kërcënuar më pak nga perandoritë e këqija dhe më shumë nga shtetet e dështuara”, ka thënë Obama para audiencës ku ishin të pranishëm ligjvënës të zgjedhur, sekretarë kabineti e gjykatës të Gjykatës Supreme.

“Ka një qasje më të mençur, një strategji e durueshme dhe e disciplinuar, që e vë në funksion çdo element të fuqisë sonë kombëtare”, tha Obama.

“Kjo do të thotë se Amerika do të veprojë gjithmonë, edhe e vetme nëse është nevoja, që t’i mbrojmë njerëzit dhe aleatët tanë”.

“Por në aspekt të interesit global, ne do ta mobilizojmë botën për të punuar me ne në mënyrë që t’ bëjmë të sigurta vendet e tjera, që ta mbajnë vetë peshën që kanë. Kjo është qasja jonë rreth konfliktit në Siri, ku ne jemi partner me forcat lokale dhe po i udhëheqim përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar që shoqëria e thyer ta ketë një paqe të qëndrueshme", tha ai.

Fjalimi i presidenti është mbajtur vetëm disa orë pasi Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka konifirmuar se dy anije detare amerikane janë kapur nga forcat iraniane.

Përpara fjalimit të presidentit, zyrtarët amerikanë janë munduar që ta minimizojnë këtë çështje, duke thënë se dhjetë marinarët e arrestuar do të lirohen së shpejti.

Obama nuk e ka përmendur incidentin. Në vend se t’i përmente kritikat ndaj Iranit, ai e ka përmendur marrëveshjen historike në mes të Iranit dhe gjashtë fuqive botërore për programin bërthamor të Iranit.

“Kjo është arsyeja pse e kemi krijuar një koalicion global, me sanksione dhe diplomaci parimore, për ta parandaluar programin bërthamor të Iranit”.

“Teksa ne flasim, Irani ka hequr dorë nga programi bërthamor, duke e larguar atë nga rezervat e uraniumit, dhe me këtë bota e ka shmangur një luftë tjetër”, ka thënë Obama.

Presidenti amerikan i ka quajtur radikalë luftëtarët e grupit Shteti Islamik, të cilët kanë konfiskuar territor në Siri dhe Irak. Sipas tij, ata janë “vrasës dhe fanatikë që duhet të çrrënjosen, zhduken e shkatërrorhen”.

Obama ka thënë se dhuna e tyre ndaj civilëve duhet të ndalet.

“Turma të luftëtarëve në pjesën e pasme të makinave e shpirtra të prishur që bëjnë komplote në apartamente apo garazhe – këta janë ata njerëzit që paraqesin rrezik ndaj civilëve dhe duhen ndaluar. Por, ata nuk e kërcënojnë ekzistencën tonë kombëtare. Ky është tregimi që ISIL dëshiron ta tregojë; kjo është mënyra e propagandës që ata e shfrytëzojnë për të rekrutuar".

"Nuk kemi nevojë të tubohemi që t’ju tregojmë se jemi seriozë, dhe as që kemi nevojë t’i largojmë aleatët jetikë në këtë luftë duke i bërë jehonë gënjeshtrës se ISIS-i është përfaqësues i një prej religjioneve më të mëdha në botë. Ne thjeshtë duhet t’i quajmë ata për atë çfarë janë – vrasës dhe fanatikë që duhen çrrënjosur, përndjekur dhe shkatërruar”.

“Por, ata nuk kërcënojnë ekzistencën tonë kombëtare”, ka thënë Obama.

Ai i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë një rezolutë, sipas së cilës autorizohen forcat ushtarake në luftën kundër Shtetit Islamik.

“Në qoftë se ky Kongres dëshiron seriozisht ta fitojë këtë luftë dhe dëshiron ta dërgojë një mesazh tek trupat tanë dhe bota, ju përfundimisht duhet ta autorizoni përdorimin e forcës ushtarake kundër ISIL”, ka thënë Obama.

“Votojeni”, ka bërë thirrje ai.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se një lloj rezulute, si ajo që Kongresi e ka miratuar pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2011, do ta fuqizonte strategjinë ushtarake amerikane në luftën aktuale ndaj terrorizmit.

Përgatiti: Selvije Bajrami

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG