Ndërlidhjet

Gjendja politike, dekurajon investitorët e jashtëm


9 janar, 2016
9 janar, 2016

Gjendja politike po ndikon në investimet e huaja në Kosovë ka deklaruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Sipas tij, në vitin 2015 është shënuar ngritje e investimeve, por ato kanë mundur të jenë më të larta sikur të kishte një gjendje më stabile politike.

Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë konferencës informuese për zhvillimin e sektorit privat të organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se prioritet për këtë vit mbetet luftimi i ekonomisë joformale, përgatitja për fillimin e projektit të Termocentralit “Kosova e Re” dhe përkrahja e bizneseve me reformën fiskale.

Mustafa është ndalur edhe te çështja problematike e politizimit të bordeve të ndërmarrjeve të pavarura, duke thënë se nuk ka, thua se asgjë jopolitike në Kosovë.

“Kemi pasur kritika nga shoqëria civile kryesisht për politizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Mund t'ju them që nuk ka qenë qëllimi ynë që t'i politizojmë, mirëpo në Kosovë nuk ke asgjë apolitike. Edhe nëse i përket shoqërisë civile prapë i takon një rryme apo një përkrahje të caktuar politike".

"Por, ajo që ne kemi bërë këtu është se unë i kam ftuar të gjithë anëtarët e bordeve dhe iu kam thënë se pa marrë parasysh qëndrimet politike, nga momenti që ju jeni zgjedhur anëtar të bordeve, ju duhet ta zbatoni ligjin dhe jo qëndrimet politike", ka deklaruar Mustafa.

Po në lidhje me investimet dhe zhvillimin ekonomik, ka folur edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Edhe Jahjaga ka vlerësuar se zhvillimi ekonomik varet nga klima e favorshme, duke përfshirë jo vetëm situatën politike, por edhe eliminimin e pengesave administrative, sundimin e ligjit dhe konkurrencën e barabartë.

Këto komente, Jahjaga i ka bërë gjatë realizimit vizitave nëpër disa komuna të Kosovës e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomik Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane me qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe përkrahjes së investimeve të huaja në Kosovë.

"Ne duhet t'i adresojmë me urgjencë problemet në nivelin komunal, sepse pa i tejkaluar këto sfida është vështirë që të sjellim investitorë në Kosovë", ka thënë Jahjaga.

Sipas një parashikimi të Bankës Botërore, të publikuar në pjesën e fundit të vitit 2015, ekonomia në Kosovë po tregon shenjat e para të mëkëmbjes.

Rritja pritet të arrijë në 3.6 për qind në vitet 2016-2017, por mundësitë e punësimit, sipas Bankës Botërore, do të vazhdojnë të jenë të kufizuara.

Sipas këtij raporti, niveli i papunësisë mes të rinjve mbetet i lartë, dhe sillet në mbi 61 për qind.

Shkalla e lartë e papunësisë vlerësohet ndër arsyet kryesore të shtimit të migrimeve ilegale nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian përgjatë viteve 2014 - 2015

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG