Ndërlidhjet

Maqedoni: Partitë me vlerësime të ndryshme për vitin 2015


Viti 2015 ishte vit i sfidave dhe krizave të mëdha për Maqedoninë, me afera dhe protesta nga më të ndryshme, por partitë politike kanë qëndrime të ndryshme mbi shkaktarët e tyre, në veçanti për atë që njihet si aferë e përgjimeve dhe aksionin policor në Kumanovë, që shkaktuan reagime nga më të ndryshme gjatë tërë vitit.

Partitë politike në pushtet thonë se kanë arritur të relizojnë pjesën më të madhe të premtimeve, përkundër siç thonë, pengesave të shumta të opozitës me ndihmën e shërbimeve të caktuara e që kishin për qëllim destabilizimin e vendit.

Kryeministri Nikolla Gruevski, njëherit kryetar i VMRO DPMNE-së, ka thënë se viti 2016, do të jetë vit historik pasi qytetarët në zgjedhje do të vendosin se kush kishte të drejtë gjatë këtij viti që po e lëm pas.

“Në zgjedhjet e prillit populli do ta thotë fjalën përfundimtare se kë do të mbështes dhe kujt i besonte. Këtë nuk do ta thotë asnjë njeri i huaj, apo dikush me ndonjë shkop magjik. Këtë do ta themi ne së bashku me popullin pasi ky është vendi jonë dhe në duhet të vendosim për gjithçka“, ka deklaruar Gruevski duke akuzuar opozitën për aferën e përgjimeve dhe pasojat që dolën më pas e që sipas tij kishin për qëllim marrjen e pushtetit me dhunë.

Nga ana tjetër, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në vlerësimin e tij për vitin 2015, kryesisht është përqëndruar në aspektet e sigurisë dhe në mos anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin E vropian.

Ai këto ngecje ia ka adresuar edhe luftërave në Ukrainë, Siri e Irak.

“Viti u nis mbrapshtë, situata u vështirësua me çka vërtet rrezikohej dhe kërcënohej paqja e stabiliteti dhe siguria në vend. Mund t'i duket dikujt shaka por kriza globale sigurisht që pat ndikime të ponktesueshme në drejtim të pengimit të miqëve tanë të komunitetit ndërkombëtar në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit, siç ishte lufta Rusi-Ukrainë si dhe ato të përmasave katastrofale në Irak dhe Siri“, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka shtuar se megjithatë falë angazhimit të jashtëm u arrit marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike të nxitur nga opozita me aferën e përgjimeve.

Ndryshe nga partitë në pushtet, ato në opozitë thonë se fajtor për të gjitha krizat nëpër të cilat ka kaluar vendi gjatë këtij viti janë partitë qeverisëse me siç thonë, veprimet e tyre kriminale që janë dëshmuar nga publikimi i bisedave të përgjuara telefonike.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev beson se viti 2016 do t'i jap fund siç thotë, pushtetit kriminal të Nikolla Gruevskit.

“Kjo që po e bëj nuk është luftë për pushtet, luftë për kthimin e Maqedonisë në një shtet normal, luftë për kthimin e lirisë, të drejtësisë, të vlerave evropiane, luftë për të ardhmen ekonomike të të gjithe qytetarëve të Maqedoni. Besoj se viti 2016, do të jetë viti i mposhtjes së këtij regjimi kriminal“, ka deklaruar Zaev.

Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi tha se afera e përgjimeve ka dëshmuar se në Maqedoni nuk ekziston shteti ligjor. Thaçi beson se në zgjedhjet e 24 prillit do t'i jepet fund kësaj situate.

“Ky vit për Maqedoninë u karakterizua edhe me skandalin e përgjimeve që vërtetou se Maqedonia nuk ka asgjë të përbashkët me shtetin ligjor, me respektin e të drejtave të njeriut dhe me aspekte kushtetutare të drejtësisë".

"Para nesh, është një vit i shpresës së madhe, viti i shpresës madhe, besoj unë se është viti i ardhshëm dhe 24 prilli, ku përfundimisht ne shqiptarët nën udhëheqjen e Partisë Demokratike Shqiptare do të arrijmë që nëpërmjet votës së lirë të garantuar nga SHBA-të dhe Unioni Evropian t’i themi mjaft kësaj situate”, ka deklrauar Thaçi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG