Ndërlidhjet

Vit kritik me protesta e bllokada


18 nëntor, 2015
18 nëntor, 2015

Filloi me protesta, migrime masive të qytetarëve në kërkim të një jete më të mirë dhe u përmbyll me bllokadën institucionale që çoi në krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Ky ishte viti 2015 për shtetin më të ri evropian, i cili ende mbetet në fazën e rrumbullaksimit të subjektivitetit ndërkombëtar, për shkak të pengesave që po i krijon në arenën ndërkombëtare mosnjohja si shtet, nisur nga Serbia dhe aleatët e saj e deri te pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Pas valëve të refugjatëve gjatë viteve 1998-’99, fundi i vitit 2014 dhe fillimi i vitit 2015 i kthyen pamjet e radhëve të migrantëve nga Kosova. Kësaj radhe ata nuk po iknin nga lufta për të shpëtuar kokën, por po ia mësynin një jete më të mirë diku në vendet perëndimore.

Fushatës kundër migrimeve ilegale i ishte bashkuar edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila vizitoi disa komuna duke bashkëbiseduar me qytetarët për t’i bindur ata që të heqin dorë nga rruga e largimit nga Kosova.

“Kosova nuk ka njerëz për të humbur. Javën e ardhshme i bëjmë 7 vjet që jemi bërë shtet i pavarur. Unë jam me juve. Të gjitha këto brenga dhe shqetësime, janë edhe shqetësimet e mia. Ju nuk duhet të ikni, por duhet të qëndroni së bashku me neve, sepse më së lehti është që të ikim dhe t’ia kthejmë shpinën Kosovës”, ishin porositë që Jahjaga u adresonte disa qytetarëve të Vushtrrisë më 6 shkurt.

Papunësia, mungesa e perspektivës ekonomike ishin hallet që më shumë i shqetësonin qytetarët gjatë bashkëbisedimit me presidenten Jahjaga.

"A po e shihni në çfarë gjendje katastrofale është komuna e Vushtrrisë? Çfarë fukarallëku ka këtu? Të rinjtë shkuan. Çka na duhet neve jeta kur të rinjtë shkuan?! Propozonin (në fushatë zgjedhore) 200 mijë vende të punës. Ku janë tash ato 200 mijë vende të punës?", shtronte pyetje dhe dilema një qytetar nga Vushtrria para presidentes.

Krahas migrimeve ilegale, të cilat diku në muajt mars e prill pushuan, Kosovën gjatë vitit 2015 e përcollën valët e shumta të protestave.

Fillimi i vitit u karakterizua me protestat për shkarkimin e ministrit serb, për kthim dhe komunitete Aleksandar Jabllanoviq.

Ky i fundit, i kishte quajtur "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse më 6 janar.

Protestat u nisën nga nënat e personave të pagjetur dhe më pas ato i mori nën organizim opozita, duke i shtuar edhe kërkesën për miratimin e Ligjit për Trepçën.

Më 24 dhe sidomos më 27 janar, në protestat që u mbajtën në Prishtinë, situata eskaloi në përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë, që si pasojë solli dhjetëra të lënduar si nga protestuesit ashtu edhe policia e Kosovës.

Si rrjedhojë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa kumtoi vendimin për shkarkimin e Jabllanoviqit.

"Jemi ballafaquar me kërkesa të protestuesve, në dy protestat e kaluara sa i përket Trepçës dhe ministrit Jabllanoviq. Unë mund t'ju njoftoj se ministri Jabllanoviq nga sot nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar", kishte deklaruar Mustafa.

Në kuadër të zhvillimeve që nxitën më shumë debate e tensione gjatë vitit 2015, ishte edhe procesi dhe akti i themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte.

Më 3 gusht, pas një debati të rreptë, me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës së Veçantë për krime lufte.

Të njëjtën ditë, u aprovuan edhe dy ligjet e domosdoshme për funksionimin e Speciales.

Themelimi i kësaj Gjykate, u kundërshtua nga partitë opozitare të cilat e quajtën atë të padrejtë, selektive dhe të destinuar vetëm kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Megjithatë, në arsyetimin e tij, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pati deklaruar se me themelimin e kësaj Gjykate Kosova po zbaton të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me faktorin ndërkombëtar.

“Qeveria është e vetëdijshme se ka mendime të ndryshme për këto amendamente dhe për vetë themelimin e dhomave të specializuara, por po ashtu qeveria vlerëson se zbardhja e së vërtetës dhe drejtësisë për disa dyshime të pretenduara gjatë luftës dhe për një periudhë të pas luftës është e rëndësishme”.

“Është një sfidë me të cilën duhet të ballafaqohemi si vend i cili ka përqafuar vlerat e demokracisë evropiane”, tha Mustafa.

Pas shumë zhvillimeve të brendshme dramatike, Kosovës i erdhi një lajm i mirë. Bashkimi Evropian vendosi që përfundimisht të nënshkruaj Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën.

Marrëveshja u nënshkrua më 27 tetor në Strasburg. Nënshkrimi i këtij dokumenti shënoi vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale midis Kosovës dhe BE-së.

Marrëveshja për Stabilizim Asocim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.

Në kuadër të obligimeve ndërkombëtare që ka marrë sipër Kosova, mbetet edhe dialogu me Beogradin, i cili vazhdon të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Më 25 gusht, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nënshkruan në Bruksel marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.

Përmes kësaj marrëveshje, u tha se synohej që komunitetit serb t'i krijohej një Asociacion ku përfaqësuesit e komunave të banuara nga ky komunitet do të mund të adresonin çështje nga arsimi, kultura, infrastruktura, mjedisi e disa kompetenca tjera që ndërlidhen me pushtetin qendror.

Të njëjtën kohë, Kosova nënshkroi edhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Të dy këto marrëveshje ngritën në këmbë opozitën. Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma vendosën që të krijojnë një front unik për të mos lejuar zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve. Marrëveshja për Asociacionin konsiderohej se po e faktorizonte Serbinë brenda Kosovës dhe cenonte sovranitetin, kurse ajo për demarkacionin, sipas opozitës, e tkurrte territorin e Kosovës duke i falur atë Malit të Zi.

Protesta opozitare filloi më 17 shtator kur opozita u barikadua tek foltorja e Kuvendit.

Kurse në seancën e 22 shtatorit, deputetët opozitar filluan sulmet me vezë kundër kryeministrit Isa Mustafa, përderisa ky i fundit po fillonte raportimin në lidhje me marrëveshjet me Serbinë.

Barrikadimi te foltorja ishte vetëm hapi i parë, ngase opozita kaloi edhe në stadin tjetër të protestës ku u fut ne funksion përdorimi i gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit.

Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti e nisi serinë e hedhjes së gazit lotsjellës.

Për këtë arsye, ai u arrestua, por më pas u lirua nga policia më 14 tetor. Masa ndëshkuese për Kurtin nuk e zmbrapsi atë nga qëllimi që kishte proklamuar.

“Ne duhet të qëndrojmë kështu të vendosur edhe përbrenda Kuvendit të Republikës, edhe nëpër rrugët e qyteteve e fshatrave të Republikës, e posaçërisht këtu në kryeqytet dhe ti ndalim njëherë e përgjithmonë projektet e Serbisë dhe t’i ndalim njëherë e përgjithmonë pretendimet e fqinjëve grabitqarë”, ishte shprehur Kurti.

Pas bllokimit të seancave më 1, 8 dhe 15 tetor, gjendja në Kuvend dhe raportet pushtet - opozitë acarohen tej mase në seancën e 23 tetorit, e cila vazhdoi deri në orët e para të ditës vijuese.

Ajo seancë, mbahet mend jo vetëm për tensionet, por edhe fjalorin fyes. Një debat i tillë plot fyerje u zhvillua ndërmjet kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe deputetëve të Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e Fisnik Ismaili.

Kryesia e Kuvendit, vendosi fillimisht të fus sigurimin në sallë, por opozita pamundësoi vijimin e seancës me gaz lotsjellës e hedhje të shisheve të ujit në drejtim të Kryeministrit dhe kabinetit qeveritar.

Më pas, kryesia vendos ta suspendoj opozitën, duke vazhduar punimet e Kuvendit në një sallë alternative vetëm me partitë në pushtet.

Një tjetër seancë me plot tensione ishte edhe ajo e 17 nëntorit, kur Kuvendi miratoi në parim buxhetin në sallën alternative dhe pa opozitën, pasi që partitë opozitare fillimisht pamundësuan punimet në sallën kryesore, duke hedhur gaz lotsjellës.

Në këtë seancë, njëri nga liderët opozitar Albin Kurti, mes tjerash sulmoi me sprej kryeministrin Isa Mustafa. Ndërkaq në oborrin e Kuvendit, disa deputetë opozitar u konfrontuan edhe me policinë.

Gazi lotsjellës dhe suspendimi i opozitës u përsërit edhe në seancën e 30 nëntorit, si edhe në seancën e fundit të vitit, më 14 dhjetor.

Bilanci i përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvend solli si rezultat 13 deputet opozitar të arrestuar.

Atyre u shqiptuan masa të arrestit shtëpiak apo edhe paraburgim. Kurse arrestimi më spektakolar ishte ai i ish-liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti më 28 nëntor, kur autoritetet ndërmorën një prej aksioneve të papara deri atë ditë për kapjen e tij, ndonëse ai ndodhej në zyrat e Vetëvendosjes ne qendër te Prishtinës.

Këto arrestime, opozita i cilësoi si politike, përderisa organet e rendit i kishin arsyetuar ato me faktin se posedimi dhe përdorimi i gazit lotsjellës nga persona të paautorizuar përbën vepër penale.

Zhvillimet në Kuvend, u përcollën edhe me protesta në rrugë, të cilat shpesh ishin edhe të dhunshme të cilat si pasojë, në total, sollën dhjetëra të lënduar dhe dëme të konsiderushme materiale.

Sidoqoftë, krejt në fund të vitit, erdhën dy konkludime në lidhje me marrëveshjet që përplasën pushtetin dhe opozitën në Kosovë.

Ishte Departamenti Amerikan i Shtetit që përmes një komunikate deklaroi se kufiri i shënjuar së voni ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është në përputhje të ngushtë me Kushtetutën e vitit 1974.

Kurse në lidhje me Asociacionin e komunave serbe, në bazë të kërkesës së presidentes Atifete Jahjaga, Gjykata Kushtetuese doli me interpretimin se parimet e Asociacionit “nuk janë tërësisht” në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Përderisa për demarkacionin dhe Asociacionin gjërat sado pak filluan të qartësohen, në planin ndërkombëtar, për Kosovën edhe ky vit solli pak njohje, pastaj dështimin për anëtarësim në UNESCO si dhe u shtua konfuzioni në lidhje me liberalizimin e vizave.

Më 9 nëntor, Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), nuk votoi në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Për pranim në UNESCO, Kosovës i munguan gjithsej 3 vota.

Zhgënjimi i Prishtinës pas mospranimit në UNESCO u shtua kur nga Brukseli erdhën sinjalet e para se Kosova nuk do të merr rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave.

Pas këtij lajmi, ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi doli me një deklaratë të ashpër në adresë të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë të pa lidership dhe të padrejtë në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj.

"Bashkimi Evropian ka kërkuar kritere shtesë për Kosovën. Edhe ato i kemi mirëpritur dhe i kemi zbatuar dhe dorëzuar dhe sot nuk futen në një raport teknik që kërkon një punë prej dhjetë minutash në kompjuter. Prandaj, vlerësoj se është një marrëzi që të shtyhet ky proces", ka deklaruar Thaçi.

Megjithatë, ministri i jashtëm Thaçi, sipas analistëve mund të ketë qenë pak sa i nxituar me deklaratën e tij të ashpër në raport me Bashkimin Evropian.

Në fund doli se raporti është pozitiv, por se Kosova nuk i ka plotësuar tetë rekomandime të Komisionit Evropian.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn i kishte porositur institucionet në Prishtinë se liberalizimi do të ndodhë, por nuk dihet data.

“Disa çështje në BE, siç është liberalizimi i vizave, mund të merr më shumë kohë sepse për liberalizimin e vizave duhet të merret pëlqimi i 28 vendeve anëtare", ka thënë komisioneri i BE-së.

Ndërsa Bashkimi Evropian po e ndjek rrugën e plotësimit të kritereve hap pas hapi në rrugën e Kosovës drejt integrimit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sërish i kanë rikonfirmuar Prishtinës zyrtare përkushtimin e tyre.

Më 2 dhjetor, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry qëndroi në një vizitë të shkurtë në Prishtinë, përkatësisht në Aeroportin e Prishtinës, ku takoi kryeministrin Isa Mustafa dhe dy zëvendëskryeministrat, Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviq.

Me këtë rast, John Kerry kishte një mesazh mjaft të qartë për forcat politike në Kosovë, sidomos ato që kanë shqetësime në lidhje me dialogun dhe marrëveshjet me Serbinë, duke thënë se do të jenë vetë Shtetet e Bashkuara që nuk do të mbështesin ndonjë marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

“Mos u gaboni. Nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që do të rrezikonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kemi investuar shumë së bashku që të lejojmë që e ardhmja e Kosovës të vihet në rrezik”, ka thënë Kerry.

Sidoqoftë, ishte një vlerësim i përbashkët i pozitës, opozitës dhe shoqërisë civile se viti 2015 ishte jo vetëm sfidues, por edhe viti, deri më tani, më kritik i shtetit të Kosovës.

Krizat e vazhdueshme politike, sikur lanë pas dore angazhimin e proklamuar për luftimin e dukurive negative, si krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Përderisa, kishte një zotim të vazhdueshëm institucional për luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit fetar dhe terrorizmit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG