Ndërlidhjet

Përmirësime të kufizuara në cilësinë e ushqimit


Ilustrim
Ilustrim

Ekspertët shëndetësorë në Kosovë thonë se mënyra e të ushqyerit, si dhe orari i ushqimit, janë shumë me rëndësi për organizmin e njeriut.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se cilësisa e ushqimit ka shënuar progres në Kosovë, por që ka ende hapësirë për përmirësim në këtë fushë.

Selatin Kaçaniku, nga organizata "Konsumatori" thotë se institucionet relevante duhet bërë më shumë në këtë drejtim.

‘’Organizata "Konsumatori" për 9 vite angazhim i është kushtuar temës së sigurisë dhe cilësisë së ushqimit me të cilin ushqehen qytetarët e Kosovës. Në Kosovë fatëmirësisht ka progres dhe ne si organizatë, e shohim si lëvizje për të mirë, por përderisa institutcionet e Kosovës nuk e përmbushin obligimin themelor juridiko-ligjor, profesional e zyrtar, që qytetari konsumues i financon ta informojnë dhe ta vetëdijësojnë, ne kemi arsye ta shprehim pakënaqësinë tonë".

"Pa vetëdijësimin tonë që ne në partneritet me shtetin ta mbikëqyrim tregun, ta mbikëqyrim prodhuesin tregtar dhe shërbyesin në treg, gjithmonë do të kemi pakënaqësi’’, tha Kaçaniku.

Qytetarët thonë se ndonëse e dinë se sa e rëndësishme është mënyra e të ushqyerit, jeta dinamike shpeshherë ua dikton edhe mënyrën e ushqimit.

‘’Ndonëse jemi të vetëdijshëm për mënyrën e mirë dhe jocilësore të të ushqyerit, jeta dinamike na dikton se si të ushqehemi. Por, mendoj se edhe kur gjen kohë për të përgatitur dhe dëshiron të ushqehesh shëndetshëm, produktet në treg shpeshherë nuk janë aq kualitative".

"Në treg ka shumë ushqime tjera të pakontrolluara, dhe cilësia e tyre është thënë shpeshherë të jetë e dyshimtë", ka thënë Artani, 30 vjeçar ekonomist me profesion.

Zyrtarë nga Organziata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, kanë deklaruar se qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta kenë të kërcënuar shëndetin e tyre nga mjedisi jo i sigurt, nga ajri e ushqimi jo i shëndetshëm.

Skender Syla, udhëheqës i kësaj organizate, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se cilësia e ushqimit të duhet jetë më efikase.

"Ekzistojnë dy aspekte, të cilat ndikojnë nga aspekti i ushqimit dhe ushqyeshmërisë së individit për të pasur një shëndet të mirë. E para është që ushqimi të jetë i sigurtë dhe cilësor, dhe e dyta, individi të konsumojë ushqim të shëndetshëm dhe të përbërë nga materie ushqyese të balansuara".

"Mendoj që në Kosovë ka hapësirë për t'u përmirësuar, qoftë kontrolli i ushqimit, por edhe ngritja e vetëdijës së vetë qytetarëve. Ne e dimë që qytetarët shpeshherë konsumojnë ushqim mishi shumë të yndyrshëm, dhe të kriposura shumë, pije të gazuara, dhe të gjitha këto ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve. Përmes kontrollit efikas do të kemi edhe ngritje të vetëdijes që konsumimi ditor të jetë i shëndetshëm me fruta, perime, fibra.." , shtoi Syla.

Sidoqoftë, për përmirësimin e gjendjes në shumë fusha, OBSH që nga viti 1998 e deri më tani në Kosovë ka investuar një sasi të hollash prej 42.9 milionë dollarësh.

Zoti Syla shton se në të ardhmen do të kenë programme të caktuara në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për mënyrën e ushqimit.

‘’Në Kosovë dita botërore e ushqimit i dedikohet ushqimit të sigurtë. Institucionet e vendit, si dhe Komisioni Evropian, kanë investuar në ngritjen e standardit për kontroll të ushqimit, por në vitet në vazhdim ne do të punojmë në vetëdijësimin e popullatës për konsumimin e ushqimit të shëndetshëm’’.

Sidoqoftë ekspertët shëndetësore tashmë kanë deklaruar se edhe aktiviteti fizik është i rëndësishëm për shëndetin e njeriut, derisa mënyra e të ushqyerit, është e domosdoshme për një jetë të shëndetshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG