Ndërlidhjet

Zvarritja e marrëveshjes politike, për të fituar kohë


Çështja e mediave si dhe përbërja dhe roli i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, janë dy pikat e marrëveshjes politike për të cilat liderët e katër partive politike duhet të harmonizojnë qëndrimet në kuadër të procesit për zgjidhjen e krizës politike.

Sa i përket mediave, partitë duhet të arrijnë marrëveshje për funksionimin e transmetuesit publik, si dhe për përbërjen dhe funksionet e agjencisë së mediave, si organi më i lartë për kontrollin e punës së mediave.

Derisa opozita angazhohet për kompetenca të mëdha për këtë organ, partitë në pushtet kërkojnë që puna e tij të jetë më tepër e karakterit teknik, se sa përmbajtësor.

Sa i përket KSHZ-së, çështja më delikate mbetet zgjedhja e anëtarëve të këtij trupi, në veçanti e ekspertëve që duhet të jetë pjesë e tij. Por, bazuar në qëndrimet e deritanishme, ekspertët nuk presin që të ketë një zgjidhje të plotë, ashtu siç nuk kishte edhe për pikat tjera të marrëveshjes.

“Deri në ditën e zgjedhjeve unë nuk do të pres se diçka do të ndryshoj në kuptimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes politike. Pra, palët do të vazhdojnë me qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta për pikat e marrëveshjes me qëllim e vetëm zvarritjen e procesit dhe mospërgatitjen e terrenit për zgjedhje të lira".

"Ato nuk mund të realizohen pas funksionimin e prokurorisë speciale, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe mediave“, thotë analisti politik Nikolla Dujoski.

Albert Musliu, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i organizatës Iniciativa Demokratike, thotë se partitë do të taktizojnë deri në momentin e fundit, por sipas tij, pikat e marrëveshjes duhet të përmbushen.

“Ky është një taktizim pasi ne kemi pasur shumë afate të cilët janë tejkaluar, kemi pasur shumë obstruksione, ngadalësime të procesit ndërsa tani kemi edhe paralajmërime tjera nga opozita për shtyerjen eventuale të zgjedhjeve me përmbushjen e parakushteve tjera që zgjedhjet të mos kontestohen".

"Pra, e gjithë kjo është pjesë e një skenari politik, por edhe liderët dhe përfaqësuesit e tyre janë të vetëdijshëm se këto obligime patjetër se duhet të përmbushen sepse nuk do të ketë lëvizje në procesin politik, pa përmbushjen e tyre“, thotë Musliu.

Edhe analisti Nikolla Dujoski paralajmëron pengesa tjera, në veçanti sa i përket dorëheqjes së kryeministrit, Nikolla Gruevski, e cila sipas tij nuk do të ndodhë në fund të muajit, ashtu siç parashihet me marrëveshjen mes partive.

“Unë pres që edhe dorëheqja formale e kryeministrit Nikolla Gruevski do të problematizohet nga ai dhe partia e tij. Ajo nuk do të ndodhë në monentin e fundit, por do të shfrytëzojnë edhe sekondën e fundit. Ky është realiteti i skenës politike në vend".

"Zhvillimet shkojnë në drejtim edhe të shtyerjes së zgjedhjeve nëse shikojmë periudhën e kaluar gjashtë mujore brenda së cilës duhej të zbatoheshin pikat e marrëveshjes".

"Nuk ka kohë të mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, shoqëria nuk është e përgaditur për këtë, nuk është konstituar as Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Pra, nëse gjërat lëvizin në këtë mënyrë, gjasat janë reale që zgjedhjet të mos mbahen në afatin e paraparë“, thotë Dujoski.

Deri tani partitë politike kanë miratuar ligjin për prokurorinë speciale si dhe disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, por kanë mbetur pengesa tjera në funksionimin e tyre, në veçanti në punën e prokurores speciale, e cila duhet të hetojë aferën e përgjimeve që edhe ka nxitur krizën politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG