Ndërlidhjet

Mustafa insiston në dialog, opozita në anulim të marrëveshjeve


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur sërish gatishmërinë e tij që të ulet me përfaqësuesit e opozitës për të diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje në lidhje me situatën e rënduar politike.

Përkushtimin e tij për dialog me opozitën, Mustafa e ka ripërsëritur gjatë një prezantimi të punës së Qeverisë së Kosovës për vitin 2015.

Mustafa tha se opozita fillimisht duhet të heq dorë nga dhuna. Kurse zgjidhja, sipas tij, duhet të gjendet përmes rrugës ligjore e kushtetuese.

"Unë kam shprehur gatishmërinë time si kryeministër që të ulemi në një tryezë dhe të gjejmë zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk mund të jetë jashtë Kushtetutës dhe jashtë ligjeve të cilat janë në fuqi, mirëpo zgjidhja është në parlament, aty ku zhvillohet debati dhe aty ku merren vendimet", ka thënë Mustafa.

Opozita, po kundërshton ashpër marrëveshjen që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës kanë arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.

Për këtë marrëveshje, Mustafa tha se lënda është në Gjykatën Kushtetuese dhe u zotua se do ta respektojë vendimin e Kushtetueses, cilido që të jetë ai.

Kurse në lidhje me marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, e cila po ashtu po kundërshtohet nga opozita, Mustafa tha se është i gatshëm të ftojë një komision ndërkombëtar, i cili do të bashkëpunojë me autoritetet vendore, ku do të jetë edhe opozita, për ta vlerësuar shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

"Në qoftë se një metër katror është humbur, ne si qeveri nuk do të lejojmë që ajo të ndodhë. Unë konsideroj se në asnjë rast ne nuk kemi shprehur gatishmërinë tonë që dikush të jap asnjë metër katror nga territori i Kosovës", është shprehur Mustafa.

Në anën tjetër, opozita thotë se mbetet pranë qëndrimeve, sipas të cilave, kryeministri dhe Qeveria e Kosovës duhet të anulojnë fillimisht marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin.

Këto janë kushtet e opozitës për t'u ulur me qeverinë që drejtohet nga Isa Mustafa, e në të kundërtën, kërkohet referendum apo zgjedhje të parakohshme.

Në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve, për më gjatë se dy muaj, opozita ka bllokuar apo ka bërë përpjekje të bllokojë punën e Kuvendit, duke përdorur edhe gazin lotsjellës e mjete tjera.

Për shkak të veprimeve të tilla, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se po zhvillohen procedura ligjore ndaj 8 deputetëve opozitarë.

Sipas Konjufcës, këtu ka edhe keqinterpretime, pasi që gazi lotsjellës, sipas tij, nuk mund të konsiderohet si armë, për çka edhe po zhvillohen masat ligjore ndaj tyre.

Por, opozita ka marrë vendim që të bllokojë edhe seancën e radhës të planifikuar për të hënën, ku ndër tjera pritet të miratohet në lexim të dytë edhe Buxheti për vitin 2016.

Këtë e ka konfirmuar, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

"Jemi në diskutim e sipër si opozitë për mënyrën e kundërshtimit si opozitë. Kundërshtimi i seancave vazhdon përderisa nuk anulohen marrëveshjet. Jemi po ashtu edhe në aktivitet edhe në terren nëpër tubime. Pra, do të jetë një formë e kombinuar e kundërshtimit edhe të kësaj seance të radhës", ka theksuar Haradinaj.

Që nga 25 gushti, kur kryeministri dhe Qeveria e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin, opozita ka ndërprerë çdo formë bashkëpunimi me partitë në pushtet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG