Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka bërë thirrje për zhvillimin e hetimeve në rastin e Gorazhdecit, por pa e paragjykuar rastin.
“Rasti i fundit i sulmit në Gorazhdec po paragjykohet, ende pa përfunduar hetimet”, thuhet në një komunikatë të MDLNJ-së.
Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, me 7 dhjetor, në fshatin Gorazhdec të komunës së Pejës, fshat ky i banuar me shumicë serbe, ka ndodhur një incident me armë zjarri. Për pasojë kishte dëmtim prone, një shtëpi private, si dhe dëmtim me forcë te një përmendoreje në atë fshat.
“Udhëheqësit serbë të institucioneve serbe, të shoqëruar me politikanë të Serbisë e vizituan Gorazhdecin duke e paragjykuar rastin”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.
Në të rikujtohet edhe rasti i disa viteve më parë, kur në po këtë fshat, ishin “vrarë dy të rinj serbë dhe disa ishin plagosur derisa ishin duke u larë në lumë, kurse vrasësit nuk ishin zbuluar asnjëherë”.
“Në të gjitha këto raste është paragjykuar edhe motivi i sulmit sikur edhe ata që e kryen sulmin, pa përfunduar hetimet dhe të gjitha këto raste paragjykoheshin me motive etnike dhe politike”, vlerëson KMDLNJ, për të cilin njëkohësisht “është i papranueshëm dhe i pakuptueshëm fakti se ende nuk janë zbuluar autorët e vrasjes së dy të rinjve serbë”.
Vrasjet e dy të rinjëve kanë ndodhur në vitin 2003.