Ndërlidhjet

Çfarë do të ndodhë me 90,000 turqit në Rusi?


Qytetarë rusë duke protestuar para Ambasadës së Turqisë në Moskë, 25 nëntor 2015.
Qytetarë rusë duke protestuar para Ambasadës së Turqisë në Moskë, 25 nëntor 2015.

Shtetasit turq në Rusi kanë përjetuar histori horror prejse Turqia ka rrëzuar një avion ushtarak rus, pranë kufirit me Sirinë, më 24 nëntor.

Dhjetëra turq janë arrestuar nga policia e migrimit në lokacione ndërtimore. Fabrikat turke janë bastisur pa plan nga policia tatimore.

Qindra rusë të zemëruar janë tubuar po ashtu para Ambasadës së Turqisë dhe kanë hedhur gurë nëpër dritare.

Turqit thonë se kanë frikë nga keqtrajtimet e policisë dhe po i shmangen metrosë.

Por, më e keqja është se 90,000 shtetasit turq që jetojnë në Rusi, mund të detyrohen të ikin bashkë me familjet, si pasojë e masave hakmarrëse të Kremlinit.

Më 28 nëntor, katër ditë pas rrëzimit të avionit, presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një varg masash për të rritur “sigurinë kombëtare” dhe “mbrojtjen” e shtetasve rusë.

Këto masa përfshijnë pezullimin e regjimit pa viza me Turqinë, ndërprerjen e fluturimeve çarter midis dy vendeve dhe ndalimin e kompanive ruse që të punësojnë punëtorë turq për projektet e porositura pas këtij muaji.

Svetlana Gannushkina, specialiste për migracionin në organizatën joqeveritare Asistenca Qytetare, thotë se sanksionet shprehin pesimizëm për të ardhmen e shtetasve turq në Rusi.

“Mendoj se ata do të detyrohen që ta largohen. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë ligjërisht, është krejt e paqartë, por në praktikë, e shohim shpesh se çfarë ndodh”, thotë Gannushkina.

Prejse është rrëzuar avioni rus, rojet kufitare ruse u kanë ndaluar hyrjen dhjetëra turqve, edhe pse regjimi pa viza është thënë se do të mbetet në fuqi deri më 1 janar.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se familjet e turqve që jetojnë në Rusi, numërojnë deri në 200,000 veta.

Gratë ruse të turqve kanë nisur një peticion online, duke kërkuar ndihmë nga presidenti rus.

Dokumenti, i cili ka mbledhur afro 4,000 nënshkrime deri më 2 dhjetor, kërkon që turqit me familje ruse të vazhdojnë punën në Rusi. Peticioni po ashtu kërkon që Shërbimi Federal për Migracion të mos krijojë probleme të pajustifikueshme për ta, si dhe nga mediat shtetërore të mos bëjnë fushatë antiturke.

Shumë kompani turke kanë vënë në pritje operacionet, me shpresën se situata mund të shtensionohet nëse presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe Putin do të takoheshin në margjina të një samiti për klimën më 30 nëntor në Paris, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ankaraja thotë se ka rrëzuar avionin rus pas disa paralajmërimeve se ai ka shkelur hapësirën e saj ajrore. Moska, ndërkaq, këmbëngul se aeroplani i saj Su-24 nuk është larguar kurrë nga qiejt e Sirisë, nga ku Rusia, qysh më 30 shtator, sulmon caqet terroriste.

Ndërtuesit turq zënë hapësirë të rëndësishme në Moskë. “Ndërtimi i Rilindjes”, një kompani e madhe turke, është duke ndërtuar rrokaqiellin e saj në qendrën financiare të Moskës.

“Kur aeroplani është rrëzuar, puna thjesht ka ndaluar. Nuk po punojmë”, tregon një punëtor me emrin Umut.

Për vite me radhë, Umut ka përdorur kontaktet e tij me kompanitë turke në Rusi për t’iu sjellë miliona euro kompanive ruse të ndërtimit, ku ai ka shitur pajisje ndërtimore. Klientët e tij tani kanë ngrirë operacionet.

Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Rusi, Mikhail Fedotov, ka bërë thirrje kundër retorikës anti-turke.

“E kuptoj plotësisht trazimin e përjetuar për shkak të sulmit mbi aeroplanin rus, i cili është krim dhe tragjedi, por kjo nuk është arsye për të nxitur këtë atmosferë anti-turke”, ka thënë Fedotov.

Shtetasit turq në Rusi fajësojnë edhe Erdoganin, edhe Putinin për situatën e tanishme. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG