Psikologët në vend, thonë se sipas disa hulumtimeve që janë bërë në Kosovë për gjendjen emocionale të adoleshentëve, del se 27.4 për qind, në moshën 12 deri 18 vjet që përfshihet puberteti dhe adoleshenca, vuajnë nga depresioni.
Ndërkaq, 6.9 për qind e adoleshentëve kanë pasur ide për vetëvrasje e që ndërlidhet me depresionin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, gjatë vitit 2015, pos tjerash është marrë edhe me spektrin e plotë të çështjeve shëndetësore që prekin adoleshentët.
Këtu përfshihen shëndeti mendor, përdorimi i duhanit, alkoolit dhe drogave, HIV-i, shëndeti seksual dhe riprodhues.
Sami Uka, zyrtar për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në OBSH, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se së bashku me UNFPA si dhe në koordinim me drejtoritë e pesë komunave shëndetësore, janë mbajtur trajnime me mjekë familjarë, infermierë përfshirë edhe psikologë, ku janë trajnuar për këshillimin e adoleshentëve.
"Në moshën e adoleshencës fillojnë të ballafaqohen me sfidat e jetës në mënyrë të veçantë. Shkenca ka vërtetuar se edhe në sistemin nervor qendror fillojnë ndryshime të veçanta që duhet të merren parasysh gjatë trajtimit të tyre", tha Uka.
Atifete Shulemaja, specialiste e mjekësisë familjare, njeherësh drejtoreshë e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Obiliq, ka bërë të ditur se trajnimet e tilla kanë rezultuar si të suksesshme dhe fëmijët adoleshentë janë treguar mjaft bashkëpunues.
"Në përvojën që e kemi fituar gjatë trajnimit, e kemi implementuar dhe zbatuar ku me rastin e vizitës sistematike në shkollat e mesme në Obiliq, janë përfshirë gjithë nxënësit e dy shkollave, klasa 10, 11 dhe 12".
"Këtyre fëmijëve iu është bërë një test se sa kanë njohuri për HIV/AIDS, për drogën dhe alkoolin, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, për planifikim familjar dhe në rast të sfidave të moshës së tyre a kanë njohuri se ku do të lajmërohen".
"Pas kësaj gjithë këtyre, fëmijëve iu janë hapur kartelat shëndetësore ku i kemi futur të dhënat dhe iu është mbajtur ligjeratë që fëmijëve t'ju fokusohet përqëndrimi kur kanë problem ku të paraqiten", tha Shulemaja.
Ndërkaq, zoti Uka shton se e kanë parë si shumë të nevojshme trajnimin e punëtorëve shëndetësorë në trajtimin e problemeve të adoleshentëve.
"Ne jemi të vetëdijshëm që mosha e adoleshentëve është mosha kyçe në aspektin e rrjedhave të jetës dhe i kemi kushtuar një kujdesë të veçantë aftësimit të punëtorëve shëndetësorë që të merren me problemet e adoleshentëve meqë sikur gjatë edukimit bazik edhe atij specialistik, ka pasur mungesa të theksuara për edukimin e adoleshentëve".
"Mund të themi se është arritur një përparim i konsiderueshëm ndonëse nuk është bërë ndonjë investim i veqantë, por vetëm aftësimi dhe përditësimi i shkathësive të punëtorëve shëndetësorë ka bërë që adoleshentët t'i vlerësojnë më mirë aty ku ata kanë kërkuar këshilla", tha Uka.
Sidoqoftë, raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ‘’Shëndet për adoleshentët e botës", zbulon se depresioni është shkaktari predominant i sëmundjes dhe paaftësisë si për djemtë edhe për vajzat e moshës 10 deri 19 vjeç.