Ndërlidhjet

Rusia kërcënon Malin e Zi, SHBA e përgëzon


Bruksel, 2 dhjetor 2015.
Bruksel, 2 dhjetor 2015.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë rënë dakord që të ftojnë Malin e Zi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake në vitin 2017.

Vendimi ka shkaktuar kërcënime të menjëhershme nga Rusia për masa të paspecifikuara hakmarrëse.

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia ka paralajmëruar se “vazhdimi i zgjerimit të NATO-s dhe i infrastrukturës ushtarake të NATO-s në lindje nuk mund të mos çojë në përgjigje nga lindja, pra nga Rusia”.

Zëdhënësi Dmitry Peskov nuk ka pranar të japë shpjegime se për çfarë veprimesh bëhet fjalë, por ka thënë se ato do të mbrojnë interesat rusë të sigurisë dhe do të mbështesin barazinë midis Moskës dhe aleancës.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se NATO-ja nuk është kërcënim për askënd, e as për Rusinë.

“Sot kemi marrë një hap tjetër drejt integrimit të plotë të Evropës, drejt mbrojtjes së përbashkët, duke ftuar Malin e Zi në aleancë dhe duke konsoliduar vendin e tij në komunitetin euro-atlantik të sigurisë, si dhe duke riafirmuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Qeveria ime do të punojë me udhëheqjen e Malit të Zi në muajt e ardhshëm”, ka thënë Kerry.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka paralajmëruar muajin e kaluar se hyrja e Malit të Zi në NATO do të ishte “një tjetër goditje për sigurinë evropiane dhe marrëdhëniet midis Rusisë dhe NATO-s”.

Moska po ashtu ka thënë se zgjerimi i NATO-s me vendet e Ballkanit do të ishte “provokim” dhe ka paralajmëruar se integrimi me Evropën nuk do të çojë në përparimin e Malit të Zi.

Agjencia ruse e lajmeve RIA ka cituar sot një anëtar të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus të ketë thënë se Rusia do t’iu japë fund projekteve të përbashkëta me Malin e Zi nëse ai i bashkohet NATO-s.

Viktor Ozerov, udhëheqës i Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri në Parlamentin rus, ka thënë se projektet që mund të anulohen, i përfshijnë edhe ato në zonat ushtarake.

Në javët e fundit, edhe partitë pro-ruse në Mal të Zi kanë organizuar protesta në rrugë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq, dhe zgjedhje të parakohshme.

Gjukanoviq, i cili ka refuzuar të japë dorëheqje, ka akuzuar Serbinë dhe Rusinë për nxitje të trazirave, duke thënë se qëllimi i tyre është ta bëjnë Malin e Zi të duket i paqëndrueshëm.

Autoritetet malezeze i ka uruar sot edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Përgëzime Malit të Zi për ftesën për t’iu bashkuar NATO-s. Është moment historik. Kosova synon t’ju bashkohet shpejt”, ka shkruar Jahjaga në Twitter.

Malit të Zi mund t’i duhen deri në 18 muaj për të hyrë formalisht në NATO. Kjo kërkon miratimin e ligjvënësve nga të 28 vendet anëtare të aleancës.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Igor Llukshiq, ka thënë se vendi i tij do të vazhdojë me realizimin e reformave, përfshirë luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e sektorit të mbrojtjes.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm se ftesa nuk është fundi i procesit, por fillimi i një procesi të ri”, ka thënë Llukshiq.

Vendimi i sotëm i NATO-s ka ardhur 16 vjet pasi aleanca ka bombarduar Malin e Zi, gjatë luftës në Kosovë, kur ai ende ka qenë pjesë e Jugosllavisë.

Mali i Zi, me rreth 650,000 banorë, ka një ushtri të vogël me rreth 2,000 anëtarë aktivë.

NATO, për herë të fundit, është zgjeruar në vitin 2009 me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG